Futboll

Kosova është gati për suksesin e madh

Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është gati për ndeshjen shumë të rëndësishme me Slloveninë.

Ndeshja zhvillohet të shtunën prej orës 20:45 në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë, ndërsa është vendimtare në garën e Grupit B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Dardanët” synojnë pikë për ta siguruar plejofin e kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm. Kualifikimi në plejof do të ishte sukses historik për përfaqësuesen e Kosovës.

Por varësisht nga rezultati i ndeshjes tjetër të së shtunës mbrëma, Zvicër – Suedi, Kosova mund të synojë edhe kualifikimin direkt në Botëror. Për këtë duhet që Kosova të fitojë në Lubjanë dhe që Zvicra të mposhtet në shtëpi. Me një skenar të tillë, dhe ndonjë tjetër të favorshëm për Kosovën, kualifikimi në Botëror do të vendosej në ndeshjen e së martës mes Kosovës dhe Zvicrës.

Por momentalisht i gjithë fokusi është te ndeshja e së shtunës në Lubjanë.

Sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi, dhe selektori Franco Foda, folën në konferencë për shtyp të premten mbrëma në Lubjanë. Përfaqësuesja ushtroi paradite në Prishtinë, ndërs në mbrëmje në kryeqendrën sllovene është mbajtur vetëm konferenca për shtyp.

Muriqi ka thënë se kanë planin për ta ndëshkuar Slloveninë.

“Me mbrojtje të suksesshme dhe me kundërsulme po shpresojmë dhe besojmë që do ta ndëshkojmë Slloveninë dhe të shpresojmë të kualifikohemi në Kupën e Botës”, ka thënë Muriqi.

Ai po kalon formë të mirë dhe pritet ta udhëheqë sulmin e Kosovës. Prej 31-vjeçarit priten gola.

“Jam sulmues dhe si unë që shpresoj, ashtu edhe e gjithë shqiptaria shpreson që unë të shënojë. Jemi 100 për qind të gatshëm për lojë. Gjithmonë kam thënë se goli për mua nuk ka rëndësi, rëndësi ka fitorja e ekipit, sidomos me Kombëtare. Por nëse shënoj golin e fitores, nuk besoj se do të ketë ndonjë njeri më të lumtur se unë”, ka theksuar ikona e futbollit kosovar.

Sipas Muriqit e rëndësishme është të sigurohet plejofi fillimisht e ndërkohë, nëse ka mundësi, të synohet për më tepër, përkatësisht për kualifikim direkt në Botëror.

Dy xhiro para fundit, Zvicra udhëheq në grup me 10 pikë. Shtatë i ka Kosova, tri Sllovenia e vetëm një Suedia. Vendi i parë dërgon në Botëror, ndërsa i dyti në plejof.

Selektori Franco Foda pritet t’i përmbahet sistemit 5-3-2, që solli sukses në tri ndeshjet e kaluara. Tekniku gjerman e di që ndeshja në Lubjanë do të dallojë nga ajo në Prishtinë.

“Në ndeshjen e parë të dy skuadrat luajtën mirë, me kujdes. Detajet do ta vendosin ndeshjen e dytë. Ekipi që do të jap më shumë në fushë do të fitojë”, ka theksuar Foda.

Te Kosova janë kthyer lojtarë të rëndësishëm si Amir Rrahmani, Lumbardh Dellova dhe Baton Zabërgja. I vetmi që mungon është portieri Aro Muriq. Ai është i suspenduar për shkak të kartonëve.

Ndonëse mungoi gjatë, Rrahmani do ta udhëheqë mbrojtjen e Kosovës. Këtë e ka paralajmëruar selektori Foda.

“Amiri i ka zhvilluar tri ndeshje të plota me skuadrën e Napolit. Është pak i ngarkuar, por ndikimi i tij në fushë është i rëndësishëm. Prania e tij në mbrojtje jep siguri. Presim që të jetë kështu edhe në ndeshjen e nesërme”.

Sllovenisë i mungon sulmuesi kryesor, Benjamin Sheshko. Ai është i lënduar. Foda e di rëndësinë e Sheshkos, por ka thënë se Sllovenia ka individë të tjerë të mirë dhe bazohet shumë në lojë ekipore.

 Por Foda thotë se ekipi është gati.

E kemi analizuar ndeshjen që e kemi luajtur në fushë. Kemi analizuar edhe ndeshjet e tjera të Sllovenisë. Jemi të vetëdijshëm për cilësitë e tyre. Jemi gati. Nesër është ndeshje shumë e rëndësishme dhe synimi jonë është fitorja”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës.

Kosova asnjëherë nuk i është afruar më shumë një ngjarjeje të madhe. Shumë gjëra janë duke funksionuar te përfaqësuesja, ndërsa një fitore në Lubjanë do të konfirmonte rritjen e madhe të “Dardanëve”.