Faruk Koca, ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të ekipit elitar të Turqisë, Ankaragucu. Ky veprim i tij ka ardhur pas sjelljeve dhe dhunës që ai e tregoi ndaj arbitrit Halil Umut Meler, të cilin e grushtoi pas ndeshjes me Rizesporin. Koca u arrestua për këtë veprim dhe pritet të dënohet, ndërsa Superliga e Turqisë është pezulluar për një kohë të pacaktuar. Të martën mbrëma, Koca nëpërmjet një deklarate ka njoftuar për vendimin e tij që të largohet nga Ankaragucu.
Ai në postin e presidentit të klubit ka qenë prej vitit 2021. Koca, i ka kërkuar falje arbitrit Meler, familjes së tij, shoqatës së gjyqtarëve, federatës turke, komunitetit sportiv dhe gjithë Turqisë. “Pavarësisht se sa e madhe është një padrejtësi apo gabim, asgjë nuk mund të legjitimojë apo shpjegojë dhunën që kam kryer në një mënyrë që absolutisht nuk e kam dashur. Shpresoj që ky incident të jetë shkak që jeta jonë sportive dhe veçanërisht komuniteti ynë i futbollit të jetë i pastër nga gabimet, mangësitë dhe kultura e dhunës. Dua të dihet se jam thellësisht i pikëlluar nga fakti që klubi im, komuniteti i futbollit dhe vendi ynë mbahen mend për këtë lloj ngjarjeje”, ka thënë ndër të tjera Koca.