Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Aurora Muliqi, 18-vjeçarja që po shkruan histori me Mitrovicën

Aurora Muliqi

Tre gola ndaj kampionit të Moldavisë, Zimbru Chisinaut. Një tjetër ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogoretsit. Dhe të shtunën në Budapest dy gola ndaj kampionit të Hungarisë, Ferencvaroshit. 

Aurora Muliqi po shkëlqen te skuadra e futbollit Mitrovica. Në moshën 18-vjeçare, Aurora tashmë i ka shtatë gola në pesë paraqitje në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve për futbolliste. Debutoi vjet me gol.

Sidomos dy golat e së shtunës ndaj Ferencvaroshit ishin shumë të rëndësishëm për Muliqin dhe Mitrovicën. Kampionia kosovare me fitoren 2:1 siguroi kalimin në “Europa Cup”, që është niveli i dytë i garave kontinentale për klube të futbollisteve.

“Jam shumë e lumtur. Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe jam e lumtur që me dy gola e kam ndihmuar ekipin të fitojë dhe të kualifikohet tutje. Merita është e gjithë ekipit. Kemi luftuar së bashkua”, ka thënë Muliqi të dielën për KOHËN.

Ajo shënoi dy gola të bukur për të mbajtur Mitrovicën në Evropë.

Edhe Futbollistet e Mitrovicës me synime të mëdha në Budapest Futboll Futbollistet e Mitrovicës me synime të mëdha në Budapest

Në raundin e parë kualifikues të Championsit skuadra mitrovicase mposhti Zimbru Chisinaun me rezultatin 10:0 në gjysmëfinale dhe Ludogoretsin 2:0 në finale. Në gjysmëfinale të raundit të dytë kualifikues të Championsit, Mitrovica u mposht 5:0 nga kampioni norvegjez, Brann. 

Të vetëdijshëm për nivelin e Brannit, te Mitrovica prej fillimit synim e kishin kalimin në “Europa Cup”. Për këtë u duhej fitorja ndaj Ferencvaroshit, që u arrit me dy golat e talentes së madhe të futbollit.

"Çdo gol ishte i veçantë për mua, sidomos në një garë kaq të madhe si Liga e Kampionëve. Kjo më jep edhe më shumë motivim për të vazhduar me punë edhe më të madhe”, ka thënë Muliqi.

Deri vjet, Championsi ishte gara e vetme kontinentale për klube të futbollisteve. Por UEFA e shtoi edhe “Europa Cup”, si garë të nivelit të dytë. Shorti për raundin e parë kualifikues tërhiqet të martën.
Muliqi ka thënë se synimi i Mitrovicës është të shkojë sa më larg të jetë e mundur. 

“Do të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe besoj që si ekip mund të bëjmë paraqitje shumë të mira”, thotë ajo.

Muliqi iu bashkua Mitrovicës në janar të vitit 2025. Ajo është nga Podujeva, ndërsa karrierën e ka nisur te Llapi. Pas kalimit te Mitrovica është rritur ndjeshëm si lojtare. U shpall futbollistja më e mirë në Kosovë për vitin 2025. Tashmë ka debutuar te Kosova A, ndërsa luan edhe për grupmoshat më të reja. Me përfaqësuesen e të rriturave i ka pesë paraqitje në ndeshje garuese.

Edhe Mitrovica mposht Ferencvaroshin, vazhdon në Europa Cup Futboll Mitrovica mposht Ferencvaroshin, vazhdon në Europa Cup

Shkëlqimi në Champions pritet të ketë ndikim edhe në karrierën ndërkombëtare të Aurorës, përkatësisht të “rezervojë” edhe më shumë minuta për të.

“Për herë të dytë kam luajtur në Champions. Edhe këtë herë përvoja ishte shumë e veçantë për mua. Kam pasur mundësi të përballem me kundërshtare të forta. Kam mësuar shumë nga këto ndeshje. Besoj se kjo përvojë do të më ndihmoj shumë në vazhdimin e karrierës sime”, thotë Muliqi.

Ajo është krenare që në moshë të re po shkruan histori me Mitrovicën.

“Është e veçantë për mua, sidomos në këtë moshë. Por suksesin e shoh edhe si motivim për të punuar më shumë, për të arritur gjëra edhe më të mëdha me Mitrovicën”.

Aurora tregon se gjithnjë e ka dashur futbollin dhe për këtë arsye ishte e përkushtuar për karrierë në sportin më të popullarizuar. Motiv shtesë ishte çmimi për futbollisten më të mirë të vitit në Kosovë.

Edhe Mitrovica mposhtet thellë në Champions Futboll Mitrovica mposhtet thellë në Champions

“Synimi im është të vazhdoj të zhvillohem, të punoj çdo ditë dhe të arrij nivelin më të lartë të mundshëm. Dua të kem karrierë të suksesshme, të luaj në nivele sa më të larta dhe gjithmonë të jap maksimumin për klubin dhe për Kombëtaren”, thotë futbollistja e talentuar.

Ajo fillimisht në ekipet përfaqësuese luajti si mbrojtëse. Edhe Mitrovica fillimisht e kishte prezantuar si mbrojtëse. Por te kjo skuadër prej fillimit ka luajtur në qendër të sulmit. Dhe në skenën më të madhe evropiane ka dëshmuar që në sulm edhe e ka vendin.