Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Nga mbishkrimi “kos” te ndeshjet pa shikues – të veçantat e kualifikimeve të Kosovës për Botëror

Kosova

Të premten, nga ora 12:00, tërhiqet shorti i kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026 në futboll. Kosova është në vazon e katërt. Për Kosovën do të jetë hera e tretë që paraqitet në kualifikimet për Botëror. Dy kampanjat e para ishin plot ngjarje e sfida, shumë prej të cilave nuk i kishin përfaqësueset e tjera

Me plot zhvillime ishin për Kosovën dy ciklet e deritashme kualifikuese për Kupën e Botës në futboll. Përfaqësuesja e Kosovës debutoi në skenën ndërkombëtare në kualifikimet për Botërorin 2018.

Pas pranimit në UEFA e FIFA, Kosova u vendos në Grupin I, pasi shorti tashmë ishte tërhequr. Por, ende pa nisur gara nisën zhvillimet. Konfederata Evropiane e Futbollit vendosi që Kosova të mos jetë në një grup me Bosnjë-Hercegovinën për arsye sigurie. Dhe ndaloi ndeshjet e Kosovës me Bosnjë-Hercegovinën e Serbinë, e ndërkohë edhe me Rusinë.

Me sfidat që nuk i kishin përfaqësueset e tjera, Kosova nisi të përballej që në ndeshjen e dytë. Ndeshja Kosovë – Kroaci u zhvillua më 6 tetor 2016. Kosova ishte vendase por ndeshja u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, pasi vendi në atë kohë nuk kishte asnjë stadium të denjë. Në Shkodër i luajti të gjitha ndeshjet si vendase në kualifikimet e para.

Më 9 tetor 2016, Kosova luajti në udhëtim ndaj Ukrainës. Por jo në Ukrainë. Ndeshja u zhvillua në Krakow të Polonisë, në praninë e 999 shikuesve. Nuk u lejuan as 1.000 shikues. Në Ukrainë nuk kishte luftë atëbotë, por Kosova u detyrua të luante vend neutral pasi Ukraina nuk njihte (dhe nuk njeh) shtetin e Kosovës dhe nuk njihte pasaportën e saj. Për shumë vjet Ukraina nuk ka lejuar hyrjen e sportistëve kosovarë në territorin e saj.

Një tjetër e veçantë i kishte ndodhur Kosovës në Zagreb. Ndeshja me Kroacinë kishte nisur më 2 shtator 2017 dhe kishte përfunduar më 3 shtator, pasdite. Më 2 shtator ndeshja ishte ndërprerë për shkak të reshjeve të mëdha dhe kishte vazhduar të nesërmen.

Edhe Një ndeshje e Kosovës e vetmja e “ndalur” në edicionin e ri të Ligës së Kombeve Futboll Një ndeshje e Kosovës e vetmja e “ndalur” në edicionin e ri të Ligës së Kombeve

Atë kampanjë kualifikuese Kosova e përfundoi me vetëm një pikë dhe në vendin e fundit në grup.

Komplikime edhe më të mëdha të natyrës politike u paraqitën në kualifikimet për Kupën e Botës 2022. Kosova në grup kishte përfaqësuese të tri vendeve që nuk e njohin shtetin e Kosovës: Spanjës, Greqisë dhe Gjeorgjisë.

Ndërkohë kampanja kualifikuese u zhvillua në kohën e pandemisë COVID-19. Ndeshja e parë e “Dardanëve” ishte në “Fadil Vokrri” më 28 mars 2021. Në stadiumin e zbrazët, për shkak të pandemisë, Kosova humbi 3:0 nga Suedia.

Menjëherë, më 31 mars 2021, Kosova luajti në Sevilla ndaj Spanjës, sërish pa shikues. Spanja bëri diskriminime të shumta sa i takon prezantimit të Kosovës. Ndër të tjera, në transmetim televiziv e shkroi “kos” (me shkronja të vogla), derisa e shkroi me shkronja të mëdha ESP.

Ministria e Sportit e Spanjës dhe Federata spanjolle kishin përcaktuar kushtet se si do të transmetohej ndeshja. Ideja ishte që ndeshja të paraqitej si duel i një shteti, Spanjës, me një federatë, Kosovës.

“Spanja takohet me ekipin e Federatës së Futbollit të Kosovës duke pritur se nuk do të vuajë aq shumë sa në dy takimet paraprake”.

Edhe Nëntë vjet pas debutimit, Kosova shpreson në fillim të suksesshëm Futboll Nëntë vjet pas debutimit, Kosova shpreson në fillim të suksesshëm

Me këtë fjali nisi transmetimin komentatori i ndeshjes Juan Carlos Rivero. Qëllimi i parë, për të mos përmendur emrin “Kosova” u arrit. Madje ishte provuar edhe termi “territori i Kosovës”, por që ngjalli reagime të shumta në Kosovë, pas një postimi që më 9 mars.

Gjatë transmetimit më së shumti u përdor termi “ekipi kosovar”. Pati edhe plot shkelje të tjera gjatë transmetimit të ndeshjes e po ashtu në shkrimet e Federatës spanjolle, ndërsa të gjitha ishin pjesë e një skenari të përgatitur nga përgjegjësit spanjollë.

Në shtator 2021, Kosova e priti Greqinë në “Fadil Vokrri”, ndërsa u lejuan 1.200 tifozë në stadium, aq sa ishin edhe ndaj Spanjës pak ditë më pas. Masat ndaj pandemisë po zbuteshin gradualisht.

Sërish Kosova pati kualifikime të pasuksesshme. Mbeti e fundit në grup me vetëm pesë pikë.

Përfaqësuesja e Kosovës të premten mëson kundërshtarët e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Në short do të jetë në vazon e katërt. Varet nga kundërshtarët që do të jenë në grup, nëse do të ketë komplikime të tjera. Por ato nuk përjashtohen, sidomos nëse përballet me përfaqësueset e vendeve që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Të tilla ka në tri vazot e para.

Në vazon e parë është Spanja, që ndërkohë ka zbutur qëndrimin ndaj Kosovës. Në vazon e dytë janë Ukraina, që tashmë të gjitha ndeshjet i luan në terren neutral, pastaj Rumania, Greqia, Sllovakia. Në vazon e tretë është Gjeorgjia, me të cilën Kosova nuk ka raporte diplomatike. Është edhe Bosnjë-Hercegovina, por FIFA nuk lejon ndeshjet ndaj saj.

Edhe Grupi “jopolitik” i Kosovës, “Dardanët” mund të fokusohen vetëm në futboll Futboll Grupi “jopolitik” i Kosovës, “Dardanët” mund të fokusohen vetëm në futboll

Kur të tërhiqet shorti, ende në kujtesë do të jenë ngjarjet që ndodhën në Bukuresht muajin e kaluar në ndeshjen Rumani – Kosovë. Ajo ndeshje u vendos nga UEFA me rezultat 3:0 në të mirë të Rumanisë. Lojtarët e Kosovës e braktisën fushën në minutat shtesë, kur nga tribuna u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia”.

Rumunët u gjobitën rëndë, por ndeshja megjithatë u humb nga Kosova. Situata të ngjashme nuk përjashtohen as në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, që zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm.