Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Mitrovica barazon në ndeshjen e parë me Metalistin

Mitrovica - Metalist

Futbollistet e Mitrovicës kanë barazuar në ndeshjen e parë me Metalist 1925 nga Ukraina. Të mërkurën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Mitrovica e Metalisti luajtën 0:0.

Ishte ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të “Europa Cup” për futbolliste. Është ky niveli i dytë kontinental për klube të futbollisteve.

Sipas të dhënave statistikore, skuadra ukrainase ka pasur më shumë raste për gol. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 1 shtator në Shkup.

Ky është vetëm edicioni i dytë i “Europa Cup”. Ndërkohë Kosova përfaqësohet për herë të parë.
Mitrovica u zhvendos në Kupën Evropiane pas një kampanje pozitive në Ligën e Kampionëve. Në gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues e mposhti kampionin e Moldavisë, ndërsa në finale e mposhti kampionin e Bullgarisë.

Në raundin e dytë kualifikues të Championsit, mitrovicaset fillimisht pësuan nga Branni norvegjez. Por me fitore ndaj Ferencvaroshit hungarez, kampionia e Kosovës e siguroi kalimin në “Europa Cup”’.