Futboll

Jashari i U19 të Kosovës nënshkruan për Bochumin

jashari

Futbollisti premtues i grupmoshës U19 të Kosovës, Lirim Jashari, ka nënshkruar kontratë profesionale me skuadrën e Bochumit. 

Mesfushori me tipare sulmuese, 19-vjeçari Jashari, ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor të vitit 2028, ka njoftuar klubi gjerman. 

Jashari u transferua nga të rinjtë e Alemannia Aachen në verën e vitit të kaluar, ndërsa ka shënuar 19 gola në 25 ndeshje për ekipin U19 të Bochumit në këtë edicion. 

“Qëkur iu bashkua Bochumit, jam ndier si në shtëpi. Jam zhvilluar në aspektin personal por edhe si futbollist. Jam i kënaqur që do të bëj tjetër hap në karrierë te Bochumi. Do të jap çdo gjë për ta përmbushur ëndrrën time si futbollist profesionist”, ka thënë ndër të tjera Jashari. 

Për zhvillimin e Jasharit të lumtur janë shprehur edhe te klubi i Bochumit. 

“Lirimi është shembull se si ne duhet t’i zbulojmë lojtarët premtues dhe t’i bindim në rrugën tonë. Ai është zhvilluar shumë në vitin e fundit dhe e ka shfaqur potencialin që e ka”, ka deklaruar drejtori sportiv, Dirk Dufner. 

Skuadra e parë e Bochumit nuk e siguroi mbijetesën në Bundesligë. Në edicionin e ardhshëm do të bëj gara në Bundesliga 2.

Jashari me grupmoshën U19 të Kosovës ka zhvilluar gjashtë paraqitje.