Gara për titull të kampionit të Kosovës në futboll është bërë shumë interesante. Në gjysmë të kampionatit, përkatësisht pas xhiros së 20-të, dallimi në pikë në mes të parit dhe të katërtit në tabelë është vetëm tri pikë.
Ballkani është lider me 36 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vendin e dytë. Drita është e treta me 35 pikë, kurse Malisheva e katërta me 33.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRrjedhimisht secila xhiro e secila ndeshje pritet të ketë ndikim të madh. Këtu nuk bën përjashtim xhiroja e 21-të, që zhvillohet prej të shtunës e deri të hënën.
Në ndeshjen hapëse të xhiros, të shtunën nga ora 13:00, Malisheva e pret Dukagjinin. Malishevasit shpresojnë të vazhdojnë ecurinë e mirë. Me fitore eventuale, Malisheva barazohet me pikë me Ballkanin e Prishtinën.
Por nuk do të ketë punë të lehtë ndaj Dukagjinit, që është i pesti në tabelë me 30 pikë. Dukagjini tashmë është skuadër stabile e Superligës, që synon pikë ndaj secilës skuadër.
Të dielën prej orës 13:00 në program janë të tjera ndeshje interesante. Ballkanin, Prishtinën e Dritën i presin udhëtime të vështira.
Lideri Ballkani luan në udhëtim ndaj Ferizajt. Pikët janë të vlefshme për suharekasit, por edhe më shumë për ferizajasit. Ferizaj është në pozitë të pavolitshme. Me 19 pikë është i parafundit. Kjo pozitë në fund dërgon në kategorinë e dytë. Për klubin që ka investuar dhe vazhdon të investojë shumë, largimi nga Superliga do të ishte goditje e pamenduar.
Prishtina luan në udhëtim ndaj Gjilanit, që synon të paktën daljen në Evropë, por aktualisht është larg zonës që dërgon atje. Gjilani është i gjashti me 27 pikë. Ka bërë shkëputje prej pesë pikëve ndaj Llapit të vendit të shtatë. Ndërkohë Llapi e ka vetëm një pikë më shumë se Drenica e vendit të tetë. Vendi i tetë në fund dërgon në barazh.
Pozita aktuale dhe fondi i pikëve dëshmojnë se sa e rëndësishme është për Llapin ndeshja në shtëpi ndaj Dritës së Gjilanit, kampiones në fuqi. Llapjanët të dielën në “Zahir Pajaziti” do të mundohen ta shfrytëzojnë edhe lodhjen e skuadrës gjilanase, që të enjten mbrëma luajti me Celjen sllovene në plejofin e Ligës së Konferencës.
Xhiroja mbyllet të hënën me derbin e fundit të tabelës, Drenicës e Prishtinës së Re. Kjo ndeshje luhet në Malishevë. Prishtina e Re i ka 18 pikë në vendin e fundit. Por është kthyer në garë për ekzistencë.
Me fitore eventuale do ta kalonte Drenicën në tabelë.