Dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin kosovar tashmë janë bërë të zakonshme. Zërat për kurdisje rriten sidomos në fund të edicioneve, në veçanti në drejtim të klubeve që nuk kanë pretendime.
Deri në fund të edicionit në Superligën e Kosovës në futboll ka mbetur vetëm edhe një xhiro. Por, si në edicionet e kaluara, në javët e fundit ka pasur dyshime e shumë komente për kurdisjet eventuale të ndeshjeve. Është përfolur shumë sidomos xhiroja e parafundit, e zhvilluar të shtunën.
Kryetari i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive, Besim Kelmendi, ka konfirmuar për KOHËN të dielën se ka ndeshje të dyshuara për kurdisje.
“Kemi pasur raste, por ju njoftojmë në ditët në vijim”, ka thënë Kelmendi në një përgjigje të shkurtër.
Për ndeshjet e zhvilluara të shtunën, disa prej golave janë cilësuar edhe thuajse qesharakë. Disa fitore, që dolën më pas, janë përfolur pa nisur ndeshjet.
Të shtunën fitore në udhëtim shënuan Llapi, Suhareka, Prishtina. Për të tri skuadrat fitoret ishin me peshë të jashtëzakonshme.
Largimit nga Superliga pas fitores 1:0 në udhëtim te Feronikeli 74, i shpëtoi Prishtina. Skuadra e kaltër shënoi gol në minutat shtesë të ndeshjes. Fitore minimale shënoi edhe Llapi në Suharekë ndaj kampionit të edicionit të kaluar, Ballkanit. Llapjanët shënuan herët gol dhe më pas ndeshja ishte e qetë.
Suhareka fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Malishevës, skuadër e cila lufton për dalje në Evropë.
Me fitoren 3:1 ndaj Ferizajt, rënies i shpëtoi edhe Dukagjini.
Me shumë gjasë, fitore në xhiron e fundit do të shënojnë sërish Llapi dhe Suhareka. Llapi pritet të fitojë ndaj Dukagjinit dhe kështu të mbetet në barazh. Suhareka pritet të fitojë ndaj Ballkanit, por me gjasë do të jetë fitore e vonshme.
Llapi është në vendin e tetë me 44 pikë. Suhareka është e parafundit me 42 pikë. Pozita në të cilën ndodhet Suhareka nuk siguron mbijetesën.
Edhe për vend të tretë është e hapur ende gara. Malishevës i duhen pikët për të ruajtur vendin e tretë që siguron kualifikimet e Ligës së Konferencës për edicionin e ardhshëm. Nëse Malisheva humb dhe Gjilani fiton ndaj Ferizajt, vendi i tretë do t’i takonte Gjilanit.
Edhe në të kaluarën ka pasur akuza për ndeshje të kurdisura. Por pak janë marrë vendime nga institucionet e thirrura për drejtësi.
Vjet Federata e Futbollit e Kosovës përjashtoi Ulpianën e Lipjanit dhe Vllazninë e Pozheranit me arsyetimin se ndeshja ndërmjet tyre ishte e kurdisur.