Futboll

Broja realizon gol pas afro dy vjetësh

Broja realizon gol pas afro dy vjetësh

Sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja, ka shënuar gol në fundin e ndeshjes për Burnleyn, që të shtunën barazoi në udhëtim te Bournemouthi. Ndeshja u mbyll 1:1, ndërsa shtatlarti i “kuqezinjve” ia siguroi një pikë skuadrës së tij në ndeshjen e xhiros së 17-të të Premier Leagues.  

Për Brojën ishte goli i parë pas afro dy vjetësh në nivel klubesh. 

Golin e fundit e kishte realizuar më 6 janar 2024 sa ishte pjesë e Chelseat, në fitoren 4:0 ndaj Prestonit. 

Ai gol i Brojës ishte i shënuar në 1/32 e finales së Kupës FA. 

Broja të shtunën shënoi në minutën e 90-të, ndërsa në lojë u inkuadrua në minutën e 65-të.  

Goli i fundit i Brojës ishte me Shqipërinë më 14 tetor, në miqësoren e fituar 4:0 ndaj Jordanisë. 

Ai në vitet e fundit është ballafaquar edhe me lëndime shumë të rënda, që e lanë jashtë për kohë të gjatë.  

Burnley i Brojës po lufton për mbetje në elitë pasi ka grumbulluar vetëm 11 pikë dhe zë vendin e parafundit.