Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kampionia e kthen Nuhiun në postin e trajnerit

Drita

Drita e Gjilanit ka vendosur për trajnerin e ri. Pas shkarkimit të Zekirija Ramadanit, Drita ka emëruar të hënën Ardian Nuhiun në postin e shefit të shtabit teknik.

47-vjeçari nga Shkupi në fakt vetëm kthehet te Drita. Ai e drejtoi skuadrën gjilanase nga shkurti i vitit 2019 e deri në vitin 2022. Më herët ishte edhe asistent në shtabin tekni. Nuhiu e fitoi titullin e kampionit që në muajt e parë si kryetrajner. Nuhiu më pas e drejtoi Shkëndijën e Tetovës, ndërsa u kthye në Kosovë në vitin 2024. Këtë herë e mori drejtimin e Gjilanit. Së fundi ishte trajner i Tiranës. Para periudhës së parë te Drita, ishte trajner i Shkupit.

Ai është shprehur i lumtur për kthimin në krye të Dritës. Ka thënë se negociata nuk kishte.

“Takimi i parë ishte sot në mëngjes. Rikthimi te një skuadër si Drita do të thotë që rikthehem në shtëpinë time. Kam kaluar vitet më të mira të karrierës sime këtu, plot katër vjet e gjysmë”, ka thënë

Nuhiu në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën pasdite.

“Ambiciet i kemi të njëjta. Unë jam i uritur për sukses. Njoh skuadrën shumë mirë dhe do të mundohem ta përcjelli te lojtarët urinë për të arritur suksese. Jam i vetëdijshëm për nivelin që ka arritur skuadra. Por nuk do të ndalojmë këtu. Në futboll sukseset gjithnjë mund të jenë edhe më të mëdha”, ka shtuar Nuhiu. 

Edhe Ramadani nuk është më trajner i Dritës Futboll Ramadani nuk është më trajner i Dritës

Ndeshja e parë e Nuhiut pas rikthimit do të jetë të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”. Nga ora 20:00, Drita e pret skuadrën nga San Marino, Tre Fiori. Është ndeshja e kthimit e raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në fakt është më shumë formalitet, pas fitores 4:1 të Dritës në San Marino. Nga stoli Dritën në atë ndeshje e udhëhoqi Visar Sermaxhaj.

Ramadani u shkarkua pasi Drita e eliminoi Florianan në Maltës në raundin e dytë kualifikues të “Conference League”. Por Drita u kualifikua me shumë mund, vetëm pas vazhdimeve. Gjatë ndeshjeve përgatitore dhe gjatë paraqitjeve të para në Evropë, gjilanasit kishin formë të zbehtë. Dhe kjo bëri që klubi të vendosë të ndajë rrugët me Ramadanin. Ai e udhëhoqi skuadrën drejt dy titujve të kampionit dhe drejt kampanjës historike në Ligën e Konferencës.

VIDEO: