Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arbitri turk thyen heshtjen, flet për dhunën që e përjetoi

Arbitri nga Turqia, Halil Umut Meler ka folur për herë të parë për dhunën që e përjetoi pas ndeshjes së Superligës turke ndërmjet Ankaragucut dhe Rizesporit.

Kjo ndeshje që u luajt të hënën mbrëma, përfundoi me rezultatin 1:1 ndërsa gjyqtari Meler u grushtua nga presidenti i Ankaragucut, Faruk Koca.

Meler të mërkurën është liruar nga spitali i Ankaras ku ishte për trajtim, ndërsa krahas grushtit në fytyrë, ai është shqelmuar edhe disa persona tjerë derisa ishte i shtrirë përtoke. Personat që ishin zyrtarë të Ankaragucut janë arrestuar tashmë, ndërsa Koca ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit.

Po ashtu, të gjitha ndeshjet e Superligës së Turqisë janë pezulluar deri më 19 dhjetor nga federata për shkak të këtij sulmi brutal. 37-vjeçari Meler ka thënë se është mirë sa i përket shëndetit dhe për momentin nuk është i interesuar të flas shumë për këtë çështje. “Nuk kam asnjë problem me shëndetin. Me kanë thirrur nga UEFA. Nuk ka asnjë situatë për momentin edhe pse gjithçka është e mundur. Unë thjesht dua të shkoj në shtëpi dhe të pushoj”, është shprehur Meler.

Edhe mjeku kryesor i spitalit të Ankaras ka thënë se Meler është në gjendje të mirë dhe se fraktura që e ka në faqe do të shërohet me kalimin e kohës.

Artikuj të ngjashëm