Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Lëndimet, “kundërshtari” më i madh i Brojës

Armando Broja

Në edicionin 2024/2025, që ende është në gjysmë, Armando Broja ka qëndruar jashtë fushës për 94 ditë.

Për 33 ditë mbeti jashtë në edicionin e kaluar. Numër dukshëm më të madh të ditëve pa luajtur kishte në edicionin 2022/2023, plot 284. Në edicionin 2021/22 mungoi 27 ditë, ndërsa për 7 ditë mungoi në edicionin 2020/2021.

Të gjitha këto mungesa sulmuesi i Shqipërisë i kishte shkaku i lëndimeve të ndryshme.  Pësoi 11 lëndime deri më tani. Numri i ndeshjeve në të cilat ai mungoi është 72.

Kjo është “historia” e Armando Brojës e publikuar në faqen “transfermarkt”, që merret me statistika të lojtarëve.

Lëndimin e fundit Broja e pësoi të enjten në mbrëmje, në ndeshjen e raundit të tretë të Kupës FA që Evertoni e zhvilloi ndaj Peterboroughit.

Edhe Goli pas afro dy vjetësh i jep Brojës vetëbesim për të tjera suksese Futboll Goli pas afro dy vjetësh i jep Brojës vetëbesim për të tjera suksese

Brojës iu dha ndihma mjekësore edhe me oksigjen, ndërsa është përcjellë jashtë fushës me barelë, pas lëndimit që u duk shumë i rëndë. “BBC” dhe mediat e tjera në Angli kanë shkruar se lëndimi ishte në nyjën e këmbës së djathtë.

Broja ishte inkuadruar në fushë në minutën e 68-të në ndeshjen të cilën Evertoni e fitoi 2:0 në “Goodison Park”.

Ai e pati një duel jo shumë të fortë me Emmanuel Fernandezin në minutën e 83-të. Në fakt, kontakti ishte minimal, kurse Fernandez e fitoi topin. Broja ndjeu dhembje të madhe në momentin kur e lëshoi këmbën në tokë, ndërsa trajtimi nga stafi mjekësor zgjati shumë.

Trajneri i Evertonit, Leighton Baines, ka shpresë se lëndimi i Brojës nuk është shumë i rëndë. Baines është trajner i grupmoshës U18 të Evertonit, ndërsa e udhëhoqi ekipin senior pas shkarkimit të trajnerit Sean Dyche, po të enjten.

“Është e qartë se lëndimi dukej shumë i rëndë. Ai shkoi në pjesën tjetër të fushës dhe nuk ishim të sigurt se a do të shkonte në spital apo jo, por nuk ka shkuar. Nuk e dimë shkallën e lëndimit për momentin, por është lëndim në pjesën e poshtme të këmbës. Ai nuk është dërguar në spital dhe këtë e kam marrë si shenjë të mirë”, ka deklaruar Baines pas ndeshjes.

Edhe Evertoni nuk insiston ta mbajë Armando Brojën Futboll Evertoni nuk insiston ta mbajë Armando Brojën

Broja vlerësohet njëri prej sulmuesve më të mirë që ka Shqipëria dhe është shpresë e madhe për të ardhmen pasi është vetëm 23-vjeçar.

Megjithatë, historia e lëndimeve është e gjatë dhe e ka ndalur shpeshherë në arritjen e objektivave.

Prej mungesave më të gjata që ka pasur ka qenë në edicionin 2022/2023, kur e këputi ligamentin kryqëzor të gjurit dhe mungoi për nëntë muaj.

Ai kaloi tek Evertoni në verë nga Chelsea në formë huazimi, ndërsa debutoi vetëm në muajin e kaluar për shkak të lëndimit në tendinën e Akilit.

Broja është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e Tottenhamit dhe Chelseat. Ka luajtur edhe te Vitesse në Holandë dhe Southamptoni e Fulhami në Angli.

Edhe Broja “pa dhimbje”, premton gola e asistime për Evertonin Futboll Broja “pa dhimbje”, premton gola e asistime për Evertonin

Ka luajtur edhe për grupmoshat U19 e U21 të Shqipërisë. Me ekipin e parë të Shqipërisë debutoi më 7 shtator të vitit 2020 dhe ka zhvilluar 23 ndeshje në total.

Ka pesë gola të shënuar. Ndeshjen e fundit me Shqipërinë e ka zhvilluar më 24 qershor të vitit të kaluar e më pas mungoi në të gjashtë ndeshjet e Ligës së Kombeve.