Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Elon Musk dhe 165 mijë të tjerë kërkojnë rikthimin e Huangut në krye të Nvidia-s

Elon Musk dhe Jensen Hung

Elon Musk dhe Jensen Hung

Foto: Associated Press

Elon Musk dhe një numër i madh drejtuesish të tjerë të kompanive të teknologjisë kanë bërë thirrje për rikthimin e Jensen Huangut në krye të Nvidia-s, mes raportimeve se ish-drejtori ekzekutiv po planifikon tashmë rikthimin në kompaninë e prodhimit të çipave, vetëm katër ditë pas dorëheqjes.

Një letër e hapur, e cila ka mbledhur më shumë se 165 mijë nënshkrime, kërkon që anëtarët e bordit të kompanisë “ta rikthejnë Jensenin, ndërkohë që një hetim i pavarur përcakton faktet”.

Dorëheqja e Huang të enjten i ka dhënë fund një periudhe 33-vjeçare në krye të kompanisë së inteligjencës artificiale, të cilën ai e bashkëthemeloi. Vendimi erdhi pas raportimeve se ai kishte pasur të paktën dy lidhje jashtëmartesore, njëra me një grua të akuzuar për spiunazh në favor të Kinës dhe tjetra me një vartëse të tij.

Sipas Financial Times, Huang ka diskutuar me personat e afërt me të, mundësinë e rikthimit në kompani. Një aleat i Huangut i ka thënë gazetës se po organizonin një “qendër operacionale” me drejtues të kompanive të Silicon Valley-t, për të lobuar në favor të rikthimit të ish-drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s. Ata synojnë gjithashtu të sigurojnë mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë.

“Çdo person me rëndësi në sektorin e teknologjisë, jashtë laboratorëve kryesorë të inteligjencës artificiale, e vlerëson Jensenin”, ka thënë ky person, duke shtuar se përpjekjet për rikthimin e tij kanë mbështetjen e vetë Huangut.

Të premten, dy aksionarë të mëdhenj, investitorët Brad Gerstner dhe Gavin Baker, i kërkuan bordit që të mbajë të hapura “të gjitha mundësitë”.

Megjithatë, në Uashington, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka argumentuar të dielën se Nvidia duhet ta kërkojë pasardhësin e Huangut jashtë kompanisë.

“Ata kanë nevojë për një riorganizim rrënjësor”, ka thënë Bessent për Fox News.

Bessent i ka kërkuar gjithashtu Nvidia-s të sqarojë nëse ka lejuar me vetëdije që çipat e saj më të avancuar për inteligjencën artificiale të përfundojnë në Kinë, duke thënë se kjo çështje është më e rëndësishme sesa lidhja jashtëmartesore e Huangut me Alice Huang, e dyshuar për spiunazh në favor të Pekinit.

SHBA-ja ndalon shitjen e çipave më të avancuar të inteligjencës artificiale drejt Kinës, si pjesë e strategjisë së saj për të ruajtur epërsinë ndaj Pekinit në garën për dominimin e inteligjencës artificiale.

Në fund të vitit 2025, Trumpi ka autorizuar shitjen e çipave H200 të Nvidia-s drejt Kinës, por jo të çipave më të avancuar që përdoren për funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale, të cilat po transformojnë shoqërinë moderne.

“Asgjë më e avancuar se H200 nuk mund t’u shitet kinezëve”, ka thënë Bessent, duke shtuar se është e rëndësishme të hetohet “nëse Nvidia kishte një kulturë të respektimit të kufizimeve amerikane për eksportet”.

Bessent ka thënë se dëshiron të marrë përgjigje nga Nvidia dhe nga hetimi i brendshëm i kompanisë për sjelljen e Jensen Huangut brenda 10 ditëve të ardhshme.

Ligjvënësit amerikanë kanë deklaruar se edhe administrata e Donald Trumpit duhet t'u përgjigjet pyetjeve se çfarë dinte për marrëdhënien e Huangut me të dyshuarën për spiunazh kinez.

Jensen Huang ka rënë dakord të paraqitet para komitetit të posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën, si dhe para komiteteve për çështjet e jashtme dhe inteligjencën. Datat e paraqitjeve, të cilat ka të ngjarë të zhvillohen me dyer të mbyllura, ende nuk janë konfirmuar.

Të hënën, Megaspeed, kompania me seli në Singapor, ku Alice Huang ishte drejtuese deri në largimin e saj në vitin 2025, ka deklaruar se është një “biznes legjitim dhe që vepron në përputhje me ligjin”.

Gjatë tri vjetëve të fundit, kompania ishte një nga klientët më të mëdhenj të huaj të Nvidia-s, duke blerë çipa të inteligjencës artificiale dhe pajisje të avancuara në vlerë prej afro pesë miliardë dollarësh.

Përveç Muskut, ndër nënshkruesit e njohur të letrës që kërkojnë rikthimin e Huangut janë edhe Tim Sweeney, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë së videolojërave Epic Games, si dhe Garry Tan, president i Y Combinator, inkubatorit më të njohur të bizneseve në San Francisko.

Një tjetër nënshkrues, bashkëthemeluesi i Uber, Travis Kalanick, ka shkruar se Huangu ka gabuar dhe se të gabosh është njerëzore. Ai ka shtuar se nuk beson se Huangu ka bërë diçka që justifikon shkëputjen e tij nga kompania.

Më shumë se 7,500 nënshkrues janë identifikuar si punonjës të Nvidia-s, që përbëjnë rreth 18 për qind të fuqisë punëtore të kompanisë.

Kjo mbështetje dëshmon pozitën e veçantë që gëzon Huangu, i cili shihet si një figurë themelore e inteligjencës artificiale në këtë industri. Nën drejtimin e tij, Nvidia u bë një investitor kyç në Silicon Valley, duke financuar qendra të të dhënave dhe kompani të reja teknologjike, çka i dha asaj nofkën “banka qendrore e inteligjencës artificiale”.

Megjithatë, kompania, e cila të martën do të publikojë rezultatet financiare për tremujorin e fundit, është përballur edhe me kritika se ka nxitur krijimin e një flluske spekulative investimesh.

Huangu ka kundërshtuar çdo kufizim të garës për zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke u përplasur për këto çështje me kompaninë Anthropic, krijuesen e modelit Claude, dhe drejtuesin e saj, Dario Amodei.