E tronditur nga dështimi për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror për herën e dytë rresht, Përfaqësuesja e Italisë ka një problem tjetër urgjent: ku t'i gjejë golat?
Italia mori lëvdata kur triumfoi në Kampionatin Evropian të vitit të shkuar, të cilat kryesisht lidheshin me efikasitetin e repartit të sulmit. Roberto Mancini e transformoi Italinë nga skuadra e turpshme që humbi kupën e botës “Rusia 2018” në një ekip që mbushi rrjetat kundërshtare gjatë një serie që ishte rekord botëror prej 37 ndeshjeve pa humbje, duke shënuar katër, pesë, gjashtë, shtatë dhe madje nëntë gola në periudha të ndryshme.
Megjithatë, ky sulm efikas nuk është më. Italisë po i mungojnë golat. Kampanja kualifikuese e Italisë për botërorin “Katari 2022” ishte e pasuksesshme për shkak të mungesës së golave. Dhe kjo kushtoi shumë shtrenjtë. Madje, Italisë i mungoi goli edhe në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit që e humbi nga Maqedonia e Veriut.
Përzgjedhësi Mancini e ka vënë në dukje problemin që i është shfaqur kohët e fundit. Vetëm një nga 13 më të mirët në tabelën e golashënuesve të Serie A këtë sezon është italian. Ai është sulmuesi i Lazios, Ciro Immobile, i cili gjithmonë ka pasur telashe që formën e treguar në nivel klubi ta bartë edhe në Përfaqësuese.
“Është një anomali, sepse Italia gjithmonë ka pasur sulmues të mëdhenj. Mirëpo, për fat të keq, ka kohë që klubet e mëdha të Italisë kanë në radhët e veta shumë sulmues të huaj. I vetmi që e kemi pasur në Serie A tashmë një kohë është Immobile”, pranoi Mancini të hënën në konferencën për shtyp. “E kjo na krijon paksa vështirësi dhe nuk është aspak problem i vogël. Ne po shpresojmë që së shpejti të dalin dy apo tre sulmues të cilët mund ta forcojnë Italinë dhe të garantojnë gola”.
Mancini ka përfshirë tetë sulmues në listën e tij për dy ndeshjet e fundit të grupeve në Ligën e Kombeve, kundër Anglisë dhe Hungarisë. Përveç Immobiles, Mancini thirri edhe sulmuesin tjetër të Lazios, Matteo Cancellierin, treshen e Napolit, Matteo Politanon, Giacomo Raspadorin dhe Alessio Zerbin, Gianluca Scamaccan e West Hamit, Wilfried Gnonton e Leedsit Unitedit dhe sulmuesin e Freiburgut, Vincenzo Grifo.
Immobile ka shënuar pesë herë këtë sezon.
Italia e pret Anglinë në Milano të premten dhe luan me Hungarinë në Budapest tri ditë më vonë. Zë vendin e tretë në grupin i cili përfshin edhe Gjermaninë në Ligën A. Në katër ndeshjet e para Italia ka tubuar vetëm pesë pikë. Ka shënuar pesë gola dhe ka pranuar shtatë. Italia ende mund të përfundojë e para në grup dhe të kualifikohet në “Final Four” të Ligës së Konferencës për edicionin e dytë radhazi, por gjithashtu do të luftojë për të shmangur vendin e fundit dhe rënien në Ligën B.
“Rezultatet do të jenë shumë të rëndësishme për shkak se çdo gjë është e hapur në grup dhe mund të ndodhë gjithçka. Duhet patjetër t’i fitojmë dy ndeshjet dhe të përpiqemi të përfundojmë në pozitën e parë, që do të ishte fantastike”, pranoi Mancini. “Do të ketë muaj të vështirë deri pas përfundimit të Botërorit. Duhet ta kthejmë entuziazmin që e kishim. Triumfi në Evropian duhet të na motivojë për të filluar sërish dhe t’i kemi katër vjet të jashtëzakonshëm sikur më parë”.
Mancini ka konfirmuar mungesën e mesfushorit të Paris Saint-Germainit, Marco Verratti, për dy ndeshje për shkak të lëndimit që e pësoi të dielën mbrëma në fitoren 1:0 të ekipit të tij ndaj Lyonit në kuadër të Ligue 1.
“Ai për momentin nuk mund të ecë. Kështu që në vend të tij ka gjasa ta ftojmë Davide Frattesin e Sassuolos, por do të shohim”, tha Mancini.