Futboll

Gani Sejdiu merr drejtimin e Trepçës ‘89

Gani Sejdiu

Gani Sejdiu është emëruar trajner i ri i Trepçës ’89. Sejdiu, që është prej trajnerëve më të suksesshëm në Kosovë, u prezantua të enjten te klubi mitrovicas që garon në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.

Nën drejtimin e Sejdiut, 89-shi synon kthimin në Superligë.

“Me një përvojë të pasur në futbollin kosovar dhe një vizion të qartë për zhvillimin dhe suksesin e skuadrës, Gani Sejdiu rikthehet në pankinën tonë për të udhëhequr një projekt të ri dhe ambicioz. Besimi ynë në profesionalizmin, përkushtimin dhe aftësitë e tij është i plotë dhe jemi të bindur se me të në krye, Trepça’89 do të ecë drejt objektivave madhore”, shkruan në njoftimin e 89-shit.

Sejdiu edhe më herët ka drejtuar ekipin e Trepçës ’89. Në Kosovë me shumë sukses ka drejtuar edhe disa klube tjera. Me Trepçën ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën në vitin 2010. Në vitin 2015 fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës edhe me Feronikelin. Kupën e ka fituar edhe me Besën e Pejës në vitin 2016.