Futboll

A është Zhegrova lojtari më atraktiv i Juventusit?

Edon Zhegrova

Edon Zhegrova ende nuk është lojtar startues te Juventusi. Rrjedhimisht ende nuk është prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës italiane.

Por kosovari është prej lojtarëve më atraktivë të “zonjës së vjetër”, me atë që bën me top në fushën e lojës, dhe përfundimisht prej më të ekspozuarve po ashtu.

Thuajse nuk kalon ditë që klubi torinez nuk bën ndonjë postim për apo me Zhegrovën.

Për shembull të premten pasdite postoi një fotografi të Zhegrovës së buzëqeshur, duke paralajmëruar diçka që po vjen.

Një fotografi e Zhegrovës është publikuar nga Juventusi në rrjetet sociale edhe të enjten. Përshkrimi i saj ishte: “Kur ai e bën atë shikim... e dini se diçka po vjen”.

Po të enjten, Juve publikoi në rrjetet sociale një video me momente “magjike” të Zhegrovës në ndeshjen për kupë ndaj Udineses. Në ndeshjen e mesjavës 26-vjeçari luajti pak, por kishte momente të shkëlqyera individuale.

“Edoni në zonë”, ka shkruar Juve, duka ia bashkangjitur postimit një flamur të Kosovës.

“Mirë se vini në shfaqjen e Edon Zhegrovës”, ishte shkrimi i Juves në postimin e 3 dhjetorit, në të cilin ishin paraqitur po ashtu momente nga shfaqja e tij në ndeshjen e 2 dhjetorit ndaj Udineses.

Dhe natyrisht kosovari nuk ka munguar në rrjetet sociale të Juves as menjëherë pas ndeshjes për kupë.

Thuajse të gjitha komentet, jo vetëm të shqiptarëve, janë që Zhegrova meriton dukshëm më tepër hapësirë se që është duke i dhënë Juventusi. Se ndoshta meriton më shumë minuta, ka thënë edhe trajneri i Juves, Luciano Spalletti, pas ndeshjes së fundit.

Postimet për Zhegrovën janë shumë të shikuara e të komentuara dhe kjo mund të jetë  tjetër arsye që ai nuk mungon asnjëherë. Miliona shikime ka secila video e Juves me Zhegrovën në të. Por postimet e shpeshta po ashtu dëshmojnë pritjet që klubi i madh italian ka prej lojtarit atraktiv të Kosovës.

Juventusi të dielën prej orës 20:45 e luan derbin e madh me Napolin. Ndeshja luhet në Napoli, ndërsa shpresohet të jetë edhe e shpërthimit të vërtetë të Zhegrovës në Serie A.