Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbolli turk në krizë të thellë pas sulmit ndaj arbitrit

Futbolli i Turqisë u zhyt në krizë gjithëpërfshirëse të martën, pas një sulmi në fushë ndaj një gjyqtari nga një president klubi, i cili ishte përmendur si kandidat i mundshëm për kryebashkiak të Ankarasë.

Superliga turke pezulloi të gjitha ndeshjet për një kohë të pacaktuar dhe gjykata e Ankarasë caktoi masën e paraburgimit për presidentin e klubit Ankaragucu, Faruk Koca, dhe dy persona të tjerë për “plagosje dhe kërcënim të një zyrtari publik”.

Imazhet e incidentit të së hënës mbrëma treguan presidentin Koca duke nxituar në fushë me një grup burrash dhe duke e goditur gjyqtarin Halil Umut Meler pasi ai i kishte rënë bilbilit për përfundimin e ndeshjes. Koca dukej se ishte i indinjuar ndaj Melerit për dhënien e një goditjeje dënimi në kohën shtesë, që u lejoi mysafirëve të Caykur Rizesporit të largoheshin nga kryeqyteti me barazimin 1:1. Pasi u godit rëndë në fytyrë, Meler u rrëzua në tokë dhe u shqelmua disa herë në tollovinë që pasoi.

Arbitri 37-vjeçar u ngrit në këmbë pak minuta më vonë. U pa me njërin sy të nxirë dhe e kishte të fryrë pjesën e majtë të fytyrës. Ai u dërgua me urgjencë në spital përpara se të martën të jepte dëshminë se Koca e kishte kërcënuar me jetë.

“Faruk Koca më goditi me grusht nën syrin e majtë dhe unë rashë në tokë. Ndërsa isha në tokë ata më goditën me shkelma në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit shumë herë", tha Meler, i cili pritet të lirohet nga spitali të mërkurën. “Ai më tha mua dhe gjyqtarëve të tjerë se do të na likuidojë, ndërsa mua m’u drejtua me fjalët se do të më vrasë”.

Edhe Klubi turk reagon pasi ish-presidenti i tij u dënua me burg për sulmin ndaj arbitrit Futboll Klubi turk reagon pasi ish-presidenti i tij u dënua me burg për sulmin ndaj arbitrit

Koca, i cili me dy zyrtarë të Ankaragucut është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim, ka gjasa të dënohet me një deri në tre vjet burgim për sulmin ndaj arbitrit Meler. Ndërkohë tre persona të tjerë, po ashtu të arrestuar, janë liruar të martën me procedurë të rregullt.

Gjatë marrjes në pyetje, Koca ka mohuar se i ka shkaktuar lëndime gjyqtarit, duke theksuar se vetëm i ka rënë shuplakë. Ai tha se fajtori kryesor mbetet arbitri Meler, të cilin e akuzoi për “vendime të njëanshme” dhe veprime provokuese gjatë ndeshjes me Rizesporin.

“Ky incident ka ndodhur si pasojë e vendimeve të gabuara të arbitrit dhe sjelljes së tij provokuese. Synimi im ishte të reagoja verbalisht ndaj tij dhe ta pështyja në fytyrë. Në afekt e kam goditur në fytyrë, por ajo goditje nuk ka shkaktuar frakturë. Pas grushtimit tim, arbitri ka qëndruar për 10 sekonda në këmbë dhe pastaj e ka hedhur veten në tokë. Duke pasur parasysh faktin se kam probleme me zemrën, stafi më ka larguar menjëherë nga skena”, ka thënë Koca.

Federata turke ka mbajtur takim urgjent dhe ka njoftuar për pezullimin e ndeshjeve. Kreu i Federatës, Mehmet Buyukeksi, ka thënë se dhuna duhet të ndëshkohet dhe ka fajësuar kulturën e sulmeve ndaj gjyqtarëve në Turqi.

“Ky sulm është i turpshëm për futbollin. Ne i themi mjaft kësaj dukurie, e cila ka ndodhur si pasojë e deklaratave të papërgjegjshme të presidentëve, menaxherëve, trajnerëve dhe analistëve televizivë. Këta gjithmonë atakojnë arbitrat dhe i kanë hapur rrugë këtij sulmi”, tha Buyukeksi.

Në mbrojtje të kolegut kanë dalë të gjithë gjyqtarët nga Turqia. Përfaqësuesit e arbitrave e kanë vizituar Melerin në spital.

“Federata jonë dhe Komiteti Qendror i Arbitrave i shtynë të gjitha ligat, duke deklaruar se do të na mbështesin në çdo vendim që do të marrim pas incidentit. Megjithatë, ne nuk jemi në gjendje të flasim apo të mendojmë për arbitrimin dhe futbollin për momentin. Prioriteti ynë i vetëm për momentin është shëndeti i mikut tonë Halil Umut Meler”, thuhet në reagimin e arbitrave.

Edhe Arbitri turk thyen heshtjen, flet për dhunën që e përjetoi Sport Arbitri turk thyen heshtjen, flet për dhunën që e përjetoi

Reagimi nuk ka munguar as nga presidenti i Turqisë, Recep Tayipp Erdogan, i cili ka biseduar personalisht me arbitrin Meler.

“Sport do të thotë paqe dhe vëllazëri. Sporti nuk pajtohet me dhunën. Nuk do të lejojmë kurrë që të ketë dhunë në sportet turke”, ka shkruar Erdogan në rrjetet sociale.

Klubi Ankaragucu dhe Koca janë të lidhur ngushtë me partinë në pushtet të Erdoganit – AKP.

Koca këtë vit tha se do të kandidonte si kandidat i kësaj partie në zgjedhjet komunale të planifikuara të mbahen më 31 mars të vitit të ardhshëm. Koca është mik i ngushtë i Erdoganit dhe njëri prej themeluesve të partisë AKP. Ai ka përfaqësuar këtë parti për dy mandate në Parlamentin e Turqisë.

Pas sulmit ka reaguar edhe partia e tij, e cila ka paralajmëruar përjashtimin e Kocës. Ai me efekt të menjëhershëm është futur në procedurë disiplinore.

Kjo nuk është hera e parë që Koca bën sulme të tilla. Në vitin e tij të parë si president i Aknaragucut, Koca kishte sulmuar trajnerin e klubit, Hikmet Karaman. Ai është president i Ankaragucut prej vitit 2021, ndërsa në tetor të vitit të shkuar u shpërblye me çmimin “presidenti/trajneri më i mirë” nga Federata e Futbollit e Turqisë.

Edhe Arbitri turk thotë se ishte kërcënuar me vdekje Sport Arbitri turk thotë se ishte kërcënuar me vdekje

Të martën mbrëma Koca ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Ankaragucut. Me anë të një deklarate i ka kërkuar falje arbitrit Meler, familjes së tij, Shoqatës së gjyqtarëve, Federatës turke, komunitetit sportiv dhe gjithë Turqisë.

“Pavarësisht se sa e madhe është një padrejtësi apo gabim, asgjë nuk mund të legjitimojë apo shpjegojë dhunën që kam kryer në një mënyrë që absolutisht nuk e kam dashur. Shpresoj që ky incident të jetë shkak që jeta jonë sportive dhe veçanërisht komuniteti ynë i futbollit të jetë i pastër nga gabimet, mangësitë dhe kultura e dhunës. Dua të dihet se jam thellësisht i pikëlluar nga fakti që klubi im, komuniteti i futbollit dhe vendi ynë mbahen mend për këtë lloj ngjarjeje”, ka thënë, ndër të tjera ,Koca.