Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar se të përzgjedhurit e tij nuk kanë shfaqur “fytyrën” e vërtetë në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Zvicrës.
Në fakt ndeshja e së premtes mbrëma në Basel përfundoi që në pjesën e parë. Zvicra krijoi epërsi 4:0 dhe rezultati nuk ndryshoi më.
“Në pjesën e parë s’kemi luajtur mirë, kjo është e saktë. Kemi bërë shumë gabime. Golat i kemi pranuar shumë lehtë. Por, në pjesën e dytë kemi luajtur më mirë. Kemi bërë tri ndryshime në pauzë mes pjesëlojëve dhe ishim më stabil. Duhet të them se Zvicra në pjesë e parë luajti shumë, shumë mirë. Ne nuk kishim topa të dytë. Luajtëm shumë ngadalë. Kështu ishte në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishte shumë më mirë”, ka theksuar Foda në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Ai ka theksuar se ekipi do të rikuperohet në kohë për ndeshjen me Suedinë.
“Ju kam thënë lojtarëve se në pjesën e parë nuk e kanë treguar fytyrën e vërtetë. Kemi humbur shumë lehtë topin. Kundërshtarëve u kemi lejuar të shënojnë gola shumë lehtësisht. Në pjesën e dytë ishte shumë shumë më mirë. Në mbrojtje ishim shumë më stabil. Duhet të harrojmë këtë ndeshje. Do të rigjenerohemi. Duhet të përgatitemi për Suedinë. Duhet të bëjmë shumë gjëra më mirë. Por, këtë e kemi treguar. Kemi qenë nëntë ndeshje pa humbje. Edhe kundër Islandës e kemi treguar se mund të luajmë mirë”, ka shtuar trajneri gjerman.
Ai ka thënë se do të punojnë që në “Fadil Vokrri”, përfaqësuesja të tregojë “fytyrën tjetër”.
“Ndaj Suedisë duhet të luajmë shumë më agresivë, shumë më mirë”, ka theksuar përzgjedhësi Foda.