“Ekipi që fiton nuk ndryshohet”. Është kjo prej thënieve më të njohura në futboll.
Por që vështirë se do të vlejë te Kosova për dy ndeshjet e fundit dhe vendimtare të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Të paktën jo në repartin e mbrojtjes.
Në ndeshjen e kaluar, Kosova fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Suedisë. Mbrojtja, që shfaqi stabilitet, përbëhej nga Albian Hajdari, Kreshnik Hajrizi e Ilir Krasniqi në qendër dhe Mërgim Vojvoda e Dion Gallapeni në krah. Janë tre mbrojtës qendre të tjerë që kanë dukshëm më tepër përvojë se Hajdari, Hajrizi e Krasniqi, e që munguan në ndeshjen e muajit të kaluar në Goteborg. Ata janë kthyer në përfaqësuese për ndeshjen e së shtunës me Slloveninë dhe ndeshjen e së martës së ardhshme me Zvicrën.
Njëri prej tyre është kapiteni Amir Rrahmani, me plot 65 paraqitje për përfaqësuese. Fidan Aliti i ka 62 paraqitje, ndërsa Lumbardh Dellova 19.
Rrahmani e Dellova ishin të lënduar, ndërsa Aliti ishte i suspenduar.
Për shumë vjet, mbrojtja pa Rrahmanin as që është menduar. Por Kosova nuk e pranoi asnjë gol në tri ndeshjet e fundit, ndonëse kapiteni mungoi.
“Dardanët” nisën kualifikimet me humbjen 4:0 nga Zvicra në Basel, më 5 shtator. Selektori Franco Foda vendosi për sistem me katër lojtarë në vijën e fundit. Dhe përfaqësuesja u shkatërrua që në pjesën e parë, duke i pranuar të gjithë katër golat. Në mbrojtje nuk u shfaq ndonjë stabilitet.
Dyshja e pakontestuar në vitet e fundit, Rrahmani – Dellova, startoi, ndërsa në krahë ishin Mërgim Vojvoda në të djathtë dhe Leart Paqarada në të majtë.
Rrahmani u lëndua në atë ndeshje, kurse Foda vendosi ndërkohë për sistem me pesë lojtarë në vijën e fundit, dy prej të cilëve janë më të avancuar kur përfaqësuesja është në sulm.
Dhe menjëherë erdhi reagimi, përkatësisht fitorja 2:0 ndaj Suedisë në Prishtinë, më 8 shtator. Lumbardh Dellova, Fidan Aliti e Ilir Krasniqi luajtën në qendër, Mërgim Vojvoda në krahun e djathtë e Dion Gallapeni në të majtë.
Me Slloveninë në Prishtinë, kishte shumë punë për mbrojtjen. Sllovenët krijuan raste të shumta, por ndeshja megjithatë u mbyll 0:0. Vojvoda e Gallapeni mbajtën vendet e tyre, njëjtë si Krasniqi e Aliti. Ndërkohë erdhi Albian Hajdari, që startoi në debutim.
Dhe më pas erdhi fitorja në Suedi, ku sërish mbrojtja kishte pamje tjetër, por ishte e ngjeshur me pesë lojtarë dhe nuk pranoi gol.
Sistemi nuk pritet të ndryshojë, për më tepër që synimi primar i Kosovës është të fitohet pikë në Lubjanë. Por, kush do të startojë në mbrojtje?
Vojvoda në krahun e djathtë dhe Gallapeni në krahun e majtë, vlerësohen të pakonkurrencë. Kapiteni Rrahmani pritet të kthehet në formacionin bazë, ndërsa Hajdari pritet të startojë po ashtu. Për mbrojtës tjetër, Foda duhet të vendosë ndërkohë. Dhe konkurrenca vlerësohet e madhe. Opsionet e bollshme. Aliti, Dellova, Krasniqi, Hajrizi, Leard Sadriu – nëse renditja bëhet sipas numrit të ndeshjeve.
“Lojtarët janë aktualisht në formë shumë të mirë. Edhe Amir Rrahmani ka luajtur sërish në ndeshjet e fundit për Napolin, po ashtu edhe Lumbardh Dellova. Të dy do të jenë sërish me ne, që do të thotë se kemi më shumë mundësi dhe më shumë alternativa”, ka thënë selektori Franco Foda në konferencën për shtyp të hënën.
“Renditjen” përfundimtare të mbrojtësve e bën ai. Dhe në ndeshjet e kaluara zgjedhjet e Fodës dolën të duhurat. Rezultatet e dëshmojnë këtë.