Futboll

Foda deklarohet pas arritjes së plejofit

Franco Foda

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka lavdëruar futbollistët e tij për ndeshjen historike ndaj Sllovenisë, që Kosovës ia siguroi pjesëmarrjen në plejofin për Botërorin 2026. Foda e ka vlerësuar lartë paraqitjen e krejt ekipit. Megjithatë ka thënë se nuk ka qenë paraqitja më e mirë ndonjëherë e Kosovës. 

“Mendoj se i qëndruam shumë mirë planit paraprak që e kishim. E kishim të qartë se ata do të vijnë lartë për presing. Ne duhej të ishim të përgatitur për këtë. Mendoj që ka qenë plan i mirë, ka funksionuar mirë dhe lojtarët e kanë zbatuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj ka rrjedhur kështu ndeshja”, ka thënë ai. “Jo, nuk mund të them që ishte ndeshja më e mirë, por ka qenë ndeshje e mirë. Deri tani nën udhëheqjen time kemi luajtur edhe disa ndeshje tjera shumë të mira. Mbaj mend që kemi luajtur shumë mirë si mysafir kundër Rumanisë. Pastaj kemi pasur paraqitje shumë të mira me Suedinë. Është ndeshje e mirë por nuk mund të them që ka qenë njëra prej ndeshjeve më të mira qëkur unë e udhëheqë skuadrën”.

Foda ka thënë se fitorja ka qenë e merituar, teksa kur ka folur për ndeshjen e së martës me Zvicrës ka thënë se pret tjetër paraqitje të mirë dhe pse jo edhe fitore.

“Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur. Jam i gëzuar për futbollistët, për skuadrën. Djemtë kanë luajtur në mënyrë fantastike. I janë përmbajtur planit të lojës për të cilin jemi marrë vesh paraprakisht. Kanë luftuar shumë. Kanë bërë presing ashtu siç jemi marrë vesh për 90 minuta. Kanë vrapuar për 90 minuta. Kanë pasur tranzicione të shpejta dhe është fitore e merituar prandaj jam shumë i lumtur për ta dhe për fitoren që e kemi arritur. Tashmë duhet të mendojmë për rigjenerimin. Të martën kemi ndeshjen kundër Zvicrës. Shpresojmë në një paraqitje tjetër të mirë dhe pse jo të synojmë fitoren edhe në atë përballje”, ka thënë ai.

Foda ka refuzuar të flasë për çështjen e plejofit. Ka thënë se Kosova do të nisë përgatitjet kur të vijë koha për ndeshjet e marsit.

“Nuk mund të flas aktualisht për ndeshjet e plejofit. Ideja dhe mendimet e mia aktualisht janë të fokusuar për ndeshjen e së martës kundër Zvicrës. Aty është i gjithë fokusi jonë, dhe pas asaj ndeshjeje, do të fillojmë të mendojmë për ndeshjet e marsit. Do të shohim se kush do të jenë kundërshtarët. Do të fillojmë të bëjmë planifikimet tona. Normalisht qëllimi është që në ato ndeshje të arrijmë fitore por akoma është shumë herët për të filluar të mendojmë për to”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar lartë tifozët e Kosovës. 

“Nuk mund të them se ishte atmosferë si në Prishtinë, apo më e mirë. Mund të them që ishte një atmosferë fantastike dhe u jam shumë falënderues gjithë shikuesve të shumtë që vijnë për ta përkrahur skuadrën tonë. Unë, në krye të stafit të trajnerëve, futbollistët, por edhe gjithë në Federatën e Futbollit të Kosovës, dhe të gjithë njerëzit e tjerë, janë shumë falënderues dhe krenar me numrin e madh të shikuesve që i kemi pasur kudo që kemi luajtur, në Zvicër, në Suedi, por edhe sonte këtu. Kjo tregon krenarinë që e ka i tërë populli i Kosovës me ekipin e vet kombëtar”, ka thënë Foda.

Kosova këtë sukses e arriti pas fitores së madhe ndaj Sllovenisë në Lubjanë, 2:0.

Lexo përditësimet tjera
Kosove-Slloveni

HISTORIKE, Kosova siguron plejofin e Botërorit 2026

Kosova ka shënuar fitore të madhe në Lubjanë ndaj Sllovenisë. E ka regjistruar edhe suksesin më...