Futboll

Lëndimi që “solli” formacionin e historisë

gt

Kosova i nisi si më keq kualifikimet e rregullta për Kupën e Botës 2026. Më 5 shtator në Basel, “Dardanët” pësuan 4:0 nga Zvicra. 

Në atë ndeshje, Kosova luajti me formacion goxha ofenziv. Por doli që mungoi balanci i duhur dhe Zvicra shënoi katër gola që në pjesën e parë për fitore bindëse në fund.

Ndeshjen e dytë Kosova e zhvilloi menjëherë më 8 shtator. Në “Fadil Vokrri” e mposhti Suedinë e mbushur me yje, me rezultatin 2:0. 

Dhe një ndryshim i papritur në formacion, pak pa nisur ajo ndeshje, kishte ndikim jo të vogël në gjithë kampanjën.

Përzgjedhësi gjerman, Franco Foda, vendosi fillimisht për formacionin që u paraqit si 4-4-2. Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti e Dion Gallapeni u caktuan në mbrojtje, Leon Avdullahu e Elvis Rexhbeçaj në mesfushë, kurse Baton Zabërgja e Florent Muslija në krahë. Vedat Muriqi e Albion Rrahmani ishin në qendër të sulmit.

Një lëndim i Zabërgjës, në minutat e fundit para se të niste ndeshja, bëri që formacioni të ndryshonte. Në vend të Zabërgjës, Foda nuk aktivizoi sulmues tjetër krahu. Por vendosi për mbrojtësin Ilir Krasniqi.

Dhe kështu renditja në fushë në vend se 4-4-2 u bë 5-3-2 që në sulm shndërrohej në 3-5-2. 

Befasi apo jo, formacioni më nuk ndryshoi. Kosova më nuk u mposht dhe kampanja kualifikuese për Botërorin 2026 u shndërrua në më të mirën ndonjëherë të Kosovës. Në grup “të vdekjes”, Kosova përfundoi e dyta dhe u kualifikua në plejof. Vendin në Botëror do ta kërkojë në mars.

“Pas lëndimit të Zabërgjës, selektori e ftoi Ermal Krasniqin që të ngrohej. Nuk ishte momenti më i lehtë për shtabin teknik. Dhe ndërkohë Foda, pasi u konsultua me ndihmësit e tij, vendosi për Ilir Krasniqin. Dhe ky ndryshim doli i qëlluar, përkatësisht fitues”, ka thënë një burim i KOHËS brenda përfaqësueses.

Pas fitores ndaj Suedisë, Kosova më 10 tetor e priti Slloveninë në “Fadil Vokrri”. Sërish luajti me pesë lojtarë në vijën e fundit. Pati telashe për Kosovën, por ndeshja megjithatë përfundoi 0:0. Duke iu përmbajtur vendosjes së njëjtë, Kosova fitoi 1:0 ndaj Suedisë në Goteborg më 13 tetor dhe ndaj Sllovenisë, 2:0, në Lubjanë më 15 nëntor. Ndërkohë në mbyllje të kampanjës kualifikuese, Kosova luajti 1:1 me Zvicrën në Prishtinë. 

Zabërgja më nuk u kthye në përbërjen startuese, por mbetet lojtar i rëndësishëm te Kosova.
Foda pritet t’iu përmbahet vendosjes së njëjtë edhe më 26 mars ndaj Sllovakisë në Bratislavë, në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Botëror. Prej parimeve kryesore në futboll është që ekipi fitues, në këtë rast sistemi, nuk ndryshohet. 

Nëse të gjithë janë në dispozicion, gjasat janë të mëdha që Kosova të startojë me Aro Muriqin në portë, me Mërgim Vojvodën, Lumbardh Dellovën, Amir Rrahmanin, Albian Hajdarin e Dion Gallapenin në mbrojtje, Elvis Rexhbeçajn e Leon Avdullahun në qendër të mesfushës, Florent Muslijën më të avancuar dhe Vedat Muriqin e Fisnik Asllanin në qendër të sulmit. Me këtë vendosje, përgjegjësi shtesë kanë Vojvoda e Gallapeni, që duhet të kujdesen për të mbuluar krahët kur ekipi është në mbrojtje, dhe të hedhen në sulm, po nga krahët, kur ekipi sulmon.

Megjithatë, kthimi i Edon Zhegrovës e ndonjë tjetri në formë, mund të sfidojë Fodën për të bërë ndonjë modifikim në formacion. Por gjasat për ndryshime të mëdha janë të vogla. 

“Ne nuk po i dominojmë kundërshtarët, po mbrohemi fort dhe kemi tranzicion shumë të rrezikshëm. Mund të them që për herë të parë e kemi një identitet të lojës. Formacioni me të cilën po luan trajneri, 3-5-2, që po shndërrohet në 5-3-2, e ndonjëherë edhe në 5-4-1, po del i suksesshëm. Kemi krijuar një identit të lojës dhe kjo po sjell sukses”, ka thënë Ismet Munishi, njëri prej trajnerëve më të vlerësuar në vend.

Natyrisht, suksesi erdhi edhe për arsye të tjera, shumë më të mëdha. Ndër të tjera edhe për kontributin e të gjithë lojtarëve, rritjen e profesionalizmit në përfaqësuese e po ashtu për ardhjet e reja e cilësore si ato të Leon Avdullahut,  Albian Hajdarit e Veldin Hoxhës. 

Por ai ndryshim i papritur në formacion mbetet moment i rëndësishëm në rrugëtimin më të mirë të Kosovës deri më tani.