Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Italia e vendosur për ta harruar dështimin e kaluar me kualifikim në “Katari 2022”

Përfaqësuesja e Italisë futet në ndeshjen e vështirë të se premtes kundër Zvicrës me shpresa për kualifikim në botërorin “Katari 2022”. Kampionia në fuqi e Evropës synon t’i dëbojë përfundimisht fantazmat e kampanjës katastrofale kualifikuese për Botërorin e vitit 2018. Ende në nivel të lartë që nga triumfi në “Euro 2020”, Italia kryeson Grupin C falë goldallimit më të mirë se Zvicra.

Të dyja ekipet kanë nga 14 pikë dhe po luftojnë për një vend të vetëm që garanton pjesëmarrjen direkte në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Roberto Mancini mori drejtimin e Italisë pas dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin e fundit që u mbajt në Rusi. Ishte hera e parë në gjashtë dekada që Italia nuk arriti të kualifikohet në këtë ngjarje. Kështu që tek Italia tani janë më të vendosur se kurrë për ta harruar atë dështim me kualifikim në Botërorin e ardhshëm.

“Është e rëndësishme që të luajmë mirë, sepse pas Evropianit kjo është ndeshja më e madhe. Ne e dimë se duhet të fitojmë”, tha Mancini të enjten në konferencën për shtyp.

Mancini u përpoq të ruante një pamje qetësie për një ndeshje që do ta kthente Italinë në skenën më të madhe të futbollit pas tetë vjetësh. Humbja në plejof ndaj Suedisë në fund të vitit 2017 e la vendin të ndihet sikur ishte në një vrimë të zezë futbolli, duke mbetur shumë prapa pjesës tjetër të Evropës dhe jo më një prodhues i talenteve të klasës botërore.

Që atëherë, ish-trajneri i Interit dhe Manchester Cityt e ka rikthyer ndjenjën e mirë në ekipin përfaqësues, duke marrë më të mirën nga një grup i ri lojtarësh, si dhe nga disa veteranë të guximshëm.

“Është ndeshje e rëndësishme, në fakt shumë e rëndësishme dhe është e vërtetë që nëse fitojmë do të na hapen dyert për Kampionatin Botëror. Mirëpo është vetëm një ndeshje futbolli”, tha Mancini.

Për këtë ndeshje, Mancini do t’i ketë disa mungesa të rëndësishme. Sulmuesi Ciro Immobile, si dhe mesfushorët Lorenzo Pellegrini e Nicolo Zaniolo mungojnë për shkak të lëndimeve. Mungesa kryesore, që edhe do të vërehet, është ajo e kapitenit Giorgio Chiellini që u largua të mërkurën nga kampi stërvitor, i lënduar. Lajmi i mirë për Mancinin është rikuperimi i Nicolo Barellas.

Edhe Italia kërkon kualifikimin në Katar, por mendjen e ka te dështimi i mëparshëm Sport Italia kërkon kualifikimin në Katar, por mendjen e ka te dështimi i mëparshëm

Partneri i Chiellinit në mbrojtje te Juventusi, Leonardo Bonucci, tha se dëshiron që Italia të harrojë dhimbjen e dështimit për t'u kualifikuar në Botërorin e fundit dhe insistoi se ndaj Zvicrës do të luajnë vetëm për fitore.

“Përvoja e vitit 2017 ka qëndruar me ne, sikurse çdo përvojë tjetër pozitive apo negative. Ka lënë shenja të pashlyera, por ne duhet t’i tejkalojmë ato duke u kualifikuar për Botërorin që do të mbahet në Katar. Është një ndeshje e fortë, të cilën duhet patjetër ta fitojmë për të qëndruar të qetë deri në fund të kualifikimeve”, është shprehur Bonucci. “Duhet të kemi një paraqitje të mirë, pavarësisht presionit të madh. Dhe, nëse luajmë sikurse që luajtëm në Evropian, atëherë do ta shijojmë këtë ndeshje në maksimum përpara se të festojmë në fund”.

Pas këtij dueli, që do të luhet prej orës 20:45 në stadiumin “Olimpico” në Romë, Përfaqësuesja e Italisë do t’i mbyllë eliminatoret me ndeshjen në udhëtim tek Irlanda e Veriut. Ndërkohë, Zvicra do të përballet në shtëpi me Bullgarinë.