Dy kampanjat e para kualifikuese për Botëror ishin të zbehta për Kosovën. Rezultatet negative bënë që paraqitja e Kosovës në kualifikimet e Botërorit 2018 dhe 2022 të kalojë pa u komentuar shumë. Por, në të tretën “Dardanët” shpërthyen. Nga nisja e dhimbshme, deri te një fund dramatik në Prishtinë, rrugëtimi i Kosovës ishte i mbushur me emocione, ngritje dhe rezultate që e bënë botën të flasë për lojtarët dardanë.
Kulmi i këtij rrugëtimi erdhi me paraqitjen e Kosovës në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026. Mori vëmendjen e gjithë botës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe më e madhe vëmendja ishte pas fitores së madhe ndaj Sllovakisë 4:3 në Bratislavë, në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Botërorin që këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Vëmendjen nga bota e futbollit, Kosova e mori gjatë tri ditëve të para të javës – para, gjatë dhe pas ndeshjes finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës.
Kosova e humbi 1:0 ndeshjen ndaj Turqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dhe kështu Kosovës iu shua të martën ëndrra për kualifikim historik në Botëror.
Kosova siguroi plejofin pas kampanjës së suksesshme në kualifikimet e rregullta.
Në fund të kualifikimeve, Kosova u rendit e dyta në grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.
“Ata luajtën me nder dhe me ritëm. Kosova na vuri shumë në vështirësi. Ishim të përgatitur për këtë pasi Kosova ka një skuadër shumë cilësore, por është fat i keq që vetëm një skuadër mund të kalojë në Kampionatin Botëror”, deklaroi përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella pas ndeshjes.
Montella edhe para ndeshjes në konferencë për shtyp vlerësoi Kosovës.
Vlerësime për Kosovën patën edhe përzgjedhësit e përfaqësueseve kundërshtare të Kosovës, Sllovakisë, Suedisë, Sllovenisë dhe Zvicrës.
“Është e jashtëzakonshme ajo që po arrin Kosova”, kishte thënë përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin para ndeshjes në Prishtinë kundër Kosovës që ishte e fundit e ciklit të rregullt kualifikues.
Nuk munguan shkrime nga mediume të ndryshme botërore edhe të enjten, dy ditë pas humbjes nga Turqia. Ndonëse jo siç u shkrua të hënën, të martën dhe të mërkurën.
Ndër më të komentuarit ishte kapiteni Vedat Muriqi, i cili luan për Mallorcan në Spanjë. Ndikimi i Muriqit te ngritja e Kosovës ka qenë i madh. Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë i Kosovës me 32 gola.
Muriqi zuri vend edhe të enjten në mediumet e ndryshme botërore.
“Diario de Mallorca” i kushtoi vëmendje reagimit të Federatës së Futbollit të Kosovës pas fyerjeve që një tifoz i bëri Vedat Muriqit në rrjetet sociale, një ditë pas humbjes 1:0 nga Turqia në finale të plejofit.
“Federata e Futbollit e Kosovës mbron Muriqin pas akuzave nga një tifoz: Ai është një simbol”, shkruan në titullin e gazetës spanjolle e afërt me klubin e Muriqit, Mallorcan.
Muriqi tashmë është kthyer te Mallorca. Edhe lojtarët e tjerë të Kosovës janë kthyer në klubet e veta. Me shumë gjasë shumica e tyre do të jenë në grumbullimin e qershorit, kur edhe do të luhen shumë ndeshje miqësore para Kupës së Botës.
Në shtator, Kosova luan në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Kosovën në Grupin 3 të Ligës B është së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.
Kosova fillon më 24 shtator në shtëpi ndaj Irlandës. Menjëherë më 27 shtator "Dardanët" luajnë në udhëtim ndaj Austrisë. Më 1 tetor është ndeshja Izrael - Kosovë, kurse më 4 tetor, Kosovë - Austri. Dy ndeshjet e fundit janë në nëntor. Më 14 nëntor, Kosova e pret Izraelin, kurse më 17 nëntor është ndeshja Irlandë - Kosovë.
Kosova synon ta fitojë grupin dhe edicionin e ardhshëm të paraqitet në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Por synimi i madh i Kosovës do të jetë kualifikimi në Kampionatin Evropian të futbollit, atë të vitit 2028.
“Kur kam nënshkruar kontratën qëllimi ka qenë për të kualifikuar në Evropianin e ardhshëm. Por kemi pasur rritje dhe tash do të provojmë për t’u kualifikuar në Botëror”, kishte thënë Foda para ndeshjes gjysmëfinale të plejofit kundër Sllovakisë.