Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Lojtarët e Sllovakisë flasin për ndeshjen ndaj Kosovës

Sllovaki

Futbollistët e Sllovakisë, Ondrej Duda, David Krçik dhe Martin Valjent, të dielën kanë dhënë opinionet e tyre për ndeshjen kundër Kosovës.

Tre futbollistët e Sllovakisë e kanë cilësuar të vështirë ndeshjen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por ata thonë se Sllovakia duhet ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendës.

Ndeshja gjysmëfinale e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 luhet më 26 mars në Bratislavë.
Sllovakia të dielën ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj “Dardanëve”.

Mesfushori i Al Ettifaqit, Duda, ka theksuar se lojtarët e Kosovës janë të motivuar për fitore. 

“Kundërshtari ka shumë lojtarë që luajnë në pesë ligat më të mira. Ata donin të përfaqësonin, ndoshta mendonin se do të ishin te Gjermania ose Zvicra, por në fund ata luajnë për Kosovën dhe janë vërtetë të motivuar”, ka thënë Duda në konferencë për media të dielën.

31-vjeçari më herët ka luajtur te Kolni së bashku me mesfushorin e Kosovës, Elvis Rexhbeçaj.
Duda pret paraqitjen e kapitenit Milan Skriniar. 

“Ai është kapiteni ynë, një lojtar me përvojë, do të luante edhe pa njërën këmbë. Besoj se do të jetë i gatshëm për lojë”, është shprehur Duda.

Nga viti 2014 e tutje, Duda ka luajtur 90 ndeshje për Sllovakinë.

Mbrojtësi i Viktoria Plzenit, David Krçik, thotë se ndaj Kosovës duhet të luajnë të bashkuar.

“Kushdo që do të jetë titullar, do t’i urojmë njëri-tjetrit më të mirat. Ekipi duhet të qëndrojë i bashkuar dhe të ndjekë një qëllim të përbashkët në ndeshje - të fitojë kundër Kosovës”, është shprehur Krçik.

Është hera e parë për mbrojtësin e klubit çek që ftohet nga Sllovakia. Ai është një prej opsioneve për t’u paraqitur nga fillimi pas shumë mungesave.

Te Sllovakia pas pothuajse tre vjetësh është kthyer mbrojtësi i Mallorcas, Martin Valjent.

30-vjeçari ka vlerësuar lart sulmuesin e Mallorcas, Vedat Muriqi. Muriqi është sulmuesi kryesor te Mallorca dhe Kosova. Sipas tij rreziku më i madh për Sllovakinë do të jetë Muriqi.

Për Mallorcan këtë edicion Muriqi ka shënuar 18 gola.

“Përveçse është shok skuadre, ai është edhe shoku im. Një nga më të mirët në jetën e futbollit. Ata janë të motivuar për këtë duel, ai është një sulmues i shkëlqyer dhe ndoshta gjuajtësi më i mirë me kokë që kam parë ndonjëherë në jetën time. Kosova dhe Mallorca janë të ndryshme, nuk e di se çfarë pozicioni mban atje, por ai është shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Valjent.

Ai ka vazhduar me lëvdata për Muriqin.

“Ai është një lojtar gjigant, i gjatë, por si personalitet është krejt i kundërt. Një djalë i mirë, i orientuar drejt familjes dhe modest. Ai nuk pati një karrierë apo jetë të lehtë, dhe kjo thotë shumë për të”, është shprehur Valjent.

Fituesi i duelit Sllovaki – Kosovë do të përballet në finalen e 31 marsit me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani. Vetëm fituesi i plejofit kualifikohet në Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.