Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Llapi – Drenica, derbi i pjesës së poshtme të tabelës

superliga

Pas ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, të shtunën vazhdon gara në Superligë. Në program është xhiroja e 28-të, që hapet me ndeshjen Prishtina e Re – Malisheva.

Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 15:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prishtina e Re po rrëshqet drejt Ligës së Parë, por vazhdon të mos dorëzohet. Është e fundit me 24 pikë, pesë më pak se skuadra në vendin e parafundit. Me fitore, Prishtina e Re mund të kthehet në garë për ekzistencë. Ndërkohë me humbje do të mbetej shumë larg.

Malisheva ka synime të tjera – daljen në Evropë. Është në vendin e pestë me 40 pikë. Dhe me fitore mund të përparojë për disa pozita.

Të dielën janë tri ndeshje të rëndësishme në garën për titull dhe atë për mbetje në Superligë.

Derisa Drita e Ballkani presin të fitojnë pikët e reja në garën për titull, vëmendja do të jetë te “sfida e mbijetesës” mes Llapit dhe Drenicës. Dy skuadrat tradicionale përballen në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë nga ora 15:00.

Ndeshja vlerësohet vendimtare si për Llapin ashtu edhe Drenicën. Llapi është aktualisht i teti me 32 pikë. Kjo pozitë në fund dërgon në plejaut. Ndërkohë Drenica është e parafundit, përkatësisht e nënta me 29 pikë. Dhe kjo pozitë në fund të kampionatit dërgon në Ligën e Parë. 

Llapjanët do të mundohen të reagojnë pas disfatës nga Ferizaj që e pësuan në mesjavë, në gjysmëfinalen e parë të Kupës. Drenica kishte më shumë kohë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen e rëndësishme.

Reagimin e kërkon edhe Ballkani, që u shokua në Suharekë nga Dukagjini i Klinës, në gjysmëfinale të Kupës. Dukagjini fitoi 3:0 dhe bëri hap gjigant drejt finales.

Ballkani sërish luan në shtëpi, por sërish e pret ndeshje e vështirë, ajo me Gjilanin. Ballkani është i dyti me 48 pikë, tri më pak se Drita. Gjilani është i katërti me 42 pikë. 

Kampionia dhe liderja e klasifikimit, Drita, e pret Ferizajn e vendit të shtatë. Pikët do të ishin me “vlerë ari” për Ferizajn, që në vendin e shtatë ka 32 pikë, sa edhe Llapi.

Xhiroja e 28-të mbyllet të hënën me takimin Prishtina – Dukagjini. Të dy skuadrat janë larg pozitave që pretendojnë në Superligë. Prishtina është e treta me 42 pikë, ndërsa Dukagjini i gjashti me 34 pikë, në prag të zonës së rrezikshme.