Futboll

City – Tottenham, derbi i xhiros së dytë në Premier League

manchester city

Foto: Associated Press

Manchester City – Tottenham Hotspur vlerësohet të jetë derbi i xhiros së dytë në Premier League.

Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 13:30 në “Etihad Stadium”.

City në xhiron e parë e mposhti Wolverhamptonin me rezultatin e thellë 4:0. Ndërsa, Tottenhami fitoi ndaj Burnleyt me rezultatin 3:0.

City i ka fituar katër nga 12 ndeshjet e fundit në Premier League ndaj Tottenhamit.

Fituesi i Ligës së Evropës, Tottenhami, i ka fituar dy nga katër ndeshjet e fundit në “Etihad Stadium”.

City do të jetë pa Mateo Kovaçiqin, Savinhon dhe Joshko Gvardiolin ndaj Tottenhamit. Të tre futbollistët do të mungojnë për shkak të lëndimeve.

Ndërsa Phil Foden dhe Rodri do të jenë të gatshëm për ndeshjen e së shtunës, pasi që të dy munguan në ndeshjen hapëse të edicionit 2025/26 në elitën angleze të futbollit.

Xhiroja e dytë u hap sonte me ndeshjen që u zhvillua ndërmjet West Ham Unitedit dhe Chelseat.

Të shtunën do të luhen edhe katër ndeshje të tjera. Nga ora 18:30, Arsenali e pret Leeds Unitedin. Arsenali në javën e parë e fitoi derbin 1:0 ndaj Manchester Unitedit kurse Leeds Unitedi me rezultat të njëjtë fitoi ndaj Evertonit.

Granit Xhaka me Sunderlandin të shtunën nga ora 16:00, do të jenë mysafirë të Burnleyt. Xhaka me Sunderlandin e filluan me fitore edicionin e ri, duke e mposhtur javën e kaluar West Hamin me rezultatin e thellë 3:0.

Të dielën nga ora 17:30, Unitedi luan në udhëtim te Fulhami. Unitedi shpreson të kthehet te fitorja pas disfatës që e pësoi nga Arsenali në javën e parë.

Kampioni i Anglisë, Liverpooli, të hënën nga ora 21:00 e pret Newcastle Unitedin në ndeshjen e fundit të xhiros së dytë.