Partneriteti me “Cité internationale des arts” ia ka mundësuar Galerisë Kombëtare të Kosovës që për herë të parë të mundësojë rezidencë artistike në Paris për tre artistë e që në fakt është mundësi unike për ta duke marrë mbështetje në njërin prej programeve më të njohura franceze të rezidencave të këtij lloji. Fituesit për tre muaj do të kenë mundësi që “t’i bashkohen një komuniteti me mbi 300 artistë dhe profesionistë të kulturës nga e gjithë bota, duke përfituar nga një mjedis dinamik që inkurajon bashkëpunimin dhe eksperimentimin”
Galeria Kombëtare e Kosovës synon të ngrijë kapacitetet institucionale dhe të krijojë hapësira të reja për zhvillimin e skenës artistike nëpërmjet rezidencave artistike. Në qytetin që pos tipareve të tjera e veçon edhe arti në Paris, mundësinë e kanë tre artistë të cilët do të qëndrojnë atje për tre muaj.
Thirrja është e hapur ndërsa përzgjedhja do të bëhet nëpërmjet paraqitjes së veprave në një ekspozitë kolektive në ambientet e Galerisë, e cila do të vlerësohet nga një juri profesionistësh.
Juria do të përzgjidhet midis institucionit më të lartë të artit vizual në vend dhe programit të rezidencave “Cité internationale des arts” në Paris, si rrjedhojë e bashkëpunimit të dy institucioneve.
Ky bashkëpunim është për tre vjet dhe nga Galeria thonë se synojnë që ky partneritet të vazhdojë edhe më gjatë.
Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, ka thënë se thirrja është e hapur për artistë të të gjitha disiplinave dhe pa kriter moshe.
“Thirrja e hapur kërkon që të krijohet një vepër e re dhe mbështetet krijimi e komisioni i këtyre veprave të reja, e në rezidencë mund të përzgjedhin të bëjnë çfarëdo që duan, mund edhe të mos krijojnë, mund të jetë hapësirë për reflektim, hulumtim a studim në këtë pikë të karrierës së tyre”, ka thënë ajo në një bisedë për KOHËN.
Te kriteret e thirrjes theksohet se artistët pjesëmarrës duhet të jenë shtetas të Kosovës, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, me më së paku tre vjet përvojë profesionale në fushën e arteve. Thuhet se pranohen edhe aplikime nga dy artistë dhe kolektive.
Halilaj e konsideron shumë të rëndësishme këtë mundësi për artistët vendorë duke pasur parasysh mundësitë e pakta në vend, madje edhe për të ekspozuar punën e tyre.
“Është tepër e rëndësishme të ketë mundësi të tilla duke konsideruar limitin e mundësive që janë në Kosovë, edhe për prezantim, edhe për zhvillim por edhe mundësi për të parë ekspozita të tjera”, ka thënë ajo duke theksuar edhe aspektin e avancimit profesional të artistëve pjesëmarrës në këtë rezidencë artistike në Paris.
“Veç duke qenë në një mjedis aq dinamik që aq shumë ofrojnë institucionet kulturore, të gjitha profilet e mundshme të artit, është rëndësi e jashtëzakonshme për praktikën e artistit, sidomos për ata që janë në fillim dhe të rinj. Sa më shumë që mund të shohin dhe të njoftohen me praktikat e ndryshme, të jenë pjesë e diskurseve të ndryshme e debateve, është hap kritik për zhvillim dhe zgjerim të horizontit”, ka thënë kuratorja Hana Halilaj.
Siç bëhet e ditur nga GKK-ja, partneriteti me “Cité internationale des arts”, institucion me të cilin mundësohet programi i rezidencës, synon të mbështesë shkëmbimet ndërkombëtare të artistëve me bazë në Kosovë, të zgjerojë rrjetet e tyre profesionale dhe artistike, si dhe të zhvillojnë tutje praktikat e tyre përmes mbështetjes për prodhim të veprave.
E themeluar në vitin 1965, “Cité...” është një nga programet më të rëndësishme të rezidencave artistike në Francë. E vendosur në zemër të Parisit, ajo mbledh së bashku artistë dhe profesionistë të kulturës nga e gjithë bota, duke u ofruar hapësirë dhe burime për të zhvilluar projekte krijuese ose për të ndjekur kërkime në të gjitha disiplinat artistike.
“’Cité internationale des arts’ nxit një mjedis që inkurajon eksperimentimin, dialogun dhe bashkëpunimin. Rezidencat, të cilat zgjasin nga dy muaj deri në një vit, u ofrojnë artistëve mbështetje të personalizuar nga ekipi i përkushtuar i institucionit dhe mundësi për t’u lidhur me një rrjet të gjerë profesionistësh kulturorë”, shkruhet për institucionin.
Halilaj ka thënë se është ndër institucionet më të njohura për rezidenca ku ndër vite ka pasur emra të mëdhenj të artit aty, e prej tyre edhe ata shqiptarë.
“Ka pasur edhe shumë artistë shqiptarë, madje gjatë partneritetit e kemi parë që ka pasur artistë edhe në vitet ’70. Jemi munduar që programin ‘Artistët e rinj’ që e ka pasur Galeria Kombëtare në të kaluarën, ta ristrikturojmë dhe rimendojmë. Kemi dashur t’i shmangemi një programi ku përzgjidhet një artist dhe vetëm ai e merr rezidencën, por më shumë e kemi menduar si mbështetje të plotë për tre artistë që do të zgjidhen përmes kësaj thirrjeje të hapur”, ka thënë ajo.
Bëhet e ditur se programi do të zhvillohet në dy faza. Fillimisht është ekspozita grupore në ambientet e tanishme të Galerisë në lagjen “Qafa” në Prishtinë. Janë bërë të ditura datat: 10 dhjetor deri më 9 shkurt të 2026-s. Pasohet me rezidencën tremujore në mars që mbulon të gjitha shpenzimet për të përzgjedhurit.
“Rezidenca do t’i ofrojë secilit artist një studio të mobiluar për të jetuar dhe punuar në lagjen “Marais”, bursë mujore, mbështetje profesionale dhe mundësi rrjetëzimi, si dhe mbulim të shpenzimeve të udhëtimit dhe sigurimit. Në Paris artistët e përzgjedhur do t’i bashkohen një komuniteti me mbi 300 artistë dhe profesionistë të kulturës nga e gjithë bota, duke përfituar nga një mjedis dinamik që inkurajon bashkëpunimin dhe eksperimentimin”, bën të ditur Galeria.
Do të përkrahen edhe veprat e prezantuara në ekspozitën në GKK, e cila do të kurohet nga Hana Halilaj. Sipas saj, përzgjedhja do të bëhet nga juria që do të formohet nga dy institucionet ndërsa ky aktivitet është i pari i tillë që e organizon institucioni shtetëror i artit pamor.
“Është hera e parë që bëhet ky bashkëpunim dhe çfarë është pjesa më e mirë, është që si marrëveshje fillestare, që shpresojmë se do të zgjasë edhe për shumë vjet, është bërë për tre vjetët e ardhshëm, me idenë që të jetë një bashkëpunim edhe më afatgjatë. Është gjithashtu edhe hera e parë që Galeria si institucion ofron rezidenca dhe mbështetje të tillë për artistë të rinj në karrierë, por jo në moshë”, ka thënë Halilaj.
Koha për aplikim është deri më 30 shtator. Është bërë e ditur se rezultatet shpallen javën e dytë të tetorit.