Futboll

“Championsi” në Podujevë, KFF Mitrovica e kërkon suksesin

KFF Mitrovica

Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë do të jetë “arenë” e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve.

Bëhet fjalë për raundin e parë kualifikues të Championsit për futbolliste. Kampionia e Kosovës, Mitrovica, i organizon në Podujevë dy ndeshjet e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë është të mërkurën prej orës 16:00. Skuadra mitrovicase përballet me Cliftonville të Irlandës së Veriut. Ndeshja është gjysmëfinale e mini-turneut të raundit të parë kualifikues. Skuadra që shënon fitore, të shtunën luan në finale të mini-turneut me Lanchkhutin, kampionin e Gjeorgjisë.

Fituesi i ndeshjes të së shtunës kualifikohet në raundin e dytë kualifikues.

Championsi për futbolliste ka format të ri prej këtij edicioni. Pas tri raundeve kualifikuese është faza e ligës me gjashtë xhiro. Më pas fillon faza nokaut.

“Ekipi është i gatshëm për sfidat e rëndësishme të UEFA Women’s Champions League. Këtë vit kemi nderin dhe emocionin që turneun e gjashtë të raundit të parë kualifikues ta organizojmë në Kosovë. Ftojmë të gjithë tifozët të jenë pranë nesh, të na mbështesin dhe të krijojmë bashkë një atmosferë të jashtëzakonshme”, ka shkruar KFF Mitrovica.

KFF Mitrovica ka bërë përforcime të shumta gjatë verës. Së fundi për ndeshjet e Championsit angazhoi Diellza Mehmetin dhe Alba Shabanin, lojtare të Prishtinës. Ka angazhuar edhe Esmeralda Franjën, Rrezona Ramadanin, Shkurte Llumnicën, Edona Kryeziun, Carol Vallen, Isabelle Bernierin, Vanesa Nushin, Shenarta Bellën e Eljesa Brajshorin. Trajner i ri i KFF Mitrovicës është tekniku i njohur nga qyteti i minatorëve, Shpëtim Idrizi.

Mitrovica ka përvojë pesëvjeçare në Champions. Suksesin më të madh e arriti në edicionin 2019/2020, kur u kualifikua në 1/16 e finales. Në katër pjesëmarrjet e tjera nuk ka kaluar raundin kualifikues.

KFF Mitrovica luan si vendase në Podujevë për shkak të rinovimit të stadiumit “Adem Jashari”. Thuajse të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të futbollit kosovar luhen në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por në këtë stadium të martën luan Drita, ndërsa të enjten Prishtina. Kështu që KFF Mitrovica e organizon turneun e Championsit në Podujevë. Në të kaluarën janë luajtur ndeshje ndërkombëtare të grupmoshave të reja në “Zahir Pajaziti”.