Futboll

Foda pret rezultat pozitiv ndaj Sllovenisë, premton më tepër minuta për Zhegrovën

Franco Foda

Selektori i Kosovës në futboll, Franco Foda, është duke e mbajtur konferencën për shtyp në prag të ndeshjeve të fundit kualifikuese për Botërorin 2026.

Foda ka thënë se fokusi fillimisht është te ndeshja e së shtunës me Slloveninë në Lubjanë.

“Në fillim kam thënë se çdo gjë do të jetë e hapur deri në fund. Çdo gjë është e mundur. Fokusi është në ndeshjen me Slloveninë. Synojmë të fitojmë të paktën një pikë, që të paktën të shkojmë në plejof e më pas do të shohim tutje”, ka thënë Foda.

Kosova më 15 nëntor luan në udhëtim ndaj Sllovenisë, ndërsa më 18 nëntor e pret në shtëpi Zvicrën. Pas katër xhirove zë vendin e dytë në Grupin B të eliminatoreve për Botërorin 2026. I ka 7 pikë, tri më pak se Zvicra që kryeson grupin dhe katër më tepër se Sllovenia që është e treta. 


Foda: Ende nuk e kemi arritur atë që dëshirojmë

Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se është me rëndësi të fitohet ndeshja e radhës dhe të arrihet kualifikimi i mëtutjeshëm. 

“Akoma nuk kemi arritur atë që dëshirojmë. Në ndeshjen e radhës është me rëndësi të triumfojmë, të shkruajmë histori duke u kualifikuar tutje. Kemi analizuar lojën e Sllovenisë. Ka ndryshuar pak sistemin. Ne jemi më të përgatitur, kemi më shumë mundësi. Kemi më shumë alternativa. Janë kthyer Rrahmani, Dellova, Zabërgja.  Së pari synojmë plejofin, ndërsa për më shumë shohim tutje”, tha Foda në konferencë për media. 

Foda tha se fokusi duhet të jetë te dy ndeshjet e radhës. 

"Fokusin komplet duhet ta kemi në dy ndeshjet e radhës. Në futboll nuk vlen e kaluara, por e tashmja. Për ne është me rëndësi ta kemi parasysh se mund të dalim të parët, por edhe të mbesim të tretit.
Në ndeshjet e kaluara kemi treguar vetëbesim, kemi luajtur mirë. Por në futboll duhet gjithnjë të tregohemi, të punojmë fort. Për ne është me rëndësi që të shfaqim më të mirën në këto ndeshje".


 


Foda i gëzohet formës së lojtarëve të Kosovës

Foda ka folur edhe për formën e lojtarëve. Tha se është i kënaqur. 

“Që të gjithë lojtarët janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Kanë kaluar mirë në ndshjet e fundit. Rrahmani e Dellova kthehen dhe janë në gjendje të mirë. Kemi shumë alternativa në ekip. Shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm gjatë gjithë javës. Kemi treguar edhe në ndeshjet e kaluara, që me gjithë mungesat, mund t’ia dalim dhe të fitojmë. Aro Muriq është i suspenduar dhe nuk mund të luajë me Slloveninë. E dimë që po kalon formë të mirë, por kemi tri opsione për portën dhe njëri prej tyre do ta zëvendësojë Aro Muriqin. Në ditën në vijim do të vendosim se cili prej tyre”.


Foda paralajmëron më shumë minuta për Zhegrovën

Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, ka paralajmëruar më tepër minuta për Edon Zhegrovën. 

"Amir Rrahmani ka pushuar për dy muaj për shkak të lëndimit. Është kthyer dhe është shëruar komplet. I ka luajtur tri ndeshje në javën e kaluar. Ai duhet të rigjenerohet, të përshtatet me ekip dhe të jetë gati. Zhegrova po fiton më shumë minuta. Kjo është shumë me rëndësi sepse ai duhet të kthejë gjendjen fizike. Këtë e kemi parasysh. Tani kemi shumë lojtarë në dispozicion. Të gjithë janë në shëndet të mirë.  Pasi ka fituar minuta në skuadrën e tij do të mundohemi t’i sigurojmë edhe më shumë minuta se në ndeshjet e kaluara", tha Foda. 


Foda flet për Diant Ramajn e Arijon Ibrahimoviqin

Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për Diant Ramajn dhe Arijon Ibrahimoviqin. Ai tha se ka pasur kontakt me të dy, por duhet fokusuar te lojtarët që aktualisht janë në përfaqësuese. 

"Në parim është me rëndësi që të flasim për lojtarët që janë prezentë dhe luajnë për Kosovën dhe janë të gatshëm për Kosovën. Kam pasur edhe me ata. Ibrahimoviq luan për Gjermaninë U21, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të luajë për Kosovën. Me të kemi komunikuar disa herë. Por fokusohemi te lojtarët që i kemi dhe në ndeshjet që na presin".