Ciro Immobile dëshiron ta lë prapa të kaluarën dhe synon t’i kthehet golave për ta ndihmuar Italinë ta fitojë Evropianin. 31-vjeçari shënoi dy gola në tri paraqitje në fazën e grupeve të “Euro 2020”, por ka qenë në shënjestër të kritikave për mungesë të paraqitjeve të mira me Italinë, për të cilën ka shënuar 15 gola në karrierën e tij.
“Unë ndiej besimin e të gjithëve, tani ndihem shumë mirë. Ne luajtëm një lojë shumë të mirë kundër Austrisë, mbase jo ndeshjen më të mirë, por sollën rezultatin në shtëpi”, tha sulmuesi i Lazios në konferencën për media. “Ndiej që të gjithë po më besojnë, nuk jam ndjerë kurrë kështu. Unë duhet të kisha mundur të kisha shënuar më shumë gola me ekipin përfaqësues, por një fitore mund ta shlyej të kaluarën dhe të gjitha gjërat që janë thënë. Marrëdhënia me Mancinin është përmirësuar dhe kjo është e rëndësishme. Unë gjithmonë përpiqem të jap më të mirën time dhe Vialli po më ndihmon shumë”, ka theksuar Immobile.
Italia është duke luajtur në turneun e parë të madh të futbollit pas pesë vjetësh, pasi nuk arriti të kualifikohet në Kupën e Botës të mbajtur në vitin 2018. Italia në çerekfinale do të luaj ndaj Belgjikës.