Dy organizatat do të akomodojnë secilin artist në tri studiot e “Grand Art Studios” në hapësirat e hotelit “Grand” në Prishtinë. Në një formë a tjetër, tre artistë do të “punësohen” për tre muaj, duke u ofruar atyre rezidencën me titull “Hajde me tepru” në hapësirat ku mund të shpalosin lirshëm shprehjet e tyre artistike
Fondacioni “Hajde!” dhe instituti “Sekhmet” janë bërë bashkë për rezidencën artistike tremujore. Tre artistë do të jenë përfitues, e produkti i gjithë punës do të jetë ekspozita që do të trajtojnë temat e komunitetit LGBT+. Dy organizatat do të akomodojnë secilin artist në tri studiot e “Grand Art Studios” në hapësirat e hotelit “Grand” në Prishtinë.
Në një formë a tjetër, tre artistë do të “punësohen” për tre muaj, duke u ofruar atyre rezidencën me titull “Hajde me tepru” në hapësirat ku mund të shpalosin lirshëm shprehjet e tyre artistike.
Fillimisht thirrja publike është bërë në fillim të këtij muaji ku janë ftuar artistë vizualë dhe performues nga Kosova, diaspora dhe rajoni që t’i bashkohen komunitetit krijues të “Hajde!”, që është themeluar nga artisti me nam botëror Petrit Halilaj dhe “Sekhmet” që udhëhiqet nga Dardan Hoti. E të hënën në mbrëmje është mbajtur një takim informues rreth rezidencës “Hajde me tepru”.
Dardan Hoti, udhëheqës i institutit “Sekhmet” që avokon çështjet e komunitetit “queer”, si dhe Rina Statovci, koordinatore në “Grand Art Studios”, kanë pritur në takim joformal disa prej artistëve të interesuar në lidhje me rezidencën. Në njërin prej bareve të kryeqytetit kanë qenë për nja dy orë.
Hoti ka thënë se programi që do të zhvillohet përgjatë këtyre tre muajve varet nga artistët në bashkëpunim me kuruesen e projektit.
“Artistët së bashku me kuratoren, gjatë këtyre tre muajve, do të vendosin nëse do të bëjnë ndonjë studio të hapur, ndonjë bisedë me artistët, punëtori, ose çfarëdo ngjarje që duan të prezantojnë punën e tyre ose kanë interes për projektet që i kanë. Në fund është ekspozita që del prej punimeve të kuadër të këtij programi. Potencialisht, menjëherë pas rezidencës ose gjatë mbylljes, do të hapet ekspozita dhe pastaj ajo qëndron për një muaj”, ka thënë ai.
Kuratore do të jetë Anyla Kabashi, kuratore dhe koordinatore e artit në “Sekhmet”.
Rezidenca mbahet prej 1 dhjetor deri më 28 shkurt dhe prioritet kanë artistët “queer” dhe ata që eksplorojnë këto tema në praktikën e tyre.
“Sivjet ka ndërruar që e kemi lënë të hapur edhe për artistët e regjionit dhe ata të diasporës, nuk janë vetëm artistë lokalë. Ndryshe nga hera e kaluar ku thirrja ka qenë e hapur vetëm për artistë me bazë në Kosovë. Këta artistë që synojnë të përzgjidhen do të jenë ata që nuk kanë studio të tyre dhe kanë nevojë për një të tillë. Prioritet kanë artistët ‘queer’ ose ata që nëpërmjet veprave të tyre do të prekin çështjet e këtij komuniteti”, ka shpjeguar Hoti më tej.
Është bërë e ditur se rezidentëve u ofrohet honorar artistik dhe përkrahje në prodhim, studio të pajisura, mjete e materiale për veprat e tyre, programe publike në bashkëpunim me artistët, përkrahje kuratoriale, logjistike edhe të komunikimit.
E krejt kjo kulmon me ekspozitë edhe sipas koordinatores Rina Statovci.
“Qëllimi është që këta artistë, sa janë në studio, të krijojnë vepra të reja gjatë tre muajve, të cilat pastaj i shfaqim në një ekspozitë të përbashkët”, ka thënë ajo derisa është shprehur se artistëve u ofrohen hapësirë ku ata mund të ndihen të sigurtë dhe të shprehin të gjitha idetë.
Në prill të këtij viti, hapësirat e “Grand Art Studios” të fondacionit “Hajde!” u përuruan me një ekspozitë me veprat e artistëve Trina Hashani, Shkamb Jaka dhe Endrit Jashanica. Ishte rezultat i rezidencës dymujore artistike.
Veprat patën trajtuar rrëfime krejt të ndryshme, në hapësirën që ka një qëllim: lidh artistët dhe vizitorët për ta frymëzuar njëri-tjetrin.
E për sivjet, Statovci nga “Hajde!” ka thënë se ka qenë ideja të krijohet një identitet i kësaj rezidence.
“Është edicioni i dytë në kuadër të fondacionit ‘Hajde!’, këtë vit në bashkëpunim me institutin ‘Sekhmet’. Ideja e këtij edicionit ka qenë edhe me ia ndërru pak emrin, me kriju edhe një identitet tamam të rezidencës. Prandaj kemi vendosur t’ia lëmë emrin ‘Hajde me tepru’, që në një mënyrë hapësira të shfrytëzohet prej artistëve, ta teprojnë, të krijojnë”, është shprehur ajo.
Ka thënë se është shumë i rëndësishëm fokusimi në një komunitet a temë të veçantë në këtë projekt të “Grand Art Studios”, i cili e ka nisur praktikën si hapësirë multidisiplinare.
“Është shumë i rëndësishëm, sepse edhe artistët e kemi diskutuar që, prej kur është themeluar ‘Hajde!’, është themeluar për një arsye, për t’u dhënë një platformë artistëve, për t’u ndihmuar artistëve të rinj në Kosovë. Kjo ka qenë ideja kryesore e themeluesve, Petritit dhe Hanës. Duke e parë çfarë impakti pozitiv ka pasur vitin e kaluar ‘Grand Art Studios’, këtë vit kemi vendosur që të bashkëpunojmë me Sekhmet’ dhe të prekim në një temë që është shumë e rëndësishme, në këtë rast mbështetja e artistëve ‘queer’ në Kosovë. Ta kenë një hapësirë ku mund të ndihen të sigurt, të krijojnë vepra të reja të artit dhe të ndihem mirë e të punojnë atë që duan ta bëjnë”, ka konsideruar ajo.
E rezidenca nuk kufizohet në mediume artistike. Madje Dardan Hoti ka bërë të ditur se jo patjetër veprat duhet të jenë të përfunduara deri në përfundim të rezidencës.
“Jo patjetër veprat duhet të jenë të përfunduara, sepse dikujt mund t’i zgjasin edhe një vit, por deri aty sa ka punuar, deri në atë pikë ku ka mbërritur”, ka thënë ai.
Është shprehur se ky aktivitet u sjell liri shprehëse artistët “queer”.
“Janë të lirë të krijojnë çfarë të duan sepse zakonisht, sidomos këtë vit, për shkak që pasi organizohet me ‘Sekhmet Institute’ që e ka avokimin për komunitetin LGBT+ dhe zakonisht duke biseduar edhe me Petritin e kemi parë se si nganjëherë artistët queer e kanë të vështirë të dalin me identitetin e tyre, me emrat e tyre, për shkak të stigmës. Gjithë këto mbase edhe e bëjnë të vështirë zhvillimin e projekteve të tyre në familjet e tyre. Kështu që është njëfarë ‘hajde me tepru’ që nëse nuk mundesh t’i bësh këto gjëra në shtëpi, mundesh t’i bësh në studio dhe të jesh i hapur”, ka thënë Hoti.
Afati për aplikim në rezidencën artistike “Hajde me tepru” është më 20 nëntor.