Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mancini mbron vendimin për ta kthyer Balotellin te Italia

Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, hodhi poshtë sugjerimet se kthimi i sulmuesit Mario Balotelli në përfaqësuese, pas një mungese trevjeçare, ngjallte dëshpërim. Balotelli, i cili luan për klubin turk Adana Demirspor, ndeshjen e fundit me Italinë prej 36 paraqitjeve të tij, e pati në shtator të vitit 2018 në barazimin 1:1 ndaj Polonisë në kuadër të Ligës së Kombeve. Mancini e riktheu Balotellin te Italia të hënën për një kamp stërvitor treditor këtë javë përpara plejofit të Kampionatit Botëror “Katari 2022”, që luhet në muajin mars. Italia fitoi Kampionatin Evropian verën e kaluar, por i mungon një golashënues i qëndrueshëm, me Ciro Immobile dhe Andrea Belotti që luftojnë për të përsëritur formën e tyre të klubeve në skenën ndërkombëtare.

“A po luaj një kartë të dëshpëruar? Jo, dhe atëherë nëse ai dëshpërim është i njëjtë me atë para Kampionatit Evropian, atëherë është mirë”, tha Mancini në një konferencë për shtyp të mërkurën në fillim të kampit. “Por kjo nuk është situata këtu. Gjatë ditëve në vijim do të provojmë gjëra të ndryshme dhe do të vlerësojmë lojtarët që nuk janë thirrur për një kohë, si Mario dhe të tjerët që janë të rinj”.

Balotelli, 31-vjeçar, ka shënuar tetë gola në 19 paraqitje në ligë që kur u transferua në Turqi te Adana Demirspori para fillimit të këtij sezoni. Mancini e njeh mirë Balotellin, pasi ka punuar me të kur ishte trajner te Interi dhe Manchester City. Përkundër që e ka ftuar Balotellin, përzgjedhësi Mancini nuk ka dhënë garanci se sulmuesi do të ftohet për ndeshjet e muajit mars.

“Në nivel teknik, ai ishte gjithmonë i mirë, kjo nuk është për debat, ne vetëm duhet të shohim se si është ai fizikisht. Kështu që, ai duhet të futet në një grup që ka punuar shumë mirë. Ai nuk ka nevojë të më premtojë asgjë”, vazhdoi Mancini. “Ai është thirrur ashtu siç janë thirrur të tjerët. Ishim kuriozë ta shihnim pas kaq shumë kohësh, por duhet të shohim se si do të shkojnë punët. Unë mendoj se ai është i lumtur që është këtu. Do të shohim nëse ai do të jetë në gjendje të na japë një ndihmë”.

Italia e pret Maqedoninë e Veriut në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për Botërorin e këtij viti më 24 mars. Fituesi i këtij takimi do të luajë pesë ditë më vonë me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Portugalisë dhe Turqisë për një vend në Katar. Mancini gjithashtu u dha shtatë lojtarëve thirrjet e tyre të para ndërkombëtare që i ftoi në këtë kamp stërvitor, edhe pse njërit prej tyre, mbrojtësit Giorgio Scalvini i është dashur të tërhiqet nga skuadra së bashku me mbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni. Ata janë zëvendësuar nga Gian Marco Ferrari, Alessio Romagnoli dhe Caleb Okoli. Leonardo Bonucci dhe Lorenzo Pellegrini gjithashtu i janë bashkuar kampit, por të dy janë të lënduar dhe kështu do të marrin pjesë vetëm në seancën taktike përpara se të kthehen në klubet e tyre të enjten.

“Në këtë kamp, ne mund të vlerësojmë shumë gjëra, të tilla si të luajmë me dy sulmues pranë njëri-tjetrit dhe dy anësorë. Këto janë gjëra që do t'i testojmë gjatë këtyre tre ditëve”, zbuloi Mancini. “Ka lojtarë që kanë role të ndryshme në nivel klubi dhe nuk do të kishin probleme të përshtateshin. Ne duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë sepse do të ketë shumë pak hapësira për të sulmuar në ndeshjen hapëse me Maqedoninë e Veriut”.