Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Nëntë vjet pas debutimit, Kosova shpreson në fillim të suksesshëm

Kosova

Në “Veritas Stadion” në Turku, Kosova e ka luajtur ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionat Botëror. Për Kosovën ishte edhe ndeshja e parë garuese në përgjithësi.

Finlandë – Kosovë ishte luajtur më 5 shtator 2016, në praninë e 7571 shikuesve. Ndeshja kishte përfunduar 1:1.

Saktësisht nëntë vjet më vonë, të premten, Kosova e nis rrugëtimin e ri në kualifikimet e Botërorit. Sërish në grup shumë sfidues, por me shpresa për kualifikim në Botërorin që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë e Kanada.

Optimizëm për kualifikim kishte edhe nëntë vjet më parë. Sidomos pas barazimit me Finlandën në udhëtim në ndeshjen e parë. 

Por gjatë kualifikimeve e sidomos pas tyre, u kuptua se Botërori ishte një ëndërr, atëherë e largët, për Kosovën.

Edhe A është fitorja ndaj Suedisë më e madhja e Kosovës deri më tani? Futboll A është fitorja ndaj Suedisë më e madhja e Kosovës deri më tani?

Organizimi në përfaqësuese e rreth saj, nuk ishte as për së afërmi ai i kërkuar për kualifikim në ngjarjen më të madhe të futbollit. Konkurrenca në ekip po ashtu nuk ishte e duhura, njëjtë si disiplina. Kishte rrethana të tjera rënduese po ashtu.

Dhe pika e fituar ndaj Finlandës mbeti e vetmja. Kosova në kualifikimet për Kupën e Botës 2018 i zhvilloi plot dhjetë ndeshje. Tani i ka vetëm gjashtë.

Pas barazimit me Finlandën, Kosova i humbi të gjitha nëntë ndeshjet. Paraqitjet e mira ishin të kohëpaskohshme, por pa rezultat. Pa pikë të fituara.

Më 6 tetor 2016, erdhi goditja që e ktheu përfaqësuesen në realitet. Kroacia fitoi 6:0 në Shkodër. Pasoi humbja 3:0 nga Ukraina, 2:0 nga Turqia e humbjet e tjera. Nëntë rresht.

Grupin e fitoi Islanda me 22 pikë. 20 pikë i mblodhi Kroacia që u kualifikua në plejof, e më pas në Botëror e më pas shkoi deri në finale. 

Ukraina u rendit e treta me 17 pikë, Turqia i kishte 15 e Finlanda nëntë. Kosova një.

Prej lojtarëve që startuan ndaj Finlandës, në përfaqësuese janë ende Amir Rrahmani, Leart Paçarada, Valon Berisha e Milot Rashica. Por Rashica mungon në ndeshjet e këtij muaji. Vedat Muriqi ishte vetëm rezervist në atë ndeshje.

Edhe Nga mbishkrimi “kos” te ndeshjet pa shikues – të veçantat e kualifikimeve të Kosovës për Botëror Futboll Nga mbishkrimi “kos” te ndeshjet pa shikues – të veçantat e kualifikimeve të Kosovës për Botëror

Të pasuksesshme për Kosovën ishin edhe kualifikimet për Kupën e Botës 2022. Sërish ishte vetëm e fundit. Prej tetë ndeshjeve mblodhi pesë pikë, dy më pak se Gjeorgjia. Spanja e fitoi atë grup, ndërsa Suedia si e dyta vazhdoi në plejof. Spanja i kishte 19 pikë e Suedia 15. Me 10 pikë fushatën kualifikuese e përfundoi Greqia e pas saj ishte Gjeorgjia.

Në ndeshjen e parë, më 28 mars 2021, Kosova u mposht 3:0 nga Suedia në “Fadil Vokrri”. Transferimi më i madh i verës, Alexander Isak, kishte shënuar njërin nga golat. Për shkak të pandemisë ajo ndeshje ishte luajtur pa shikues.

Menjëherë më 31 mars 2021, Kosova ishte mposhtur 3:1 nga Spanja në Sevilla.

Fitorja e parë dhe e vetmja deri më tani në kualifikime për Botëror ishte ajo ndaj Gjeorgjisë, më 2 shtator 2021. Në Batumi, golin për fitoren 1:0 e kishte shënuar Vedat Muriqi.

Muriqi kishte shënuar edhe për barazimin 1:1 me Greqinë më 5 shtator 2021, ndërsa pikë tjetër ishte fituar ndaj Greqisë në udhëtim. Por sërish me pesë pikë Kosova ishte shumë, shumë larg ëndrrës për kualifikim në Botëror.

Në kualifikimet e treta për Botëror, Kosova është në grup me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë. Sipas ndarjeve të bëra në vazo, Kosova është autsajdere e grupit. Megjithatë ka shpresë për kampanjë të suksesshme e te disa edhe për kualifikim në Botëror. Organizimi në përfaqësuese e rreth saj vlerësohet dukshëm më i mirë. Grupi i lojtarëve vlerësohet i konsoliduar, shtabi teknik me përvojë e konkurrenca e mirë. Selektori Franco Foda nuk i ka kushtuar shumë rëndësi mungesave. Edon Zhegrova, Milot Rashica, Florent Hadërgjonaj, Emir Sahiti janë prej lojtarëve që mungojnë. 

Edhe E kaluara e Kosovës në kualifikimet për Botëror Futboll E kaluara e Kosovës në kualifikimet për Botëror

“Kemi treguar se jemi të aftë për të përballuar të gjitha mungesat. Kemi krijuar ekip shumë të mirë. Dhe jemi shumë optimistë se në ndeshjet e radhës edhe me mungesa të tilla do t’ia dalim”, ka thënë Foda në konferencën e parë në këtë grumbullim.

Testi i vërtetë për “Dardanët” do të jetë ndeshja e së premtes me Zvicrën. Testi i dytë është menjëherë të hënën ndaj Suedisë. Dhe më 18 nëntor, kur luhet ndeshja tjetër me Zvicrën dhe e fundit e këtyre kualifikimeve, do të dihet nëse fushata ishte e suksesshme apo sërish synimet e ëndrrat nuk ishin në përputhje me forcën reale.