Futboll

Kosova në gjysmë të kualifikimeve – pozitë e mirë, orar i vështirë

ks

Në fillim të kampanjës kualifikuese për Botërorin 2026, te Kosova të gjithë do ta pranonin pozitën e dytë në grup në gjysmë të rrugës, përkatësisht pas zhvillimit të gjysmës së ndeshjeve. Përfundimi eventual në vendin e dytë i këtij cikli eliminator, do të jetë sukses shumë i madh për Kosovën.

Por krahas pozitës së mirë, Kosova ka edhe orar të vështirë.

Menjëherë të hënën luan në udhëtim ndaj Suedisë në Goteborg. Më 15 nëntor në “Stozhice” të Lubjanës është ndeshja Slloveni – Kosovë. Ndërkohë më 18 nëntor përfundon gara në Grupin B të kualifikimeve evropiane me ndeshjet Kosova – Zvicra dhe Suedia – Sllovenia.

Me barazimin pa gola me Slloveninë, të premten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova i ka katër pikë në vendin e dytë në grup. Kur janë zhvilluar tri xhiro, Zvicra udhëheq me nëntë pikë dhe po marshon drejt pozitës së parë.

Sllovenia është e treta me dy pikë dhe Suedia e fundit me vetëm një pikë.

Lënia prapa e dy përfaqësueseve me lojtarë cilësorë si Sllovenia e Suedia është sukses goxha i madh për të përzgjedhurit e Franco Fodas. Por në grupin ku po dominon Zvicra, çdo gjë është e hapur sa i takon tri pozitave të tjera. Pozita e dytë dërgon në plejof të kualifikimeve për Botëror, ndërsa dy të tjerat nuk dërgojnë askund. 

Dhe derisa pozita i favorizon “Dardanët”, orari jo edhe shumë. Kosovën e presin dy udhëtime shumë të vështira. Në Suedi presioni është rritur shumë pas humbjes 2:0 të pësuar nga Zvicra në shtëpi, të premten mbrëma. Dhe suedezët, që në përbërje kanë plot yje të Premier Leagues, duke përfshirë Alexander Isakun e Viktor Gyokeresin, e shohin ndeshjen ndaj Kosovës si rast për të reaguar dhe për t’u kthyer në garë. Çdo rezultat tjetër pos fitores do të ishte dështim i madh për Suedinë. Çdo rezultat tjetër pos humbjes do të ishte sukses shumë i madh për Kosovën.

“Zvicra po luan shumë mirë dhe ka tri ndeshje e tri fitore. Për Kosovën, për shtetin tonë, edhe kualifikimi në plejof, përjetimi i asaj atmosfere, do të jetë sukses shumë i madh për ne. Për këtë arsye nuk e nënçmoj pikën me Slloveninë. Do të jetë shumë e vlefshme për muajin e ardhshme për ne. Duhet të mos mposhtemi në Suedi. Më pas na pret finalja me Slloveninë, finale historike”, ka theksuar sulmuesi Vedat Muriqi.

Ai kishte rast të mirë ndaj Sllovenisë që në minutën e pestë. Por nuk gjuajti saktë. Më pas Kosova nuk rrezikoi asnjëherë. Ndërkohë që sllovenët kishin disa raste të mira, sidomos në pjesën e dytë. Aro Muriq bëri pritje vendimtare, kurse Albian Hajdari debutoi me sukses në qendër të mbrojtjes.

Telashe të tjera do të ketë për selektorin Franco Foda në udhëtimin e vështirë në Suedi. Ka lëndime të tjera e suspendime. Por Kosovës i duhet pika apo pikët për të ëndërruar gjëra të mëdha, ndonëse edhe me humbje mbetet në garë. Por me gjasa dukshëm më të vogla.