Futboll

Klubi turk reagon pasi ish-presidenti i tij u dënua me burg për sulmin ndaj arbitrit

Faruk Koca duke grushtuar arbitrin

Klubi turk i futbollit, Ankaragucu, ka mbrojtur ish-presidentin e tij, Faruk Koca, pasi ai u dënua me burg për sulm fizik ndaj arbitrit, raporton "BBC".

Të hënën, një gjykatë në kryeqendrën e Turqisë, Ankara, dënoi 60-vjeçarin me tri vjet e shtatë muaj burg për “lëndim të qëllimshëm të një zyrtari publik”.

Koca u dënua gjithashtu me një vit burg me kusht për kërcënime dhe shkelje të ligjeve që kanë të bëjnë me dhunën në sport.

Ish-presidenti i Ankaragucu, Koca, goditi fuqishëm me grusht arbitrin Halil Umut Melet pas barazimit 1:1 me Rizesporin, në dhjetor të vitit 2023. Arbitri turk pësoi frakturë në gropën e syrit nga goditja e Kocës.

Meler u rrëzua në fushë dhe më pas u godit nga tre individë të tjerë. 

Në një deklaratë të lëshuar pas dënimit, kryetari i klubit Ankaragucu, Ismail Mert Firat, ka thënë se “është e pamundur të interpretohet që dënimi është bërë për qëllime të mira”.

Ai tha se “asnjë krim i turpshëm i jashtëm” nuk ishte kryer dhe akuzoi gjykatën se iu nënshtrua opinionit të njëanshëm publik.

Ankaragucu konfirmoi përkrahjen për Kocën, duke përmendur kontributin e tij për futbollin turk. E ka quajtur legjendë ish-presidentin që drejtoi klubin për tri vjet.

Klubi vlerësoi se dënimi ishte joproporcional, pasi Koca dha dorëheqje dhe kërkoi falje publike pas sulmit. Federata turke kishte pezulluar futbollin për një javë pas incidentit të rëndë dhe e përjashtoi Kocan përjetë. Ankaragucu ishte dënuar me mbi 50 mijë euro për incidentin dhe ishte detyruar të luante pesë ndeshje si vendës pa praninë e tifozëve. 

Tre persona të tjerë të përfshirë në sulm morën dënime me kusht, nga 15 muaj burg deri në pesë vjet. 

Të gjithë të dënuarit pritet të apelojnë vendimin e gjykatës. Koca nuk do të dërgohet në burg derisa gjykata më e lartë të vendosë për çdo apel.