Futboll

A është fitorja ndaj Suedisë më e madhja e Kosovës deri më tani?

Kosova

Ndeshja ndaj Maqedonisë së Veriut mbetet më e rëndësishmja e Kosovës deri më tani. Më 8 tetor 2020, Kosova kishte pësuar 2:1 në Shkup, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Evropianin 2020, të mbajtur në vitin 2021. Maqedonia e Veriut kishte fituar më pas 1:0 ndaj Gjeorgjisë dhe ishte kualifikuar në Kampionat Evropian.

Ajo humbje, ai rast i artë i lëshuar, ende mbahen në mend, ndonëse janë shënuar fitore të kohëpaskohshme më pas dhe janë arritur disa suksese.

Fitorja e fundit u shënua të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”. 2:0 ndaj Suedisë në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. 

Për shumë arsye kjo është fitorja më e madhe e Kosovës deri më tani. Për Kosovën është vetëm fitorja e dytë në kualifikimet për Kupën e Botës. Në kualifikimet e para, ato për Botërorin 2018, Kosova barazoi 1:1 në nismë me Finlandën e më pas i humbi të gjitha nëntë ndeshjet. Në kualifikimet e dyta, për Botërorin 2022, Kosova e shënoi një fitore, mori dy barazime dhe pësoi plot pesë humbje. Fitorja ishte shënuar ndaj Gjeorgjisë. 1:0 ishte rezultati i ndeshjes së 2 shtatorit 2021 në Batumi. Vedat Muriqi e kishte shënuar golin e vetëm në ndeshjen e zhvilluara para 122 shikuesve, për shkak të pandemisë.

Në kualifikime për Kampionate Evropiane, Kosova i ka pesë fitore prej 19 ndeshjeve të luajtura gjithsej. Fitorja e parë ishte ajo 3:2 ndaj Bullgarisë në Sofje, më 10 qershor 2019. Milot Rashica, Vedat Muriqi e Elbasan Rashani ishin golashënues. Rashani e shënoi golin e fitores në minutën e 93-të. Më 7 shtator 2019 ishte shënuar fitorja më e madhe, por deri të hënën mbrëma. Bëhet fjalë për atë në “Fadil Vokrri” ndaj Çekisë. Muriqi e Mërgim Vojvoda kishin shënuar për fitoren 2:1.

Çekia në përbërje kishte emra të mëdhenj, por as për së afërmi sa i ka tani Suedia. Fitorja e tretë në kualifikimet për Euro 2020 ishte ajo 2:0 ndaj Malit të Zi më 14 tetor 2019. Amir Rrahmani e Muriqi ishin golashënuesit.

Në kualifikimet për Euro 2024, numri i fitoreve u reduktua në dy. Kosova kishte fituar 3:0 në udhëtim ndaj Andorrës më 12 tetor 2023 dhe 1:0 ndaj Izraelit në shtëpi, më 12 nëntor 2023. 

Në Ligën e Kombeve, Kosova i ka 14 fitore e në miqësore plot të tjera. Por asnjë nuk mund të krahasohet për nga rëndësia me fitoren e së hënës ndaj Suedisë.

Ka të bëjë me momentin, ndër të tjera. Pas humbjes 4:0 të premten e kaluar në Basel nga Zvicra, kishte drojë për përfundim të hershëm e të pasukesshëm të një cikli tjetër kualifikues. Zhgënjimi ishte i madh e kritikat ndaj përfaqësueses po ashtu. Dhe fitorja kthen entuziazmin dhe shpresat për sukses, ndonëse grupi është shumë i fortë e sfidues.

Reagimi i lojtarëve po ashtu i jep vlerë të madhe fitores, sidomos nëse merret për bazë që mungoi thuajse gjysma e ekipit që vlerësohet titullar. 

Ka të bëjë edhe me forcën e kundërshtarit. Suedia kishte fituar tri ndeshjet e kaluara me Kosovën, dy të fundit me 3:0. Suedezët ishin në ecuri të mirë të rezultateve. Suedia është e 29-ta në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Kosova vetëm e 95-ta. 

Për Suedinë luajnë disa prej yjeve më të mëdha të Premier Leagues. Transferimi më i shtrenjtë i verës, Alexander Isak, u aktivizua në pjesën e dytë. Ai u transferua nga Newcastle te Liverpooli për afro 150 milionë euro, rekord i verës. Tjetër top-sulmues evropian, Viktor Gyokeres i Arsenalit startoi në “Fadil Vokrri”. Përkrah tij ishte Anthony Elanga i transferuar te Newcastle Unitedi nga Nottingham Foresti. 
Në “transfermarkt”, vlera e Suedisë llogaritet 444 milionë euro. E Kosovës, 72, 3 milionë euro.
Por fitorja ishte e Kosovës. Festa po ashtu.