Ekspozita “Më shumë për Mitrovicën” është hapur sot në “Modelariumin” e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë. Puna e studentëve, profesorëve e hulumtuesve ka rezultuar me shpalosjen e pasurive kulturore të qytetit verior. Para një numri të madh të publikut janë ekspozuar rrëfime të ish-punëtorëve të Trepçës, të dhëna për zonat e trashëgimisë kulturore, planet e tyre si ajo e shtëpisë së Xhafer Devës e të qendrës kulturore të Mitrovicës.
Planet e intervenimeve emergjente në Postën e Vjetër, të ndërtesës së Komunës së Mitrovicës, të dhëna demografike e gjeografike kanë kompletuar Mitrovicën në një.
Punimet për ekspozitën kishin filluar gjashtë muaj më parë në kuadër të projektit “Vizioni i hapësirave industriale të Mitrovicës”. Profesoresha Florina Jerliu e ka vlerësuar ekspozitën si mision përtej detyrës akademike.
Një pjesë e ekspozitës, ajo e rrëfimeve të ish-punëtorëve të Trepçës, pritet të lansohet shumë shpejt në format audiovizual.
Ekspozita shumëdimensionale vjen si dëshmi se ka ide dhe vizion për të kontribuar më tej në zhvillimin e Mitrovicës. Sipas udhëheqësit të “7Arte”, Lulzim Hoti, organizata ka punuar edhe më parë në projekte të tilla, por jo në një kaq të zgjeruar.
Në zbatimin e ekspozitës kanë marrë pjesë 50 studentë të vitit të katërt dhe të pestë, në kuadër të lëndëve semestrale. Ekspozita të brendshme ishin organizuar më parë, por për herë të parë një e tillë që synon publik më të gjerë. Studentja Dafina Raci e cila ka qenë e angazhuar në projektin për Trepçën, e ka vlerësuar punën tejet të rëndësishme për ta.
Këngët e mitrovicasit Muharrem Qena dhe një koktej rasti u kanë ofruar rehati të pranishmëve teksa janë njohur më shumë me Mitrovicën. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në “Modelariumin” e Fakultetit të Arkitekturës deri më 1 shkurt.