Futboll

Asllani mund të largohet në verë nga Hoffenheimi

Fisnik Asllani

Nga ylli që shkëlqeu në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, në top-golashënues në Bundesligë. Fisnik Asllani nuk ka pasur telashe me adaptim. Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re. Disa top-klube evropiane e kanë në radar sulmuesin e talentuar të Kosovës

Në mesin e muajit korrik, Fisnik Asllani e vazhdoi kontratën me Hoffenheimin deri në vitin 2029 - por mbetet pikëpyetje çështja se a do të jetë ai deri në atë kohë, ka shkruar “Sky Sport” të hënën.

22-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane nga Gjermania, Spanja dhe Anglia, pas paraqitjeve të mëdha.

Mediumi “Sky Sport” ka njoftuar se Asllani ka klauzolë lirimi. Kjo do të thotë se ai mund të largohet nga Hoffenheimi në afatin kalimtar veror të vitit të ardhshëm. Dhe interesimi po rritet - nuk është çudi, pas këtyre statistikave!

Me 18 gola e nëntë asistime, Asllani ishte prej golashënuesve më të mirë në Bundesliga 2 në sezonin e kaluar. Si i huazuar, ai luajti rol të madh në sezonin e suksesshëm të Elversbergut, që u mbyll me ndeshjet dramatike të plejofit ndaj Heidenheimit, për promovim në Bundesligë.

Asllani nuk është i vetmi sulmues që ka bërë hap të madh. Dy vjet më parë, Nick Woltemade kishte dhjetë gola e tri asistime në kategorinë e tretë të futbollit gjerman. Ajo që pasoi tashmë është e ditur.

Asllani është kthyer te Hoffenheimi këtë verë dhe po vazhdon me plot sukses me gola e asistime. Në shtatë ndeshje ai tashmë ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar dy herë.

“A do ta ketë Hoffenheimi edhe një vit në skuadër për t’u kënaqur me top-golashënuesin”?, ka pyetur mediumi i njohur.