Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Fuqia sulmuese e PSG-së përballë mbrojtjes së hekurt nga Londra

Finalja

Njëri ekip shënon 2.75 gola për ndeshje, tjetri pranon 0.43 gola për ndeshje. Në finalen e Ligës së Kampionëve më 30 maj në Budapest të Hungarisë, ekipi me sulmin më të mirë do të përballet me mbrojtjen më të mirë.

Fituesi në fuqi i Championsit, Paris Saint-Germaini, i ka shënuar 44 gola në 16 ndeshje. Kjo do të thotë se rekordi prej 45 golave i Ligës së Kampionëve brenda një sezoni, mund të bjerë. Rekordi mbahet nga Bacelona që prej edicionit 1999/2000. Klubi nga Katalonja i luajti 16 ndeshje në atë vit, ndërsa Rivaldo i shënoi 10 gola. Megjithatë, Barcelona mungoi në finale. Në finale luajti Real Madridi ndaj Valencias.

Arsenali, që u kualifikua direkt në 1/8 e finales dhe i luajti dy ndeshje më pak se PSG-ja, i ka pranuar gjashtë gola në 14 ndeshje. Ekipi i vetëm i pamposhtur në garë, me tetë fitore në fazën e ligës, i ka pranuar vetëm dy gola në gjashtë ndeshjet e fazës nokaut, por i ka shënuar vetëm gjashtë po ashtu.


Arsenali në finale për herë të parë në 20 vjet

Eksperienca në Ligën e Kampionëve shkon në favor të PSG-së në Budapest. Për ekipin francez, do të jetë finalja e tretë në gjashtë vjet. Pasi u mposht në finale nga Bayern Munichu 1:0 në vitin 2020, parisienët e fituan “Kupën Evropiane” për herë të parë vitin e kaluar, pas fitores së thellë 5:0 ndaj Interit.

Ky trofe mungon në vitrinën e Arsenalit. Paraqitja e vetme e “topçinjve” në finale ishte para 20 vjetësh. Në atë kohë, Arsenali me lojtarë si Robert Pires, Cesc Fabregas, Fredrik Ljunberg dhe Thierry Henry, humbi 2:1 nga Barcelona. Arsenali herët kishte mbetur pa portierin Jens Lehmann që ishte përjashtuar me të kuq.


PSG-ja e eliminoi në gjysmëfinale Arsenalin vitin e kaluar

Edhe Kë e favorizojnë statistikat, PSG-në apo Arsenalin? Futboll 1 muaj më parë Kë e favorizojnë statistikat, PSG-në apo Arsenalin?

Vitin e kaluar u zhvilluan tri ndeshje mes PSG-së dhe Arsenalit. Skuadra angleze fitoi në fazën e ligës 2:0, por i humbi të dyja ndeshjet e gjysmëfinales, 1:0 dhe 2:1. Katër ndeshjet e tjera u zhvilluan para 10, respektivisht 32 vjetëve.

Dhe përfundimisht, Budapesti do t’i shohë nën udhëheqje të skuadrave dy trajnerë spanjollë. Luis Enrique është në krye të PSG-së prej korrikut të vitit 2023, ndërsa Mikel Arteta e nisi udhëheqjen e Arsenalit në dhjetor të vitit 2019.

Luis Enrique e ka fituar tashmë dy herë trofeun e Ligës së Kampionëve si trajner. Ai madje e arriti “tripletën” me Barcelonën në edicionin 2014/15 dhe me PSG-në në edicionin 2024/25. Të njëjtën gjë nuk mund ta përsërisë në këtë sezon. Përderisa PSG-ja është afër që ta fitojë Ligue 1 të Francës për herën e pestë rresht, kjo skuadër u eliminua në 1/16 e finales së Kupës së Francës.