Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Futbollistet e Mitrovicës me synime të mëdha në Budapest

Futbollistet Mitrovice

Futbollistet e Mitrovicës premtojnë angazhim maksimal për ndeshjen e radhës kualifikuese të Ligës së kampionëve.

Shtatë herë kampionia dhe shtatë herë fituesja e Kupës së Kosovës, Mitrovica, në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues do të luajë ndaj Brannit norvegjez, të mërkurën nga ora 10:00. 

Mini-turneu zhvillohet në Budapest. Fituesi i këtij ballafaqimi luan të shtunën në finale me fituesin e ndeshjes Ferencvarosh – PAOK. 

Të shtunën, pos finales luhet edhe ndeshja për vend të tretë.

Në rast se e fiton turneun në Budapest, Mitrovica do të avancojë në raundin e tretë dhe të fundit kualifikues para fazës së ligës. Raundi i tretë kualifikues luhet me një kundërshtar, në dy ndeshje. 
Ekipet që përfundojnë në vendin e dytë dhe të tretë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, barten në Kupën e Evropës.

Edhe Mitrovica synon të tjera fitore në Champions, tani në Budapest Futboll Mitrovica synon të tjera fitore në Champions, tani në Budapest

Te Mitrovica kanë bindjen se do të kualifikohen në finale.

“Nuk e njohim mirë kundërshtarin dhe nuk jemi përballur asnjëherë në të kaluarën me të. Por kemi provuar ta analizojmë kundërshtarin nëpërmjet incizimeve, për të parë pikat e forta dhe dobëta të tij. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, por dihet që nuk ka ndeshje të lehta në Ligën e Kampionëve. Pa marrë parasysh kundërshtarin, ne do të hyjmë në lojë për rezultat pozitiv. Por do të shohim se çfarë do të sjellë ndeshja, sepse jo gjithmonë shkon ashtu siç dëshirojmë ne. Do të japim gjithçka nga vetja për të përfaqësuar sa më mirë Mitrovicën dhe gjithë Kosovën”, ka thënë futbollistja me përvojë, Edona Kryeziu.

Kalimin në raundin e dytë kualifikues, Mitrovica e arriti pas shkëlqimit në Kosovë, përkatësisht pas fitoreve 10:0 dhe 2:0.

Në gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues, Mitrovica fitoi 10:0 ndaj Zimbru Chisinau të Moldavisë. Në finale të raundit të parë kualifikues, futbollistet mitrovicase e mposhtën kampionin e Bullgarisë, Ludogorets Razgrad, me rezultatin 2:0. 

Kryeziu i kishte shënuar katër gola në fitoren 10:0. Aurora Mulliqi shkëlqeu po ashtu me tri gola në ndeshjen e parë dhe një në ndeshjen e dytë kundër kampionit bullgar.

Edhe Aurora Muliqi, 18-vjeçarja që po shkruan histori me Mitrovicën Futboll Aurora Muliqi, 18-vjeçarja që po shkruan histori me Mitrovicën

Kryeziu nuk e di nëse do të ketë rastin të realizojë të tjerë gola për ekipin e saj. Por për të dhe futbollistet tjera të Mitrovicës, e rëndësishme është fitorja.

“Do të varet nga rrjedha e lojës, ashtu edhe do t’i qasemi lojës. Do të jemi të kujdesshme derisa të shohim se çfarë loje do të aplikojë ekipi kundërshtar. Por ne asnjëherë nuk do të luajmë në defensivë, pasi qëllimi ynë është rezultati pozitiv”, ka theksuar Kryeziu.