Goli ndaj Bournemouthit fundjavën e kaluar, për Armando Brojën ka ardhur në kohën e duhur.
Sulmuesi i Shqipërisë kishte arsye të madhe për festë. Jo vetëm që e vendosi rezultatin final në sfidën dramatike me golin e minutës së 90-të, duke realizuar për barazimin 1:1 në udhëtim, por edhe e ktheu emocionin që “thuajse e kishte harruar”.
Kështu ka deklaruar shtatlarti i sulmit, Broja, në një intervistë për faqen zyrtare të klubit.
“Gati kisha harruar se si ndihesh pas shënimit të golave. Por ndjenja ishte e shkëlqyer. Kemi siguruar një pikë dhe tani mund të lëvizim para si grup”, ka deklaruar të mërkurën Broja në intervistën e publikuar në faqen e Burnleyt në YouTube.
24-vjeçari viteve të fundit është përballur me një numër të madh të lëndimeve. Dëmtimet e rënda, kryesisht në gju, kanë bërë që Broja për herë të fundit të shënonte sa ishte futbollist i Chelseat. Në ligë kishte realizuar në tetor të vitit 2023.
Dështoi të realizonte gol në sezonin si i huazuar tek Evertoni, ndonëse paraqitjet i kishte të limituara. Luajti në vetëm 11 ndeshje në total.
Broja me Burnleyn të shtunën nga ora 16:00 e presin Evertonin, në ndeshjen e xhiros së 18-të të Premier Leagues. Pozita e Burnleyt aktualisht nuk është e mirë, por Broja shpreson që të ketë hapësirë dhe ta ndihmojë skuadrën me të tjerë gola.
Burnley është i 19-ti, përkatësisht i parafundit në ligë, me 11 pikë. Në vendin e 17-të, që siguron mbijetesën, është Nottingham Foresti, me 18 pikë.
“Bournemouthi është ekip shumë i mirë dhe është vështirë të luash ndaj tij. I kemi parë rezultatet e asaj skuadre dhe gjithmonë bën mirë ndaj ekipeve të mëdha. Është ekip i fortë dhe loja ishte shumë e vështirë për ne. Por, të largohesh nga stadiumi i mysafirëve me një pikë pas shtatë humbjeve rresht, ishte ndjenjë e mirë për ne, sepse nga këtu mund të nisim së ndërtuari diçka të mirë”, është shprehur Broja.
Broja si futbollist është zhvilluar te të rinjtë e Tottenhamit dhe Chelseat. Më pas ka qenë i huazuar te Vitesse, Southamptoni, Fulhami e Evertoni. Por, lëndimet e kanë lënë prapa. Në Premier League i ka zhvilluar 87 ndeshje, i ka shënuar nëntë gola, derisa ka kontribuuar me katër asistime.
Ai synon që këto shifra të ndryshojnë për të mirë që nga ndeshja e ardhshme. Ka besim për këtë.
“Natyrisht se pas golit të shënuar, ndjenja ishte shumë e mirë për vete, por edhe për ekipin, sepse të gjithë ishim të përfshirë. Ndoshta nuk ishte paraqitja më e mirë sa i përket rezultatit, por është nisje e mirë. Ne kemi kualitet, kemi dëshirë, jemi të uritur për suksese dhe jemi të bashkuar për të mbetur në Premier League. Këtë mund ta shoh te çdo futbollist në skuadër. Është liga më e fortë dhe do të luftojmë në çdo ndeshje”, është shprehur Broja.
Broja i rëndësishëm është edhe te Shqipëria. Me “kuqezinjtë” ka zhvilluar 33 ndeshje, ndërsa ka gjashtë gola të shënuar gjithsej.