Kosova ka shënuar fitore të madhe në Lubjanë ndaj Sllovenisë. E ka regjistruar edhe suksesin më të madh në futboll – kualifikimin në plejofin e Kampionatit Botëror 2026. Sukses edhe më të madh, Kosova synon në muajin mars kur do të zhvillohen ndeshjet e plejofit.
Kosova të shtunën mbrëma në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë, fitoi me rezultatin 2:0. Fisnik Asllani shënoi supergol në minutën e gjashtë. Ai shmangu bukur një kundërshtar në zonë, e më pas gjuajti në mënyrë të përkryer duke e mposhtur njërin prej portierëve më të mirë në botë, Jan Oblak.
“Edhe po të ëndërroja nuk do ta mendoja kështu. Kështu që jam shumë, shumë i lumtur. Besoj që më mirë nuk ka mundur të shkonte për ne. Është ndjenjë e jashtëzakonshme. Besoj që ky gol na ka ndihmuar të hyjmë sa më mirë në lojë. Kështu që ndihem shumë, shumë krenar për golin sot. Atmosfera ka qenë shumë e mirë. Besoj që të gjithë lojtarët, të gjithë shqiptarët që kanë qenë sot në stadium, janë ndier shumë krenarë dhe na ka ndihmuar atmosfera të bëjmë lojë të mirë sot”, deklaroi Asllani për faqen zyrtare të FFK-së pas ndeshjes.
Oblak u mposht edhe një herë tjetër nga Zhan Karniçik, qendërmbrojtësi i cili shënoi autogol pas një aksioni të cilin e nisi Florent Muslija. Sllovenët nga minuta e 53-të luajtën me një futbollist më pak në fushë, pas kartonit të kuq të Petar Stojanoviqit. Stojanoviqi mori dy kartonë të verdhë brenda pak minutash, dhe që të dyja pas një dueli me Dion Gallapenin, mbrojtësin e majtë të Kosovës.
“Mendoj se i qëndruam shumë mirë planit paraprak që e kishim. E kishim të qartë se ata do të vijnë lart për presing. Ne duhej të ishim të përgatitur për këtë. Mendoj që ka qenë plan i mirë, ka funksionuar mirë dhe lojtarët e kanë zbatuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj ka rrjedhur kështu ndeshja”, ka deklaruar në konferencën për shtyp pas ndeshjes përzgjedhësi gjerman i Kosovës, Franco Foda.
Në stadiumin “Stozhice” pati numër të madh të shikuesve që ishin mbledhur në përkrahje të Kosovës. Foda i ka falënderuar të gjithë të pranishmit, duke thënë se ata u dhanë lojtarëve motiv shtesë për paraqitje shumë të mirë.
“Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur. Jam i gëzuar për futbollistët, për skuadrën. Djemtë kanë luajtur në mënyrë fantastike. I janë përmbajtur planit të lojës për të cilin jemi marrë vesh paraprakisht. Kanë luftuar shumë. Kanë bërë presing ashtu siç jemi marrë vesh për 90 minuta. Kanë vrapuar për 90 minuta. Kanë pasur tranzicione të shpejta dhe është fitore e merituar prandaj jam shumë i lumtur për ta dhe për fitoren që e kemi arritur. Tashmë duhet të mendojmë për rigjenerimin. Të martën kemi ndeshjen kundër Zvicrës. Shpresojmë në një paraqitje tjetër të mirë dhe pse jo të synojmë fitoren edhe në atë përballje”, theksoi tekniku 59-vjeçar.
Kosova kundërshtarin e plejofit do ta mësojë të enjten e ardhshme, më 20 nëntor, nga ora 13:00 në Zurich të Zvicrës.
“Dardanët” duhet t’i kalojnë edhe dy kundërshtarë. Por, para atyre dy ndeshjeve, Kosova do të luajë para tifozëve të vet në Prishtinë, përkatësisht në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Zvicrës. Ndeshja pritet të jetë më shumë festive. Vendi i parë në Grupin B është thuajse i paarritshëm. Zvicra po ashtu fitoi të shtunën thellë 4:1 ndaj Suedisë. Granit Xhaka e shënoi golin për 2:1 nga penalltia, ndërsa Besfort Zeneli debutoi te Suedia.
Zvicra e para ka 13 pikë, tri më shumë se Kosova. Por, goldallimi 13:1 i Zvicrës është dukshëm më i mirë se ai i Kosovës, 5:4.
Përzgjedhësi Foda nuk ka dashur të flasë për kundërshtarët e plejofit. Ai ka preferuar të shkojë ndeshje pas ndeshje që nga fillimi. Në konferencë foli vetëm për ndeshjen ndaj Zvicrës.
“Nuk mund të flas aktualisht për ndeshjet e plejofit. Ideja dhe mendimet e mia aktualisht janë të fokusuar për ndeshjen e së martës kundër Zvicrës. Aty është i gjithë fokusi ynë, dhe pas asaj ndeshjeje, do të fillojmë të mendojmë për ndeshjet e marsit. Do të shohim se kush do të jenë kundërshtarët. Do të fillojmë të bëjmë planifikimet tona. Normalisht qëllimi është që në ato ndeshje të arrijmë fitore por akoma është shumë herët për të filluar të mendojmë për to”, tha Foda.
Ky është cikli më i suksesshëm kualifikues i Kosovës. Pas humbjes nga Zvicra në ndeshjen e parë në Basel, Kosova regjistroi dy fitore ndaj Suedisë dhe një barazim e një fitore ndaj Sllovenisë.
Vendi i dytë është mundësi e mirë për avancim në Botëror. Nga plejofi kualifikohen katër përfaqësuese. Fituesit e dy gjysmëfinale në të gjitha katër “rrugët” e plejofit, do të takohen në finale për kualifikim në Botërorin 2026.
Ndeshjet gjysmëfinale të plejofit zhvillohen më 26 mars të vitit të ardhshëm.
Flet heroi i ndeshjes
Fisnik Asllani, ylli i Kosovës që realizoi supergol ndaj Sllovenisë në fitoren 2:0, ka thënë se një fitore të tillë s’ka mundur as ta ëndërronte.
Në një deklaratë pas ndeshjes, Asllani e ka quajtur të jashtëzakonshme ndjenjën e arritjes së plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.
“Edhe po të ëndërroja nuk do ta mendoja kështu. Kështu që jam shumë, shumë i lumtur. Besoj që më mirë nuk ka mundur të shkonte për ne. Është ndjenjë e jashtëzakonshme. Besoj që ky gol na ka ndihmuar të hyjmë sa më mirë në lojë. Kështu që ndihem shumë, shumë krenar për golin sot. Atmosfera ka qenë shumë e mirë. Besoj që të gjithë lojtarët, të gjithë shqiptarët që kanë qenë sot në stadium, janë ndier shumë krenar dhe na ka ndihmuar atmosfera të bëjmë lojë të mirë sot”, deklaroi Asllani për faqen zyrtare të FFK-së pas ndeshjes.
Asllani shënoi golin e parë të ndeshjes. Ai realizoi supergol në minutën e gjashtë. Goli i dytë u realizua nga vetë sllovenët.
Shporar: Ishim shumë të dobët, Kosova ishte më e mirë
Sulmuesi slloven Andraz Shporar e ka komentuar disfatën që e pësoi Sllovenia nga Kosova të shtunën në Lubjanë. Kosova fitoi 2:0 dhe e siguroi plejofin.
Shporar theksoi pas ndeshjes se paraqitja ishte shumë e dobët ndaj Kosovës.
“Ne thjesht ishim shumë të dobët, kundërshtari ishte më i mirë në të gjitha aspektet. Me dhjetë lojtarë në fushë, ishte edhe më e vështirë, dhe nuk krijuam asnjë shans të madh më parë. Ata ishin më të mirë dhe nuk di çfarë tjetër të shtoj. Kosova po fitonte duelet”, ka deklaruar ai.
Kek: Kosova e meritoi fitoren
Selektori i Sllovenisë, Matjazh Kek, e ka uruar Kosovën për fitoren në Lubjanë.
Kosova e mposhti 2:0 Slloveninë dhe e siguroi për herë të parë plejofin.
Kosova pas fitores ndaj Sllovenisë ka dhjetë pikë në pozitën e dytë në Grupin B.
Zvicra i prin tabelës me tri pikë më shumë.
Ndeshja e fundit mes Kosovës dhe Zvicrës luhet në Prishtinë të martën.
“Para së gjithash, duhet ta përgëzojmë kundërshtarin tonë, Kosova e meritoi plotësisht fitoren. Patëm disa gabime, një karton të kuq dhe një autogol, por ata ishin më të shpejtë në pjesën e parë, po merrnin topa të dytë dhe ne nuk ishim në gjendje të hynim në lojë”, ka thënë Kek pas ndeshjes.
Mediumi slloven: Në Lubjanë ishim mysafirë
Asaj që i janë frikësuar mediumet sllovene edhe ndodhi të shtunën mbrëma në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë.
Shumica e shikuesve në stadium ishin shqiptarë.
Thirrjet “Kosova, Kosova” janë dëgjuar vazhdimisht, njëjtë si ato “UÇK, UÇK”.
“Jemi frikësuar se Sllovenia do të luajë ndeshje në ‘udhëtim’ ndaj Kosovës në ‘Stozhice’. Dhe kështu ndodhi”, ka shkruar “ekipa.si”.
Ky medium ka shkruar se kur lojtarët e Kosovës dolën në fushë, kishte duartrokitje të shumta.
Ndërkohë ka pasur fishkëllima kur në fushë dolën lojtarët e Sllovenisë.
Foda deklarohet pas arritjes së plejofit
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka lavdëruar futbollistët e tij për ndeshjen historike ndaj Sllovenisë, që Kosovës ia siguroi pjesëmarrjen në plejofin për Botërorin 2026. Foda e ka vlerësuar lartë paraqitjen e krejt ekipit. Megjithatë ka thënë se nuk ka qenë paraqitja më e mirë ndonjëherë e Kosovës.
“Mendoj se i qëndruam shumë mirë planit paraprak që e kishim. E kishim të qartë se ata do të vijnë lartë për presing. Ne duhej të ishim të përgatitur për këtë. Mendoj që ka qenë plan i mirë, ka funksionuar mirë dhe lojtarët e kanë zbatuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj ka rrjedhur kështu ndeshja”, ka thënë ai. “Jo, nuk mund të them që ishte ndeshja më e mirë, por ka qenë ndeshje e mirë. Deri tani nën udhëheqjen time kemi luajtur edhe disa ndeshje tjera shumë të mira. Mbaj mend që kemi luajtur shumë mirë si mysafir kundër Rumanisë. Pastaj kemi pasur paraqitje shumë të mira me Suedinë. Është ndeshje e mirë por nuk mund të them që ka qenë njëra prej ndeshjeve më të mira qëkur unë e udhëheqë skuadrën”.
Foda ka thënë se fitorja ka qenë e merituar, teksa kur ka folur për ndeshjen e së martës me Zvicrës ka thënë se pret tjetër paraqitje të mirë dhe pse jo edhe fitore.
“Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur. Jam i gëzuar për futbollistët, për skuadrën. Djemtë kanë luajtur në mënyrë fantastike. I janë përmbajtur planit të lojës për të cilin jemi marrë vesh paraprakisht. Kanë luftuar shumë. Kanë bërë presing ashtu siç jemi marrë vesh për 90 minuta. Kanë vrapuar për 90 minuta. Kanë pasur tranzicione të shpejta dhe është fitore e merituar prandaj jam shumë i lumtur për ta dhe për fitoren që e kemi arritur. Tashmë duhet të mendojmë për rigjenerimin. Të martën kemi ndeshjen kundër Zvicrës. Shpresojmë në një paraqitje tjetër të mirë dhe pse jo të synojmë fitoren edhe në atë përballje”, ka thënë ai.
Foda ka refuzuar të flasë për çështjen e plejofit. Ka thënë se Kosova do të nisë përgatitjet kur të vijë koha për ndeshjet e marsit.
“Nuk mund të flas aktualisht për ndeshjet e plejofit. Ideja dhe mendimet e mia aktualisht janë të fokusuar për ndeshjen e së martës kundër Zvicrës. Aty është i gjithë fokusi jonë, dhe pas asaj ndeshjeje, do të fillojmë të mendojmë për ndeshjet e marsit. Do të shohim se kush do të jenë kundërshtarët. Do të fillojmë të bëjmë planifikimet tona. Normalisht qëllimi është që në ato ndeshje të arrijmë fitore por akoma është shumë herët për të filluar të mendojmë për to”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar lartë tifozët e Kosovës.
“Nuk mund të them se ishte atmosferë si në Prishtinë, apo më e mirë. Mund të them që ishte një atmosferë fantastike dhe u jam shumë falënderues gjithë shikuesve të shumtë që vijnë për ta përkrahur skuadrën tonë. Unë, në krye të stafit të trajnerëve, futbollistët, por edhe gjithë në Federatën e Futbollit të Kosovës, dhe të gjithë njerëzit e tjerë, janë shumë falënderues dhe krenar me numrin e madh të shikuesve që i kemi pasur kudo që kemi luajtur, në Zvicër, në Suedi, por edhe sonte këtu. Kjo tregon krenarinë që e ka i tërë populli i Kosovës me ekipin e vet kombëtar”, ka thënë Foda.
Kosova këtë sukses e arriti pas fitores së madhe ndaj Sllovenisë në Lubjanë, 2:0.
Fjalimi i kapitenit Rrahmani pas suksesit historik
Amir Rrahmani ka mbajtur fjalim pas suksesit historik të Kosovës – plejofin e Botërorit 2026.
Kosova këtë sukses e arriti pas fitores së madhe ndaj Sllovenisë në Lubjanë, 2:0.
Në stadiumin “Stozhice”, Kosova kishte përkrahje shumë të madhe edhe nga tifozët e shumtë “Dardanë”.
“Kemi pasur shumë sakrifica. Secili nga ne i ka meritat, edhe ai i cili nuk e ka luajtur asnjë minutë, që ka ardhur gjithmonë, që ka bërë stërvitje me ne, që ka qenë i grumbulluar. Secili nga ne i ka meritat e veta. Si Edoni që nuk ka luajtur sot, si të gjithë të tjerët. Secili ka merita për këtë sukses. Nga tash, do të bëhemi gati për mars dhe të shpresojmë ta arrijmë më të mirën”, theksoi Rrahmani.
VIDEO:
Ademi: Kjo është historia
Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, tek ka uruar futbollistët e përfaqësueses së Kosovës për fitoren ndaj Sllovenisë, e ka cilësuar historik dhe “kapak” mbërritjen e plejofit për kualifikim për Botërorin 2026.
“Kjo është historia. E keni bë më të mirën e mundshme. Çka do që ndodh pas kësaj, a shkojmë apo jo, kjo është kapaku. Unë shpresoj dhe besoj”, ka thënë ai në zhveshtore pas triumfit.
Kosova në plejof, në mars ndeshjet vendimtare
Kosova ka mbërritur në fazën e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026 në futboll, pas fitores historike 2:0 ndaj Sllovenisë të shtunën.
Të martën, Kosova luan edhe me Zvicrën, por ndeshja nuk mund të ndryshojë fatin e Grupit B. Zvicra si e para e ka siguruar kualifikimin direkt në Botëror.
E menjëherë, më 20 nëntor, nga ora 13:00 në Zurich të Zvicrës do të hidhet shorti për fazën e plejofit. Kosova duhet t’i kalojë edhe dy kundërshtarë për kualifikim historik në Kampionat Botëror.
Në plejof paraqiten 12 përfaqësueset që përfundojnë në vendin e dytë në grupet kualifikuese dhe katër përfaqësueset më të mira fituese të grupeve në Ligën e Kombeve, që nuk përfundojnë në dy pozitat e para në grupet kualifikuese për Botëror.
Shorti do të përcaktojë kundërshtarin e gjysmëfinales së plejofit dhe potencialisht të finales së plejofit.
Përmes plejofit biletën e Botërorit e sigurojnë katër përfaqësuese. Fituesit e dy gjysmëfinaleve në të gjitha katër “rrugët” e plejofit, do të takohen në finale për kualifikim në Botëror.
12 përfaqësueset e vendit të dytë në grupe do të ndahen në tri vazo. Vazot do të caktohen në bazë të ranglistës së FIFA-s që publikohet të mërkurën. Kosova për shkak të rangimit është në vazon e tretë. Katër përfaqësueset që në plejof marrin pjesë nga Liga e Kombeve, do të jenë në vazon e katërt. Në gjysmëfinale, përfaqësueset e vazos së parë do të takohen me ato të vazos së katërt dhe përfaqësueset e vazos së dytë me ato të vazos së tretë.
Ndeshjet gjysmëfinale të plejofit zhvillohen më 26 mars të vitit të ardhshëm. Vendase do të jenë përfaqësueset e vazos së parë dhe të dytë. Ndërkohë finalet e plejofit janë më 31 mars. Vendasit e katër finaleve do të përcaktohen përmes shortit.
Kosova dyfishon epërsinë
Kosova e ka dyfishuar epërsinë ndaj Sllovenisë.
Mbrojtësi Zan Karnicnik shënoi autogol në minutën e 64-t për 2:0 në të mirë të “Dardanëve”.
Sllovenia me një futbollist më pak, përjashtohet Stojanoviq
Mbrojtësi Petar Stojanoviq është përjashtuar nga loja pasi ka marrë dy kartonë të verdhë brenda pak minutash.
Ai u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 47-të fillimisht për shkak të një shtyrjeje ndaj Dion Gallapenit.
Në minutën e 53-të, ai e qëlloi në fytyrë mbrojtësin e majtë të Kosovës.
Për këtë arsye, gjyqtari francez Clement Turpin, e përjashtoi atë nga loja.
A do të ketë të martën finale në Prishtinë?
Me rezultatet aktuale, Kosova e Zvicra do të luajnë të martën mbrëma finale për vendin e parë në grup dhe kualifikim direkt në Botëror.
Me rezultatet e pjesës së parë, Slloveni – Kosovë 0:1 dhe Zvicër – Suedi 1:1, Zvicra i ka 11 pikë në grup. Kosova është e dyta me 10.
Për të dy përfaqësueset, të paktën plejofi është i garantuar. Por, nëse rezultatet nuk ndryshojnë, kualifikimi direkt do të përcaktohet të martën në “Fadil Vokrri”.
Videoja që dëshmon më së miri dominimin e shqiptarëve në stadiumin në Slloveni
Kosova në epërsi pas pjesës së parë, i afrohet edhe më shumë plejofit
Falë golit të Fisnik Asllanit, Kosova është në epërsi pas pjesës së parë në duelin në udhëtim te Sllovenia.
Asllani shënoi në minutën e gjashtë.
Me fitore, por edhe me barazim, Kosova e siguron vendin e dytë, përkatësisht të plejofit.
Varësisht nga rezultati i ndeshjes tjetër, Zvicra – Suedia, Kosova mund të luftojë edhe për kualifikim direkt në Botërorin 2026.
Zvicra është duke barazuar 1:1 me Suedinë.
Aktualisht Zvicra ka 11 pikë, një më shumë se Kosova.
Më 18 nëntor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova e pret Zvicrën.
Supergol i Asllanit, Kosova në epërsi
Fisnik Asllani e ka kaluar Kosovën në epërsi prej një goli ndaj Sllovenisë.
Sulmuesi i Hoffenheimit në Bundesligën gjermane ka realizuar supergol në minutën e gjashtë.
Asllani e pranoi topin në zonë, u shmang bukur nga një mbrojtës, dhe për mrekulli realizoi me gjuajtje zhargas në portën e Jan Oblakut për 1:0.
VIDEO:
Sllovenët “i frikësohen” numrit të madh të tifozëve të Kosovës
Një numër shumë i madh i tifozëve të Kosovës janë të pranishëm në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë të Sllovenisë.
Kjo konfirmohet edhe nga videot e publikuara nga mediumi “Ekipa.svet.24.si” i Sllovenisë.
Ky medium i ka përshkruar skenat pranë stadiumit si “shqetësuese” për tifozët dhe përfaqësuesen e Sllovenisë.
“Ishte e qartë edhe në rrugë se një numër i madh i tifozëve ishin duke ardhur. Nga Sllovenia, Austria, Gjermania, Italia dhe vende të tjera. Do të jetë interesant të shihet nëse do të ketë trazira përreth stadiumit Stozhice, sepse ata do të lejohen të hyjnë me simbole shtetërore dhe të Shqipërisë vetëm në disa pjesë të caktuara të stadiumit, dhe jo aty ku janë tifozët e Sllovenisë. Ato që mund të shihni, pranë stadiumit, janë impresionuese por edhe shqetësuese për tifozët. Tifozët e Sllovenisë mund të jenë në nivel të lartë, por të zhurmshëm do të jenë edhe ata të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera mediumi slloven.
Ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës nis në orën 20:45.
Sllovenia me pesë mbrojtës në formacionin titullar
Përfaqësuesja e Sllovenisë do të ketë pesë mbrojtës në formacionin titullar në duelin ndaj Kosovës.
Në mungesë të Benjamin Sheshkos, Andrazh Sporar kthehet në formacionin titullar, njësoj si dyshja e Sturm Grazit, Tomi Horvat dhe Jon Gorenc Stankoviq.
Sllovenia do të jetë nikoqire e Kosovës në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë dhe e synon fitoren e parë në kualifikime.
Barazimi i konvenon Kosovës. Kosovës do t’i mjaftonte një pikë për ta siguruar vendin e dytë në grup, përkatësisht plejofin e Botërorit 2026.
Formacioni i Sllovenisë:
Oblak, Karniçnik, Brekalo, Bijol, Drkushiq, Janzha, Stankoviq, Horvat, Elshnik, Vipotnik, Shporar.
Publikohet formacioni i Kosovës për ndeshjen vendimtare
Selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Sllovenisë.
“Dardanët” nga ora 20:45 luajnë përballë Sllovenisë në Lubjanë, në ndeshjen e parafundit kualifikuese për Botërorin 2026.
Ka ndryshime te Kosova. Në portë, në vend të të suspenduarit dhe portierit të parë, Arijanet Muriq, do të jetë Amir Shaipi, portieri i Luganos.
Në qendër të mbrojtjes janë kthyer Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellova, që munguan për shkak të lëndimeve në ndeshjet e kaluara. Rrahmani e Dellova zëvendësojnë në mbrojtje Kreshnik Hajrizin dhe Ilir Krasniqin.
Ndërkohë, në duelin ndaj Suedisë nuk luajti Elvis Rexhbeçaj në mesfushë shkaku i lëndimit në fushë, ndërsa atë e kishte zëvendësuar Veldin Hoxha. Edhe Rexhbeçaj kthehet në rolin e mesfushorit defensiv.
Pjesa tjetër e skuadrës mbetet e njëjta siç ka qenë në duelet e kaluara.
Selektori Foda ka vendosur që t’i përmbahet sistemit 5-3-2.
Sulmit i prijnë Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.
Mesfusha përbëhet prej Leon Avdullahut, Elvis Rexhbeçajt dhe Florent Muslijës.
Në repartin defensiv janë Albian Hajdari, Amir Rrahmani, Lumbardh Dellova, Dion Gallapeni dhe Mërgim Vojvoda.
Në portë është Amir Shaipi.
