Vetëm në xhiron e fundit do të caktohet nëse Suhareka apo Llapi do të largohen nga Superliga e Kosovës në futboll për në Ligën e Parë.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit, përkatësisht të 36-të, zhvillohen të dielën nga ora 16:00. Suhareka është e parafundit, përkatësisht e nënta, me 42 pikë. Llapi është i teti me 44 pikë.
Dy skuadrat e fundit në tabelë largohen nga Superliga. I fundit është Feronikeli 74 me vetëm 15 pikë.
Situata aktuale në tabelë do të duhej të nënkuptonte garë të fortë e dramatike deri në minutën e fundit të ndeshjeve të xhiros së fundit. Por nuk priten befasi të dielën, bazuar në rrjedhën e ndeshjeve në xhiron e kaluar, e po ashtu se si zhvillohen xhirot e fundit tradicionalisht në futbollin kosovar.
Pritet fitore e Llapit ndaj Dukagjinit të Klinës dhe kështu fund i garës “interesante”. Dukagjini është i gjashti me 48 pikë dhe ka arritur objektivin për mbetje në Superligë. Ndërkohë Suhareka e luan derbin lokal ndaj tashmë ish-kampionit, Ballkani.
Ballkani në xhiron e fundit u mposht 1:0 në shtëpi nga Llapi dhe kështu thuajse Suhareka u “fundos”.
Ballkani përfundon nënkampion dhe rrjedhimisht motivi është te Suhareka. Por fitorja eventuale për këtë skuadër me shumë gjasë nuk do të mjaftojë.
Pozita e tetë në tabelë dërgon në plejaut. Dhe gjasat që Llapi të dalë më lart se vendi i tetë tashmë nuk ekzistojnë.
Në plejaut, skuadra e vendit të tetë të Superligës luan me fituesin e barazhit të Ligës së Parë. Barazhi i Ligës së Parë vë përballë Vushtrrinë e Lirinë. Ndeshja luhet të shtunën nga ora 16:00 në Klinë. Këto dy skuadra ishin të dytat në grupet e Ligës së Parë. Cila skuadër shënon fitore, luan më pas me të tetin e Superligës për një vend në elitë në edicionin e ardhshëm.
Nga Liga e Parë në Superligë janë promovuar Drenica dhe Prishtina e Re.
Ndeshja e së shtunës mes Vushtrrisë dhe Lirisë pritet të jetë dukshëm më interesante dhe më e fortë se ndeshjet e së dielës në Superligë.
Ferizaj – Gjilani, Prishtina – Malisheva, Drita – Feronikeli 74 janë ndeshjet e tjera të xhiros së fundit në Superligë. E hapur është edhe gara për vendin e tretë, që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Malisheva e mban vendin e tretë me 52 pikë. Gjilani i ka 50 e Ferizaj 49. Me fitore ndaj Prishtinës, Malisheva pritet ta përmbyllë edhe këtë garë. Prishtina të enjten e fitoi Kupën e Kosovës, ndërsa në xhiron e kaluar siguroi mbetjen në Superligë. Ka realizuar objektivin e madh – daljen në Evropë. Kjo nënkupton punë më të lehtë për malishevasit.