Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, ka pranuar se ekipi i tij është dashur shumë më herët ta rezervojë pozitën e parë në grup dhe ta konfirmonte kualifikimin në Kampionatin Botëror “Katari 2022” pa përfunduar cikli eliminator. Megjithatë, Italia nuk e arriti një gjë të tillë, pasi përfundoi e dyta në Grupin C pas Zvicrës.
Ishin dy barazimet në dy ndeshjet e fundit të ciklit eliminator që ia pamundësuan Italisë të jetë e para në grup. Javën e kaluar barazoi 1:1 në shtëpi kundër Zvicrës, përpara se të hënën mbrëma në ndeshjen e fundit të luante pa gola në Belfast ndaj Irlandës së Veriut. Tani, Italia duhet që nëpërmjet plejofit ta sigurojë plasmanin në Botërorin e vitit të ardhshëm.
E pikërisht në plejof Italia dështoi të kualifikohet për Kampionatin Botëror të vitit 2018 që u mbajt në Rusi. Pritjet ishin të mëdha, sidomos pas triumfit në “Euro 2020” të Italisë dhe të gjithë besonin se italianët do të përfundonin të parët në një grup që përbëhej nga Zvicra, Irlanda e Veriut, Bullgaria dhe Lituania.
Në fund, Italia përfundoi me 16 pikë, dy më pak se Zvicra pas tetë ndeshjeve të zhvilluara. Krahas Mancinit, gishti po drejtohet edhe kah mesfushori Jorginho për dështimin e Italisë që të kualifikohet direkt në penallti. Në fakt, Jorginho në këto eliminatore i humbi dy penallti, të cilat i kushtuan shumë Italisë. Mesfushori që u shpall lojtari më i mirë i UEFA-s për këtë vit dhe njëri prej kandidatëve për ta fituar “Topin e Artë” i humbi dy penallti ndaj Zvicrës. Fillimisht, në barazimin 0:0 në shtator në udhëtim dhe pastaj në duelin e luajtur në Romë javën e shkuar kur dështoi në minutën e 90-të te rezultati 1:1. Duke parë të gjitha kritikat ndaj tij, Jorginho ka reaguar të martën mbrëma në “Instagram”. Ai u ka dërguar një mesazh të qartë tifozëve të Italisë duke iu premtuar kualifikimin në Botëror nëpërmjet plejofit që luhet në muajin mars të vitit të ardhshëm.
“Shumë herë futbolli të ‘dënon’ me rezultate të rënda që të lëndojnë. Por kjo me siguri nuk do të na bëjë që ta humbasim objektivin tonë. Ne po përgatitemi mirë për muajin mars, i cili do të jetë një tjetër betejë. Do të jetë e vështirë dhe ne e dimë, por ne jemi Italia, dhe Italia nuk dorëzohet kurrë”, ishte postimi i Jorginhos.
Shorti për ndeshjet e plejofit do të tërhiqet këtë muaj, saktësisht më datën 26 nëntor. E në short, përzgjedhësi Mancini shpreson që ta evitojë Përfaqësuesen e Portugalisë, që po ashtu përfundoi e dyta në grupin e saj, pasi në ndeshjen e fundit u mposht në shtëpi nga Serbia.
Edhe
Dështimi i Italisë për t’u kualifikuar në Botëror po shihet si katastrofë
“Nëse më duhet të zgjedh, atëherë do të ishte Portugalia”, tha Mancini kur u pyet për kundërshtarin që nuk e dëshiron në plejofin e Botërorit.
Në fakt, ishte pikërisht Mancini, ai që e ngriti Italinë pas dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin “Rusia 2018”. Madje, nën drejtimin e Mancinit, Italia vendosi rekord me 37 ndeshje rresht pa humbje.
“Gjasat i kemi të mira për kualifikim. E kemi humbur vetëm një ndeshjet në 40 ndeshjet e fundit, kështu që është me rëndësi të mendojmë pozitivisht. Do të kisha dashur të ishim kualifikuar tani për Botëror, por nuk është keq që një gjë të tillë ta bëjmë në muajin mars. E kam ditur se nuk do të jetë lehtë, por ky ekip e ka fituar Kampionatin Evropian dhe për këtë arsye kam besim të madh te këta lojtarë”, është shprehur Mancini.