Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gjyqtari turk lirohet nga spitali

Gjyqtari i futbollit nga Turqia, Halil Umut Meler, është liruar të mërkurën nga spitali i Ankaras, në të cilin ishte shtruar prej të hënës mbrëma.

Meler 37-vjeçar ishte në spital për trajtim pas sulmit që e përjetoi të hënën mbrëma me të përfunduar ndeshja e Superligës së Turqisë ndërmjet Ankaragucut dhe Rizesporit.

Meler është grushtuar nga presidenti i Ankaragucut, Faruk Koca, i cili është arrestuar dhe ka dhënë dorëheqje nga posti në klub. Po ashtu, Meler ishte shqelmuar edhe nga disa persona tjera derisa ishte i shtrirë në tokë.

Për shkak të sulmit ndaj tij, Federata e Futbollit të Turqisë ka pezulluar të gjitha ndeshjet e futbollit për një kohë të pacaktuar.

Megjithatë, raportohet se gjatë ditës së sotme, federata do të ketë një takim urgjent ku do të diskutohet për çështjen e rifillimit të ndeshjeve kampionale.