Nën drejtimin e dirigjentit Toshio Yanagisawa dhe me violinisten ruse, Julia Smirnova, si soliste, janë interpretuar “Koncerti për violinë dhe orkestër në D-dur, op.35” dhe “Simfonia nr.4 në F-mol, op.36”. Kanë qenë dy vepra të ndryshme për nga struktura, por që bartin të njëjtën ndjeshmëri. Meloditë, kontrastet dinamike e shpërthimet e papritura kanë qenë ndër ngjashmëritë midis tyre
Muzika që rrjedh si rrëfim i qetë dhe paralelisht ajo që shpërthen si përballje me vetveten kanë qenë dy vepra të Tchaikovskyt në koncertin e Filharmonisë së Kosovës, kushtuar krijimtarisë së kompozitorit. Këto histori janë shndërruar në melodi e në gjuhë emocionesh. Të shtunën mbrëma në qendrën “Bogdani Polis”, këtë botë tingujsh e ka sjellë në skenë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.
Nën drejtimin e dirigjentit Toshio Yanagisawa dhe me violinisten ruse, Julia Smirnova si soliste, janë interpretuar “Koncerti për violinë dhe orkestër në D-dur, op.35” dhe “Simfonia nr.4 në F-mol, op.36”. Kanë qenë dy vepra të ndryshme për nga struktura, por që bartin të njëjtën ndjeshmëri. Meloditë, kontrastet dinamike e shpërthimet e papritura kanë qenë ndër ngjashmëritë midis tyre.
“Koncerti për violinë dhe orkestër” ka nisur me “Allegro moderato”, ku tingulli i violinës është shfaqur fillimisht me një linjë të gjatë melodike dhe ritmike, duke shkuar drejt dialogut virtuoz me Orkestrën. Meloditë kanë qenë herë të buta e herë të vrullshme.
Violinistja e ka interpretuar këtë vepër duke ndërthurur ndjeshmërinë melodike me virtuozitetin, ndërsa koha e dytë “Canzonetta: Andante” e ka zhvendosur atmosferën drejt një fryme më intime. Në këtë pjesë, melodia ka tingëlluar si rrëfim i përmbajtur para se koha e fundit, “Allegro vivacissimo” të vijë furishëm, me ritme të shpejta dhe me dialogë shumë interaktivë midis violinës e orkestrës.
Duartrokitjet e publikut kanë qenë të gjata pas interpretimit të kësaj vepre, e cila ka ndërtuar pjesën e parë të koncertit të së shtunës mbrëma. Ajo është kthyer disa herë në skenë nga duartrokitjet e gjata të publikut. Për bis ka zgjedhur veprën “Butterfly” të kompozitores Olga Rayeva, vepër rreth 6-minutëshe me tinguj të qetë dhe atmosferë intime. Krejt ndryshe nga energjia e koncertit të Tchaikovskyt.
Violinistja ruse ka treguar se pritja e publikut ka qenë befasi e veçantë për të, veçmas për shkak të duartrokitjeve të shumta.
“Është hera e parë që luaj në Kosovë me Filharmoninë e Kosovës dhe e kam shijuar jashtëzakonisht shumë. Organizatorët më kishin thënë se, pasi ta përfundoja koncertin e Tchaikovskyt, duhej të dilja një herë për të përshëndetur publikun dhe pastaj të nisja menjëherë veprën e zgjedhur për bis, sepse mund të mos kishte më duartrokitje. Por publiku duartrokiti vazhdimisht dhe unë nuk dija si të reagoja, vetëm përkulesha për ta falënderuar”, ka thënë Smirnova.
Ajo ka treguar se “Butterfly” është vepër e kompozitores ruse, Olga Rayeva, e cila jeton në Berlin, dhe se zgjedhja e saj ka qenë mënyrë për t’i dhënë publikut tjetër dimension të tingullit të violinës.
“Është një pjesë shumë e qetë dhe intime. Pas interpretimit u përkula sërish dhe dola nga skena, por publiku nuk ndalej së duartrokituri. Ishte befasi e madhe, kënaqësi dhe nder për mua të luaja para një publiku kaq të mrekullueshëm”, është shprehur violinistja Smirnova.
Smirnova e ka cilësuar koncertin e Tchaikovskyt si njërën prej veprave të saj të preferuara.
“Ky është një prej koncerteve të mia të preferuara. Është shpirti dhe gjaku im. E dua Tchaikovskyn dhe mendoj se ishte vendim shumë i mirë që u zgjodh kjo vepër dhe që unë u ftova si soliste, sepse ndiej se mund ta kuptoj shumë mirë këtë muzikë. Jam përpjekur t’i inkurajoj edhe muzikantët e Orkestrës që të luajmë sa më bukur së bashku dhe ta sjellin muzikën nga brenda vetes. Ishte përvojë e jashtëzakonshme. Çdo muzikant ishte vërtet i mirë dhe i uroj orkestrës edhe shumë koncerte të tjera të bukura”, ka thënë violinistja.
Kapitulli i dytë i koncertit ka qenë “Simfonia nr.4 në F-mol” e kompozitorit rus. Vepra, e ndërtuar në katër kohë, e shpalos rrugëtimin muzikor ku ndjenja e fatit ngjan se është e pranishme në gjithë strukturën e veprës.
Koha e parë, “Andante sostenuto – Moderato con anima”, nis me tingujt e fuqishëm të tunxhit, të cilët rikthehen si motiv këmbëngulës gjatë veprës. Pas tyre, orkestra hap hapësirë më të gjerë melodike, ku linjat muzikore ndërthuren midis tensionit dhe lirisë së tingujve. Kalimet nga tingujt e rëndë te pasazhet më të buta krijojnë ndjesinë e përballjes së vazhdueshme, ndërsa në zhvillimet e tjera muzika mbetet duke mos gjetur qetësi.
Në lëvizjen e dytë, “Andantino in modo di canzona”, atmosfera ndryshon. Melodia e frymorëve merr melankolik. Orkestra e ruan ndjesinë e intime të tingujve. “Scherzo: Pizzicato ostinato – Allegro” ka sjellë lojë të veçantë tingujsh ku harkorët sjellin ritme të lehta, të mprehta e edhe harmonike.
Pjesa e fundit, “Allegro con fuoco”, e rikthen fuqinë e plotë të orkestrës. Temat muzikore ndërrojnë me shpejtësi, ritmi bëhet më këmbëngulës dhe tingujt ngrihen në shpërthim energjie, derisa vepra përfundon me ndjesi triumfi dhe vrulli nga të gjitha instrumentet.
Për dirigjentin Toshio Yanagisawa, rikthimi i kësaj vepre në repertorin e Filharmonisë së Kosovës ka pasur domethënie të veçantë, duke pasur parasysh zhvillimin e orkestrës ndër vite. Në shumë prej koncerteve që ai ne dirigjon Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, teksa flet për progresin e saj, kujtuar fillimet e formacionit.
“Kur erdha këtu, në vitin 2007, pothuajse 20 vjet më parë, orkestra kishte vetëm rreth 20 deri në 25 anëtarë. Nuk kishte mjaftueshëm muzikantë për të realizuar një koncert me një formacion kaq të madh. Në atë kohë ishte e pamundur të interpretoheshin vepra të Tchaikovskyt, Shostakovichit, Debussy, Maurice Ravelit apo Gustav Mahlerit, të cilat kërkojnë një orkestër të madhe”, ka thënë Yanagisawa.
Ai ka theksuar se numri i muzikantëve është rritur gradualisht ndër vite dhe se ka zgjeruar mundësitë për të përfshirë në repertor vepra më komplekse dhe me kërkesa më të mëdha orkestrale.
“Anëtarët e rinj janë shumë të talentuar. Mendoj se sonte kanë treguar aftësi shumë të mira në interpretimin orkestral. Megjithatë, u duhet ende përvojë për të kuptuar plotësisht se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një orkestre dhe si funksionon një ansambël brenda saj. Simfonia e katërt 4 e Tchaikovskyt, veçanërisht lëvizja e parë, është mjaft e vështirë për një orkestër të re. Por ishte një përvojë e mirë për të gjithë”, ka thënë ai.
Yanagisawa ka veçuar edhe bashkëpunimin me solisten Julia Smirnova, duke e cilësuar interpretimin e koncertit për violinë si përvojë të rëndësishme për muzikantët e orkestrës.
“Solistja ishte fantastike. Ishte një përvojë shumë e mirë për orkestrën që të luante me një violiniste kaq të shkëlqyer. Muzikantët kanë mësuar shumë, veçanërisht të rinjtë”, ka thënë dirigjenti.
Për të, muzika e Tchaikovskyt ka një afërsi të veçantë me karakterin tingullor të Filharmonisë së Kosovës, pasi në të gjen dimensionin emocional që, sipas tij, i përshtatet orkestrës.
“Mendoj se Tchaikovsky ka një tingull më emocional, të cilin ne e kemi të nevojshëm. Filharmonia e Kosovës ka një tingull emocional dhe besoj se kjo muzikë i përshtatet orkestrës sonë”, ka thënë Yanagisawa.
Edhe violinistja Smirnova ka vlerësuar mënyrën se si orkestra u është qasur veprave të kompozitorit.
“Ishte shumë mirë, sepse dirigjenti Toshio Yanagisawa ndihmoi në përkthimin e kësaj muzike. Besoj se çdo muzikant ka një shpirt dhe se ata e kanë kuptuar këtë muzikë shumë thellë. Gjatë provave kanë dëgjuar me shumë kujdes atë që u kemi thënë dhe atë që kemi kërkuar, dhe kanë arritur t’i realizojnë të gjitha”, ka thënë ajo.
Koncerti ka shënuar rikthimin e “Simfonisë nr. 4” në repertorin e Filharmonisë së Kosovës, pas më shumë se 14 vjetësh. Vepra ishte interpretuar për herë të fundit më 4 mars të vitit 2012, duke e bërë paraqitjen e saj të së shtunës edhe rikthim të një pjese të rëndësishme të repertorit në skenën muzikore të vendit.