Mario Balotelli është përfshirë në ekipin e përzgjedhësit të Italisë, Roberto Mancini, që do ta mbajë një grumbullim prej 26 deri më 28 janar. Mancini ka ftuar 35 futbollistë, ku në mesin e tyre është edhe Balotelli.
Sulmuesi enigmatik nuk ka luajtur për Italinë që nga viti 2018, por atij po i jepet një mundësi nga Mancini i cili ka mungesë të sulmuesve cilësorë në ekip. Rikthimi i Balotellit tek Italia ka nxitur reagim të tifozëve, ndërsa lojtarët e përfaqësueses italiane mund të jenë të shqetësuar.
Para më pak se dy vjetësh, kapiteni i Italisë, Giorgio Chiellini, e përshkroi Balotellin si “një person negativ që nuk ka respekt për ekipin”. Mbrojtësi i Juventusit shkoi aq larg sa pranoi se ndiente që sulmuesi kontrovers meritonte “disa shuplaka” për mënyrën se si u soll kur ishte në grumbullim me Italinë. Chiellini kishte shtuar se “për dikë që mendon se është ndër pesë lojtarët më të mirë në botë, personalisht as që kam menduar se mund të jetë në top 10 apo 20”.
Balotelli u lëndua nga ai vlerësim brutalisht i sinqertë, por dyshja menjëherë bëri paqe kur u mblodhën së bashku me “video-telefonatë” për të diskutuar çështjen në emisionin televiziv “Le Iene”.
Në fakt Chiellini e mbylli diskutimin duke thënë se shpresonte që ata të luanin përsëri së bashku në “Euro 2020”. Kjo nuk ndodhi, me Balotelin që nuk i afrohej Italisë që pati sukses të jashtëzakonshëm kur triumfoi në finalen e Evropianit në stadiumin “Wembley” në Londër.
Megjithatë Balotelli pritet t’i prijë sulmit të Italisë në ndeshjet e plejofit për Botërorin “Katari 2022”. Mancini e konfirmoi kthimin e Balotellit pas më shumë se tre vjetësh tek Italia duke bërë të ditur se është në kërkim të një sulmuesi.
Italia mund ta ketë pushtuar Evropën vitin e shkuar me futboll ofensiv, por këtë e ka bërë pa një qendërsulmues klasik. Ciro Immobile shënoi dy gola në Kampionatin Evropian, por nuk arriti të dëshmohej si sulmues i klasit botëror, si Robert Lewandowski e Karim Benzema. Immobile ka shënuar vetëm 15 gola në 54 paraqitje për Italinë. Ndërsa, Balotelli ka vetëm një gol më pak në 36 ndeshje dhe për këtë arsye, është ftuar nga Mancini.
Është gjithashtu fakti se 31-vjeçari ka gjetur formën dhe stabilitetin duke luajtur nën drejtimin e Vincenzo Montellas në Superligën e Turqisë. Me fanellën e Adana Demirsporit, Balotelli ka shënuar nëntë gola dhe ka asistuar pesë herë në 21 paraqitje deri më tani. Pas një rikthimi katastofal në vendlindjen e tij, te Brescia, dhe një periudhe të shkurtër në Serie B te Monza, karriera e Balotellit në nivelin më të lartë dukej se kishte përfunduar.
Mancini ka shërbyer prej kohësh si një figurë babai për sulmuesin, por edhe ai pranoi për “Gazzetta dello Sport” në vitin 2019 se Balotelli kishte marrë fund: “Unë e dua atë, por nuk mund të bëj më asgjë për të”.
Gjithçka ishte në dorën e Balotellit për t’i shpëtuar vitet e fundit të karrierës. Shenjat e hershme ishin se një lëvizje e befasishme te skuadra turke Adana Demirsport korrikun e kaluar, nuk ishte aspak zgjidhje e mirë. Vetëm në ndeshjen e tretë për skuadrën turke ai reagoi furishëm ndaj zëvendësimit nga trajneri i atëhershëm Samet Aybaba. Madje e goditi me grusht një shok të skuadrës, ndoshta rastësisht.
“Nuk jam i kënaqur. Futbolli është një lojë vrapimi. Nëse nuk vraponi nuk e mundni askënd”, kishte thënë trajner turk pas ndeshjes.
Vetëm tri ditë pas rastit me Balotellin, presidenti i klubit, Murat Sancak e shkarkoi Aybaban.
“Nëse Balotelli luan ai është një problem. Nëse ai nuk luan, ai është i njëjti problem”, tha Aybaba.
Ishte e qartë se presidenti i klubit e konsideronte Balotellin yll. Dhe duket se ky trajtim i presidentit është shpaguar nga Balotelli, kryesisht për shkak të angazhimit të Montellas si trajner. Pasi mori vetëm dy pikë nga tri ndeshjet e para të edicionit, Adana tani është e katërta në tabelë. Dhe Balotelli ka luajtur rolin e tij në këtë ngritje. Montella e ka menaxhuar me mjeshtëri situatën deri më sot, pasi ka marrë më të mirën nga Balotelli. E ka shfrytëzuar dëshirën e sulmuesit për të përfaqësuar edhe një herë Italinë.
“Në karrierën e tij, Mario ka krijuar një imazh për veten dhe duhet ta pranojë atë”, tha ish-trajneri i Romës, Montella, javë më parë. “Por ai ka arritur të përshtatet me sistemin tonë dhe gjendja e tij fizike po përmirësohet dita-ditës”.
Ky ishte një nga shqetësimet kryesore të Mancinit përpara fillimit të edicionit. Ai kurrë nuk ka pasur dyshime mbi aftësinë teknike të Balotellit, por nuk ishte i bindur se sulmuesi do të ishte në gjendje të kthehej në formën e tij, gjë që ia bëri të qartë kur folën vitin e kaluar. Balotelli e pranoi se kishte një rrugë të gjatë për të bërë që ta rifitonte besimin e trajnerit të cilin e tërbonte vazhdimisht gjatë kohës sa ishin së bashku te Manchester City. Në nëntorin e kaluar ai po fliste me optimizëm për një kthim tek Italia. Kjo, për shkak se Italia sapo kishte “hedhur në erë” shpresat e saj për kualifikim automatik në Botërorin “Katari 2022”, duke barazuar në dy ndeshjet e fundit në grup, kundër Zvicrës dhe Irlandës së Veriut. Si rezultat i kësaj, Italia tani duhet të mundë Maqedoninë e Veriut dhe më pas fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal mes Portugalisë dhe Turqisë për të fituar vendin në Katar.
Gjasat e Italisë për sukses janë dobësuar më tej, pasi tashmë ka humbur lojtarin më të mirë, sulmuesin e krahut, Federico Chiesa. Chiesa ka lënduar gjurin dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë këtë edicion.
“Italia nuk është ekip si Franca që ka sulmues si Benzema, Mbappe e Giroud. Kështu që Mario nuk mund të injorohet. Për një ekip që vuan mungesën e golave ai është i duhuri”, ishin fjalët e vëllait të Balotellit, Enock Barwuah.
Mbetet të shihet nëse rikthimi i Balotellit tek Italia do t’i shpaguhet përzgjedhësit Roberto Mancini.