Paris Saint-Germaini dhe Arsenali do të luajnë në finale të Ligës së Kampionëve në Budapest të Hungarisë të shtunën nga ora 18:00.
Vetëm nëntë ekipe e kanë kompletuar një edicion të Championsit pa pësuar disfatë. Arsenali tani është vetëm një ndeshje larg kësaj arritjeje, kur përballet me PSG-në, kampionin në fuqi të Evropës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë edicionin e kaluar, kur e fitoi Championsin, PSG-ja në gjysmëfinale e kishte mposhtur Arsenalin në të dyja ndeshjet me rezultatin e përgjithshëm, 3:1.
Në finale kishte fituar 5:0 ndaj Interit, për trofeun e parë evropian në histori të klubit.
PSG-ja mund të mburret me sulmin më të mirë në këtë edicion, me 44 gola gjithsej, ndërsa Arsenali me mbrojtjen më të fortë. Arsenali nuk ka pranuar gol në nëntë ndeshje, ndërsa i pranoi vetëm katër në fazën e ligës.
PSG e Arsenal me bilanc të njëjtë
Paris Saint-Germaini dhe Arsenali janë takuar disa herë në të kaluarën. Një tjetër ndeshje, finale, do të luajnë të shtunën në “Pushkash Arena” në Budapest.
PSG-ja dhe Arsenali janë takuar shtatë herë në garat e organizuara nga UEFA. Nga dy fitore i ka secila skuadër, ndërsa tri ndeshje janë mbyllur baras.
Përballjet e fundit ishin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në edicionin e kaluar. Ousmane Dembele e shënoi golin në fitoren 1:0 në udhëtim për PSG-në, ndërsa Fabian Ruiz e Achraf Hakimi shënuan në Paris, në fitoren 2:1. Golin për Arsenalin e realizoi Bukayo Saka.
Ndeshja tjetër e fazës nokaut mes tyre ishte ajo e gjysmëfinales së edicionit 1993/94, në Kupën e Fituesve të Kupave.
Arsenali avancoi tutje. Ndeshja e parë në Paris ishte mbyllur 1:1, ndërsa Arsenali e fitoi 1:0 ndeshjen në Londër.
E veçanta e finales është se të dyja ekipet i kanë trajnerët spanjollë.
Luis Enrique e udhëheq PSG-në, ndërsa Mikel Arteta është trajner i Arsenalit.
Kvaratskhelia: Mund të fitojmë sërish
Khvicha Kvaratskhelia ka insistuar se Paris Saint-Germaini ka shumë për të treguar e për t’u bërë skuadra e parë që e mbron titullin e Evropës, që nga Real Madridi i vitit 2018.
Sulmuesi gjeorgjian ka qenë prej më të mirëve qëkur iu bashkua skuadrës parisiene nga Napoli.
Ai i ka realizuar dhjetë gola në Champions në këtë edicion. Shtatë prej tyre i ka shënuar në shtatë ndeshjet e fundit në fazën nokaut.
“E dimë se jemi kampionë në fuqi. Fillimi nuk ishte si kemi dashur. Pas shumë ndeshjeve, nuk pushuam shumë, por ne më pas iu treguam të gjithëve se e kemi merituar trofeun edhe në edicionin e kaluar. Kemi luajtur në harmoni, kemi vazhduar me fitore dhe shkuam në finale. Natyrisht, do të jetë vështirë por duhet ta tregojmë edhe një herë tjetër se mund ta mposhtim çdo ekip nëse e luajmë lojën tonë dhe e japim më të mirën në fushë”, ka deklaruar 25-vjeçari Kvaratskhelia për UEFA-n.
Rice: Jam lojtar i ndeshjeve të mëdha
Mesfushori Declan Rice ishte kapiten i West Ham Unitedit kur skuadra triumfoi në Ligën e Konferencës në edicionin 2022/23.
Rice do të jetë sërish kapiten, tani i Arsenalit, por në ndeshjen më të madhe për klube në Evropë, në finalen e Ligës së Kampionëve.
27-vjeçari Rice ka thënë se Arsenali mund ta fitojë trofeun prestigjioz për herën e parë në histori.
Triumfi do të ishte sukses madhor, pas titullit në Premier League pas 22 vjetësh pritjeje.
Rice ka thënë se është lojtar i ndeshjeve të mëdha.
“Si fëmijë rritesh duke shikuar Ligën e Kampionëve. Të shkosh në finale është arritje shumë e madhe. Por ta fitosh, nuk i di fjalët ende për të qenë i sinqertë, sepse ende nuk ka ndodhur. Nuk dua të flas para kohe, por do të ishte mrekulli”, ka deklaruar Rice për faqen zyrtare të UEFA-s. Ai ka thënë se PSG-ja është skuadër shumë e fortë.