Futboll

Ashtu si pritej – Llapi në barazh, Suhareka në Ligën e Parë

Superliga e Kosovës

Ashtu si pritej, xhiroja e fundit e Superligës së Kosovës në futboll nuk bëri asnjë ndryshim dramatik. Ndonëse mundësia për ndryshim të pozitës së skuadrave në tabelë ishte e hapur, kjo nuk ndodhi. Ndryshimi i vetëm ndodhi në mesin e tabelës. Dukagjini ishte i gjashti dhe përfundoi i shtati me 48 pikë. Prishtina ishte e shtata dhe përfundoi e gjashta po ashtu me 48 pikë.

Dukagjini pritej të mposhtej nga Llapi në Podujevë. Pësoi 3:1. Llapi e nisi kampionatin me synim për të luftuar për titull të kampionit. Por përfundoi i teti me 47 pikë dhe mbijetesën në Superligë do ta kërkojë në ndeshjen e barazhit. Do të përballet me Vushtrrinë, që në barazhin e Ligës së Parë e mposhti Lirinë, të shtunën.

Shumë më herët është caktuar që nga Superliga do të largohet Feronikeli 74, që kampionatin e përfundoi me vetëm 15 pikë. Ndërkohë skuadra e dytë u përcaktua vetëm në xhiron e fundit. Por nuk kishte befasi. Feronikelit 74 në Ligën e Parë nga Superliga i bashkohet Suhareka. Ky klub i ri qëndroi vetëm një vit në Superligë dhe kthehet në Ligën e Parë. Suhareka e përfundoi kampionatin me 43 pikë dhe mbeti e parafundit. Për të dalë në vendin e tetë, Suharekës i duhej fitorja në xhiron e fundit dhe humbja e Llapit nga Dukagjini. Nuk ndodhi asnjëra. Suhareka luajti vetëm 2:2 me Ballkanin, kampionin e edicionit të kaluar dhe rivalin lokal.

Ballkani në xhiron e parafundit humbi në shtëpi nga Llapi dhe ai rezultat thuajse “fundosi” Suharekën.

E hapur për xhiron e fundit ishte edhe gara për pozitën e tretë, që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Prapë, pa befasi.

E treta përfundoi Malisheva që do të paraqitet për herë të dytë në gara evropiane. Malisheva mblodhi 53 pikë, ndërsa barazoi 2:2 me Prishtinën në “Fadil Vokrri” të dielën. Në rast të humbjes së Malishevës dhe fitores së Gjilanit, ky i fundit do të renditej i treti. Por Gjilani luajti 2:2 në udhëtim ndaj Ferizajt. Gjilani përfundoi i katërti me 51 pikë, ndërsa Ferizaj i pesti me 50 pikë.

Drita fitoi titullin e kampionit me 74 pikë dhe do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ballkani është nënkampion dhe do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Prishtina si fituese e Kupës do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Evropës.

Të dielën pas fitores 4:1 ndaj Feronikelit 74, Dritës iu dorëzua trofeu i kampionit.

Suksesin e Dritës nuk e konteston askush. Por në përgjithësi ishte një kampionat që nuk dallon nga kampionatet e kaluara sa i takon fazës përfundimtare të garës. Kishte rezultate të pritura e shumë dyshime e komente për kurdisje.