Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Emocione dhe lot në ndeshjen përshëndetëse të Messit me Argjentinën

Emocione dhe lot në ndeshjen përshëndetëse të Messit me Argjentinën

Lionel Messi i dha fund karrierës ndërkombëtare që zgjati plot 21 vjet. Të mërkurën në orët e para të mëngjesit futbollisti legjendar u përshëndet me tifozët argjentinas që e adhuronin. Edhe paraqitja e fundit me ish-kampionen e botës, Argjentinën, ishte plot shkëlqim për Messin, njërin prej më të mirëve që ka parë bota ndonjëherë, nëse jo më të mirin.

Në një ndeshje përfundimtare thuajse të përsosur, 39-vjeçari e shënoi golin e 126-të ndërkombëtar. Argjentina shënoi fitore 3:0 ndaj Beninit në Buenos Aires, para 85 mijë shikuesve në stadiumin ikonik “Monumental”.

Messi e luajti ndeshjen e 208-të ndërkombëtare, që është rekord i ri për Argjentinën. Ai bëri edhe asistimin për golin e parë të realizuar nga Nicolas Otamendi. Gol tjetër shënoi Nico Paz.

Megjithatë, ndeshja ishte dytësore krahasuar me ngjarjen. Messi shijoi adhurimin e tifozërisë në “Monumental” për herë të fundit. Ngjarja u cilësua si “Tangoja e Fundit”.

“Ishte burim krenarie për mua të mbroja këtë fanellë për më shumë se 20 vjet”, u tha Messi tifozëve në një fjalim pas ndeshjes.

“Fakti që nuk do të vij më do të jetë thellësisht i dhimbshëm. Betohem se do të doja të luaja gjithë jetën, sepse të luash për Kombëtaren e Argjentinës është gjëja më e bukur që mund të ndodhë”.

Megjithatë, Messi tha se nuk kishte asnjë pendesë për vendimin e tij për t’u tërhequr, duke përmendur si faktor kampanjën rraskapitëse të Argjentinës në Kupën e Botës, e cila u zhvillua ndërsa babai i tij ishte i sëmurë rëndë.

“Edhe pse dua të jem këtu gjithë jetën, ndiej se ky është momenti. Kupa e fundit e Botës ishte e tepërt, me gjithçka që m’u desh të përjetoja”, ka thënë Messi.

Më herët, Messi fshiu lotët ndërsa autobusi që barte atë dhe shokët e përfaqësueses argjentinase kalonte mes turmës së njerëzve që i uronin gjitha të mirat gjatë rrugës për në stadium.

Messi hyri në fushë së bashku me fëmijët e tij dhe mori përshëndetje të ngrohta nga bashkëshortja, Antonela Roccuzzo, dhe nëna e tij, Celia Cuccittini, të cilat po e ndiqnin ndeshjen nga një lozhë VIP.

Pak para fillimit të ndeshjes një fanellë gjigante e Argjentinës me mbishkrimin “Gracias” (Faleminderit), mbi numrin 10 të yllit të futbollit, u vendos në fushë. Tifozëria shpërtheu në entuziazmin e saj me brohoritje të fuqishme.

Messi u emocionua sërish kur veterani i Luftës së Ishujve Falkland, Fabio Santana, këndoi himnin kombëtar pranë një pankarte ku shkruante: “Malvinet janë argjentinase”. Ishte e njëjta pankartë që lojtarët e mbajtën lart pas fitores 2:1 në gjysmëfinale të Kupës së Botës ndaj Anglisë.

Ndeshja u ndërpre në minutën e dhjetë në nderim të numrit të famshëm të fanellës së Messit. Kishte duartrokitje të gjata për ish-yllin e Barcelonës dhe PSG-së.

Ai e kurorëzoi këtë moment me gol nga penalltia në minutën e 71-të.

Pas fishkëllimës së fundit, një shfaqje me dronë ndriçoi qiellin mbi stadium, duke shfaqur imazhin e Messit dhe duke falënderuar fituesin e tetëfishtë të Topit të Artë për karrierën e tij.

Lamtumira e Messit erdhi dy muaj e gjysmë pas humbjes së Argjentinës në finale të Kupës së Botës nga Spanja. Messi u largua me lot në sy nga ajo finale, pasi nuk arriti të linte gjurmë në një ndeshje të tensionuar, që përfundoi me humbjen 1:0.

“Dhashtë gjithçka. Nuk më ka mbetur asgjë për të dhënë dhe përveç kësaj po vijnë lojtarë të rinj të shkëlqyer që e meritojnë mundësinë e tyre”, kishte thënë Messi në atë kohë.

Para ndeshjes përshëndetëse, Universiteti i Buenos Airesit i dha Messit doktoraturë nderi, në një ceremoni të mbajtur në selinë e Federatës Argjentinase të Futbollit.

Messi, që në të kaluarën ka shprehur pendesë që nuk ka studiuar më shumë, shprehu krenari për këtë nderim.

“Tani mund të them se jam doktor nderi”, tha ai në shaka.

Jashtë selisë së federatës tifozët shpalosën një flamur gjigant argjentinas me imazhin e Messit dhe mbishkrimin: “Gëzimi i jetës sime”.

Shumë lojtarë kanë shkruar në nderim të karrierës ndërkombëtare të Messit, që në nivel klubesh vazhdon të luajë për Inter Miamin në SHBA.

“Nuk është vetëm Argjentina që të falënderon. Bota të falënderon për gjithçka që bëre për futbollin. Faleminderit që më bëre ta dua futbollin edhe më shumë”, shkroi braziliani Neymar.

Messi ka kontratë me Inter Miamin deri në vitin 2028, por ka thënë se mund të tërhiqet edhe më herët. Largimi nga Argjentina erdhi katër vjet pas triumfit në Kupën e Botës. Argjentina në vitin 2022 i dha fund pritjes 36-vjeçare për titullin e tretë.

Gjatë kohës me “Albiceleste”, Messi fitoi Kupën e Botës, ishte dy herë nënkampion dhe fitoi Copa American në vitet 2021 dhe 2024.